E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

10 arsye përse duhet të votojë mërgata

1.
Sepse diaspora e Kosovës nuk është diasporë tipike (domethënë e larguar vetëm për shkaqe ekonomike, që asimilohet më lehtë). Diaspora e Kosovës është pasojë e terrorit jugosllav dhe serb sidomos në vitet ’80 dhe ’90. Si e tillë ajo mbetet e lidhur ngushtë me vendin e prejardhjes, me Kosovën.

2.
Sepse diaspora e Kosovës ka dhënë kontribut jetik për «shtetin paralel» të viteve ’90, për ndërkombëtarizmin e çështjes së Kosovës (me demonstrata në Europë, Amerikë e gjetiu, protesta, aksione informimi etj.) dhe më 1999 për çlirimin e vendit.

3. Sepse diaspora menjëherë pas çlirimit i ka vënë bazat për rindërtimin emergjent të vendbanimeve të Kosovës. Pa markat dhe frangat e diasporës, zor se do të ishin ndërtuar aq shpejt mijëra shtëpi në Kosovë. Në këto shtëpi me shpejtësi të dritës u kthyen gati një milionë banorë të Kosovës të dëbuar nga pushteti serb në vitet 1998/99. Edhe sot mbi 1 miliardë euro (e ndoshta edhe më shumë) transferohen çdo vit nga xhepat e shqiptarëve të diasporës në xhepat e banorëve të Kosovës. Kjo shumë është – gjysma e buxhetit të Kosovës.

4.
Sepse diaspora nuk e ka Kosovën atdhe të dytë, por atdhe paralel – bashkë me atdheun e ri në Gjermani, Zvicër, Austri… Në atdheun paralel, pra në Kosovë, çdo vit, e sidomos gjatë verës, vijnë qindra mijëra shqiptarë nga Hamburgu në Gjenevë. Ata janë babadimrat kosovarë që vijnë me plot dhurata gjatë verës.

5.
Sepse Kosova vazhdon të jetë e pranishme, madje nganjëherë tepër e pranishme në çdo shtëpi a banesë shqiptarësh në diasporë – jo vetëm falë mediave, por edhe komunikimit të vazhdueshëm falë mjeteve të reja digjitale.

6.
Sepse në dy dekadat e fundit mbase çdo i dyti shqiptar i diasporës ka blerë banesë apo ndërtuar shtëpi në Kosovë. Kjo është një dëshmi tjetër e lidhjes së pashkëputeshme me atdheun.

7.
Sepse duke jetuar në shtete të organizuara diaspora ende ka ëndrra për ta bërë Kosovën shtet funksional.

8.
Sepse shumica e njerëzve të Kosovës në diasporë kanë vende të sigurta pune në vendet ku kanë emigruar dhe partitë e kriminalizuara në Kosovë nuk mund t’i shantazhojnë nëse s’votojnë për to. Ajo pjesë e mërgatës që ka ka marrë pjesë në zgjedhje viteve të fundit, ka votuar masivisht për parti të pakriminalizuara apo së paku më pak fajtore për qorrsokakun kosovar.

9.
Sepse duke jetuar në vende me demokraci të zhvilluar pjesa më e madhe e njerëzve të diasporës ka krijuar një krenari për vlerat e Europës perëndimore, për sundimin e ligjit, drejtësinë dhe barazinë sociale e gjinore. Këto vlera këta njerëz duan t’i shohin të bëhen realitet edhe në Kosovë.

10.
Për shkak se diaspora është kjo që është, pra një shoqëri e krijuar si rrjedhojë e zhvillimeve historike dhe e etur për ta parë Kosovën shtet normal, pushtetet e deritanishme kanë bërë pak ose asgjë për t’ia lehtësuar diasporës pjesëmarrjen në zgjedhje. Pushtetarët e dinë përse i kanë ngritur këto barriera. Nuk kanë interes që mbi gjysmë milioni shqiptarë të diasporës me votën e tyre të bëjnë ndryshimin e madh në Kosovë. Për këtë dhe shumë arsye të tjera mërgata duhet masivisht të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Shikoni shembullin e Rumanisë: pa angazhimin e madh të diasporës nuk do të ishte e mundshme të burgoseshin politikanë të korruptuar rumunë, mes tyre edhe figura me ndikim të madh. Pa diasporën Rumania nuk do të kishte president një politikan të papërlyer, një plitikan që i përket pakicës gjermane. Sa herë që mbahen zgjedhjet në Rumani, mediat perëndimore botojnë fotografi të rumunëve të diasporës duke pritur për të votuar para konsullatave rumune.

dialogplus/Enver Robelli

Të fundit