Pasi Washingtoni ka emëruar një përfaqësues të posaçëm për Ballkan, një deputet gjerman kërkon që edhe BE të ketë një emisar të tillë. Kjo tregon se gjermanët në dekadën e fundit kanë fjetur dhe politika e tyre ndaj Ballkanit ka qenë politikë e ledhatimit të Serbisë. Politika e shpërblimit të Serbisë dhe ngushëllimit të popujve të tjerë të Ballkanit është kontraproduktive dhe e rrezikshme.
Deputeti i CDU-së, Peter Beyer, deklaroi sot në Prishtinë se edhe BE duhet të ketë përfaqësues special sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Beyer e tha këtë pasi SHBA-të emëruan një përfaqësues special për Ballkan. Ai do të jetë Matthew Palmer, një diplomat me përvojë të gjatë në Ballkan.
Deklarata e Peter Beyer tregon një gjë: Gjermania në 10 vitet e fundit ka fjetur dhe nëpër Ballkan ka ecur si somnambul. Tepër gjatë Berlini e ka toleruar, ledhatuar e përkrahur Aleksandër Vuçiqin. Nuk i ka bërë presion Serbisë për të ndalur fushatën për dëmtimin e Kosovës. Serbia vazhdon t’i mbajë peng dy shtete: Bosnjën dhe Kosovën. Shërbimi serb është përzier edhe në Maqedoni në përpjekjet për mbajtur në pushtet Nikolla Gruevskin prorus.
Qeveria e kancelares Angela Merkel ka heshtur përballë këtyre veprimeve serbe. Përkundrazi: Beogradi ka vazhduar hapjen e kapitujve për hyrje në BE. Njëkohësisht Serbia ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, pothuaj çdo ditë politikanët serbë njoftojnë sa raketa e tanke kanë marrë dhe do të marrin nga Rusia. Serbia një kohë hoqi vizat për shtetas të Iranit dhe kështu u bë portë hyrëse drejt BE-së për azilkërkues iranianë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje për tregti të lirë me Unionin Euroaziatik. Kjo është në kundërshtim me politikat e BE-së. Kush protestoi kundër këtij hapi të Serbisë? Nuk protestoi Angela Merkel, as ambasadori i saj në Beograd, as ministri i Jashtëm Heiko Maas. Protestoi Mirosllav Lajçaku, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, e cila nuk e pranon Kosovën.
Gjumi gjerman ka pasoja të rënda për rajonin. Berlini e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave, duke i lënë kosovarët të vetmit europianë deri në kufi me Rusinë të izoluar. Madje edhe ukrainasit dhe gjeorgjianët gëzojnë lirinë e lëvizjes brenda zonës së Schengenit. Kush beson në Berlin apo gjetiu se në Ukrainë dhe Gjeorgji shteti ligjor funksionon më mirë se në Kosovë është injorant ose figurë cirku. Kosova për Gjermaninë duket se është interesante vetëm për t’ia fshirë kuadrot, mjekët dhe infermieret, të cilat arsimohen me para të taksapaguesve kosovarë. Për fat të keq shteti i Kosovës nuk kërkon asgjë nga Gjermania – as kompensim, as një apo disa shkolla profesionale, asgjë.
Kërkesa e deputetit të CDU-së, Peter Beyer, që tani edhe Europa të ngutet dhe të emërojë një emisar të posaçëm për Kosovë, tregon se europianët reagojnë vetëm kur akrepat e orës të kalojnë pesë pas orës 12:00 dhe kur të shohin se amerikanët po ecin në shpejtësinë e gjashtë. Emërimi i diplomatit Matthew Palmer si emisar i posaçëm për Ballkanin është sinjal i angazhimit më dinamik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Ndonëse Palmer është titulluar si emisar për Ballkanin, ai në radhë të parë pritet të merret me raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ketë përpjekje të shtuara për fillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Do të rritet presioni që qeveria e re e Kosovës të heq tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe. Emërimi ndoshta do të qartësojë pozicionin amerikan sa i përket idesë për «korrigjimin e kufijve». Dihet se një ide të tillë publikisht e ka mbështetur John Boltoni, këshilltari për siguri nacionale i presidentit Donald Trump. Departamenti i Shtetit është përpjekur t’i mbajë kartat të fshehura.
Palmer me gjasë do të përpiqet të koordinohet edhe me vendet kryesore të BE-së sa i përket të ardhmes së raporteve serbo-kosovare. Berlini kundërshton çdo tentim për prekje të kufijve, por nuk ka ide të tjera përveç apeleve për qetësi. Emërimi i Palmerit mund të shtyjë përpara përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit. Bashkimi Europian deri më tani nuk ka qenë në gjendje të merret vesh së paku për heqjen e vizave ndaj kosovarëve, rrjedhimisht pa Washingtonin është pothuaj e pamundshme të arrihet një zgjidhje e nyjës kosovaro-serbe.
Klasa e deritanishme politike e Kosovës e ka futur vendin në qorrsokak. Njëherë e ka nënshkruar marrëveshjen për bashkësinë e komunave serbe, e cila në pjesën më të madhe u shpall antikushtetuese, por mbeti si ide në treg, pastaj presidenti i Kosovës ka zhvilluar negociata sekrete me kolegun e tij serb për «korrigjimin e kufijve». Tash Kosova do të përballet me presion për të zgjedhur mes prishjes së kufijve apo asociacionit të komunave serbe. Kësaj i thonë: një zgjedhje mes murtajës dhe kolerës. Gjatë gjithë këtyre viteve gjermanët kanë fjetur. Zor se i zgjon apeli i deputetit Peter Beyer. Politika e shpërblimit të Serbisë dhe ngushëllimit të popujve të tjerë të Ballkanit është kontraproduktive dhe e rrezikshme.