E hënë, 29 Prill, 2024

BUDVË: VLERËSOHET LARTË ROLI I KËSHILLIT PËR BASHKËPUNIM RAJONAL

Në mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në qytetin e Budvës në Mal të Zi, është miratuar Raporti Vjetor i këtij organizmi me ç’rast është nënvizuar roli i tij për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sikurse njofton kdp.mk, Kreu i Këshillit, Majlinda Bregu ka veçuar krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, ndërkohë që Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka nënvizuar se roli i RCC-së ishte vendimtar për arritjen e marrëveshjes së telefonisë së lëvizshme dhe roaming-ut. 

Përgatiti: KDP

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në hapjen e Takimit të 15-të Vjetor të këtij mekanizmi të Bashkimit Evropian, në qytetin bregdetar malazez të Budvës, ka vlerësuar se ky vit ishte më i rëndësishmi për Ballkanin Perëndimor, duke shënuar pikën e shumëpritur të kthesës drejt përmbushjes së angazhimeve të marra nga qeveritë e rajonit për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Me integritet, kolegjialiteti dhe kompetencë – tri fjalë të traditës dhe sfidës- ne si Këshill për Bashkëpunim Rajonal, së bashku me organizatat e tjera rajonale e në partneritet të ngushtë me BE-në u bëmë bashkë për një sfidë që ishte ndyshe nga të tjerat: Të sigurojmë një bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës: Bashkimin e forcave për të përforcuar edhe më tej përpjekjet rajonale,” – ka thënë M. Bregu duke rikujtuar se nëntorin e kaluar, në Samitin e Procesit të Berlinit, gjashtë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshjet e lëvizshmërisë, si pjesë e Lëvizshmërisë së Tregut të Përbashkët Rajonal – për Lirinë e Lëvizjes me Kartë Identifikimi, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë, dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorë të Mjekësisë, Stomatologë dhe Arkitektë. Vetëm një muaj më vonë, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tiranë, në kuadër të Planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal të lehtësuar nga RCC-ja dhe Komisioni Evropian, operatorët e telekomunikacionit nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor nënshkruan Deklaratën Roaming që mundëson reduktimin e tarifave të roaming-ut ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023.

“Plani prej katër shtyllash i njoftuar së fundmi nga Presidenti i Komisionit Europian që synon afrimin e rajonit drejt Tregut Unik të BE-së, përputhet plotësisht me përpjekejet e rajonit dhe të RCC-së për të thelluar integrimin ekonomik rajonal si dhe për të pasur gjithnjë e më shumë akses në tregun e BE-së nëpërmjet politikës “phasing in”, e cila mundëson përfitime më të prekshme përpara anëtarësimit të plotë në BE, dhe kjo është për t’u vlerësuar.

Kjo po bëhet në kohë të duhur, pasi tani jemi duke bërë përmbledhjen e arritjeve të Tregut të Përbashkët Rajonal si dhe po hedhim themelet për fazën tjetër të integrimit brenda Ballkanit Perëndimor si dhe me Tregun Unik të BE-së. Ne jemi dëshmitarë ditë për ditë të zhvillimeve të cilat na rikujtojnë se bashkëpunimi rajonal nuk mund të merret si diçka e mirëqenë. Ballkani Perëndimor mund të jetë një skenë e politikave konkurruese dhe mosmarrëveshjeve, madje edhe frustrimeve, por ka një hapësirë të madhe për të vepruar së bashku, të motivuar nga një mirëkuptim i përbashkët për të përparuar – afrimin e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, që flet për perspektivën inkurajuese të ndërlidhshmërisë me qëllim, dhe jo si të rastësishme”- ka deklaruar Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Në këtë takim, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, përmes një video mesazhi ka përgëzuar RCC-në për punën vjeteore rezultate mbresëlënëse, duke nënvizuar angazhimin e organizatës për integrimin rajonal dhe përpjekjet në ndihmë të zbatimit të Tregut të  Përbashkët Rajonal.

“Integrimi ekonomik rajonal i bazuar në rregullat e BE-së e sjell rajonin gradualisht më afër tregut të përbashkët të unionit, përpara anëtarësimit të plotë,”- ka thënë Varhelyi duke nënvizuar rolin vendimtar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për arritjen e marrëveshjeve të telefonisë së lëvizshme dhe roaming-ut. Njëherësh ai ka konfirmuar mbështetjen e Komisionit Evropian për RCC-në edhe për tre vitet e ardhshme.

Radovan Bogojeviq, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm për Çështjet Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi që përfaqëson Kryesimin në detyrë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në fjalën e tij hapëse falënderoi RCC-në për mbështetjen dhe Sekretaren e Përgjithshme për angazhimin e saj, duke theksuar se organizata po e përmbush detyrën e promovimit dhe afrimit të rajonit më pranë integrimit në BE.

Xhenk Sejfula, drejtor për BE-në  dhe iniciativat rajonale nga Shkupi dhe përfaqësues i kryesuesit të radhës i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore nga Maqedonia e Veriut, theksoi rëndësinë e tri marrëveshjeve të mobilitetit për rajonin dhe informoi të pranishmit me procedurën e ratifikimit të tyre, pasi Maqedonia e Veriut është depozituesi i marrëveshjeve. Ai paralajmëroi se Shkupi si kryesues radhës i Procesit, do të prezantojë të hënën moton dhe prioritetet në takimin ministror.

Sikurse njofton kdp.mk, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, pritet të shpallë fituesin e çmimit Kampioni i Bashkëpunimit Rajonal Dr Erhard Busek për vitit 2022, në ceremoninë speciale të ndarjes së çmimeve që po zhvillohet në Budva. Çmimi Kampion i Bashkëpunimit Rajonal Dr Erhard Busek organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë.

Delegacioni i Këshillit, i kryesuar nga M.Bregu, do të marrë pjesë nesër në ngjarjet e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, përkatësisht në mbledhjen e ministrave të vendeve pjesëmarrëse në këtë Proces të ngarkuar për integrime evropiane dhe në takimin e ministrave të Jashtëm të këtij grupimi ku pritet miratimi i raportit vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Të fundit