E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

BREGU: LIPSEN INVESTIME NË INFRASTRUKTURË DHE KAPITAL NJERËZOR PËR DIGJITALIZIMIN E BALLKANIT PERËNDIMOR

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investmeve (BEI) mblodhën të martën në Sarajevë ministra të rajonit dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë në projekte digjitale, donatorë kryesorë dhe institucione financiare, si dhe përfaqësues të biznesit nga Ballkani Perëndimor në konferencën “Investimi në Digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor”.

“Qeveritë në të gjithë rajonin po ecin me ambicje të madhe drejt shërbimeve elektronike, për të lehtësuar procedurat administrative dhe reduktuar kohën përmes përdorimit të mjeteve digjitale. Kjo qasje sjell nevojën për të pasur më shumë akses në internet, për të gjithë e në veçanti, në zonat publike. Ndërmarrja e nismave të ngjashme me kolegët tanë në BE (si WiFi4EU) mund ta përmirësojë aksesin në shërbimin elektronik. Po jetojmë në një epokë të re, në një normalitet të ri, në përpjekjet e digjitalizimit të Ballkanit Perëndimor. Me Programin e Evropës Digjitale dhe mundësitë e ngjashme të financimit, realiteti që jetojmë sot mund të bëhet shumë shpejt realiteti i së nesërmes. Sektori privat mund e duhet të kontribuojë ndjeshëm në këtë ndryshim,”- tha Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, në fjalën e saj hyrëse.

Në tubim ka folur edhe Christoph Denk, Drejtor Menaxhues i BERZH-it për Politikat, Strategjinë dhe Ofrimin:

“Ne në BERZH jemi të përkushtuar të bëjmë më shumë dhe më mirë në fushën digjitale. Lançuam qasjen tonë për Përshpejtimin e Tranzicionit Digjital, për të përshkruar si dhe se çfarë mund të ofrojë Banka në fushën digjitale për partnerët, vendet dhe klientët e saj. Rivendosja e telekomunikacionit ishte prioriteti ynë që nga dita e parë – në fakt, ishte projekti ynë i parë pas luftës, në Bosnje dhe Hercegovinë. Sot, ne e shohim digjitalizimin si një mjet të rëndësishëm për përmirësimin e klimës së investimeve, nxitjen e tregtisë ndërkombëtare, forcimin e transparencës dhe besimit në institucione. Jemi këtu për të mbështetur partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tyre të transformimit digjital,” – tha Christoph Denk nga BERZH-it.

Eventi, që përfshiu dhe një takim koordinues me donatorët, organizuar nga RCC, ngriti rekomandime për adresimin e boshllëqeve e nevojave infrastrukturore e financiare, me qëllim plotësimin e tyre dhe ecjen përpara drejt Zonës Digjitale Rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe ekosistemeve digjitale, si dhe rritjen e mundësive financiare për digjitalizimin e SME-ve. Konferenca prezantoi projekte dhe iniciativa të përzgjedhura investimi në fushën e transformimit digjital, diskutoi sfidat dhe qasjet e koordinuara për investimet në infrastrukturën digjitale dhe nevojat digjitale të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të lartë qeveritarë nga sektori digjital, donatorë kryesorë dhe institucione financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të biznesit nga i gjithë rajoni.

“Evropa po përballet me një dilemë digjitale. Kriza e COVID-19 e përshpejtoi këtë proces veçanërisht midis SME-ve. Sot disa kompani po bëhen gjithnjë e më digjitale, por shumë të tjera po mbeten pas, duke mos mundur ta kapin dot valën digjitale. Niveli i pamjaftueshëm i aftësive digjitale pengon rritjen ekonomike, thellon pamundësitë e përfitimit që jep digjitalizimi deri në riskun e përjashtimit të kësaj mundësie. Investimi në krijimin e forcimin e rrjeteve me brez të gjerë, zhvillimi i softuereve, siguria kibernetike dhe inovacionet janë thelbësore për të garantuar konkurrencë dhe produktivitet më të lartë në të gjithë Evropën, gjithashtu edhe këtu, në Ballkanin Perëndimor,”- është shprehur Alessandro Bragonzi, Shefi i Përfaqësimit Rajonal të BEI për Ballkanin Perëndimor.

Sikurse transmeton kdp.mk, axhenda digjitale e Ballkanit Perëndimor, e koordinuar nga RCC, ka qenë shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal gjatë viteve të fundit, siç dëshmohet nga zbatimi i frytshëm i regjimit të zerimit të tarifave “Fol si n’shpi” (Roam Like at Home) brenda rajonit, si dhe nga nënshkrimi i Deklaratës së Roaming-ut edhe mes BE-BP që nga tetori i këtij vitit do të mundësojë uljen e tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe BP-së. Nëse trajtohet me aftësi dhe mençuri, transformimi digjital ka një potencial të madh për të përshpejtuar përparimin dhe për të kthyer sfidat e sotme në mundësi të favorshme të së nesërmes,- u tha në konferencën e Sarajevës.

 

Të fundit