Autor: Seladin Xhezairi
Të shtunën skadon gjendja e jashtëzakonshme e treta me radhë, e vendosur fillimisht më 26 shkurt nga presidenti Stevo Pendarovski. Nuk dihet se çfarë ka për të qenë epilogu i takimit të liderëve tek shefi i shtetit, por kurba e pandemisë së koronavirusit sikur vë në pikëpyetje angazhimin e socialdemokratëve në pushtet që vendi të shkojë në zgjedhje në fund të qershorit, njësoj sikundër është i debatueshëm edhe propozimi i opozitarëve maqedonas që zgjedhjet për legjislaturën e dhjetë të bëhen në fillim të vjeshtës. Më afër arritjes së zgjidhjes kompromise imponohet ideja e partive shqiptare që korriku të jetë muaji i daljes në mejdan.
Ambasadori i Francës në vend, Kristian Timonie, në stilin e diplomatit të regjur, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se për mbajtjen e zgjedhjeve nevojitet një vendim politik, por – ka tërhequr vërejtjen ai – një vendim ‘objektiv që mbështetet në gjendjen shëndetësore në vend’. Burime të mirinformuara të Televizionit Klan M thonë në kushte anonimiteti se në vlugun e mosmarrëveshjeve ndërpartiake për datën e zgjedhjeve të reja, ditët e fundit janë përfshirë edhe ‘miqtë perendimorë’ të Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të arrijnë edhe një konsensus mes krerëve të partive politike. Kjo, aq më tepër kur të dhënat e institucioneve shëndetësore thonë se kurba e sëmundjes së koronavirusit nuk ushqen optimizmin për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve të idesë së socildemokratëve në pushtet se janë pjekur kushtet për vënien në funksion të institucioneve të shtetit e as angazhimeve të opozitarëve maqedonas që dalja në mejdan të shtyhet për në fillim-vjeshtë. Argumenti është i njëjtë: askush nuk mund të garantojë se ç’përmasa do të ketë pandemia edhe atëherë!
Së këndejmi, është për t’u pritur që në takimin e radhës tek Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, paria politike të ketë parasysh mesazhin e mësipërm të diplomatit francez për vendimin ‘objektiv që mbështetet në gjendjen shëndetësore në vend’, por edhe sinjalet nga Brukseli të transmetuara nga agjencia e lajmeve MIA se ‘është e arsyeshme të mendohet për zgjedhje, për shkak se nuk mund pafundësisht vendi të mbetet me qeveri teknike, por zgjedhjet duhet të mbahen nëse përmbushen kushtet’.
Nesër, të shtunën, përfundon gjendja e tretë e jashtëzakonshme e shpallur nga Presidenti Pendarovski. Nuk dihet nëse do të ketë vazhdim të saj apo jo, por duket se ka pak gjasë që fundmuajin e ardhshëm të shkojmë në zgjedhje!