E enjte, 20 Qershor, 2024

UKRAINA DHE RUSIA SULME TË NDËRSJELLA ME DRONË

Rusia thotë se rrëzoi 60 dronë dhe disa raketa mbi territorin e saj, ndërsa Ukraina tha se shkatërroi 30 dronë rusë. Njoftohet për të paktën katër të vrarë në një sulm në periferi të Kharkivit, ndërsa Rusia vazhdon ofensivën e ripërtërirë në verilindje të Ukrainës, të shkatërruar nga lufta.

Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 57 dronë ukrainas mbi rajonin jugor të Krasnodarit gjatë natës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Zyrtarët lokalë ushtarakë thanë se copat e dronëve të goditur ranë mbi një rafineri nafte në qytetin Slavyansk-on-Kuban, por nuk pati zjarr apo dëme.

Por rrjeti i lajmeve Astra publikoi video ku shihej një shpërthim në rafineri teksa goditej nga një dron. Pamjet filmike nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Nëntë raketa balistike me rreze të gjatë dhe një dron u shkatërruan mbi Krimenë e pushtuar nga Rusia, pas sulmit masiv ukrainas me dron të premten që shkaktoi ndërprerje të energjisë në qytetin e Sevastopolit.

Tre dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën. Sipas guvernatorit rajonal Vyacheslav Gladkov, çatia e një kishe u dogj nga rënia e mbeturinave të dronëve, por nuk pati viktima.

Në rajonin e Khersonit, pjesërisht të pushtuar nga forcat ruse, guvernatori i vënë nga Kremlini, Vladimir Saldo, tha se një person vdiq dhe 16 u plagosën kur një dron ukrainas goditi një automjet të dielën në mëngjes.

Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan të 37 dronët rusë të lëshuar kundër gjatë natës kundër Ukrainës.

Në rajonin e Kharkivit, ku Moska nisi kohët e fundit një ofensivë të re, guvernatori rajonal Oleh Syniehubov tha të dielën në mëngjes se një person vdiq dhe 11 u plagosën si rezultat i bombardimeve të një dite më parë. Ai tha të dielën se katër persona u vranë dhe 15 u plagosën në një sulm rus në periferi të kryeqytetit rajonal.

Rusia nisi një ofensivë në rajonin e Kharkivit në fund të javës së kaluar, duke shtuar ndjeshëm trysninë mbi forcat më të pakta ukrainase. Ukraina është në pritje të dërgesave të vonuara të armëve dhe municioneve nga partnerët e saj perëndimorë, thelbësore për luftën e saj kundër agresionit rus./VOA

Të fundit