E mërkurë, 8 Maj, 2024

TALAT XHAFERI, THYESI I TABUVE QË U BË KRYEMINISTRI I PARË SHQIPTAR I MAQEDONISË SË VERIUT

Fatjona Mejdini për Balkan Insight

Talat Xhaferi ishte ministri i parë i Mbrojtjes dhe kryetar i parlamentit në Maqedoninë e Veriut me prejardhje etnike shqiptare. Tani ai përsëri po thyen një tabu, duke u bërë kryeministri i parë shqiptar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Në një sallë parlamenti që muret i ka të zbukuruara me elementë ortodoksë dhe ato të antikitetit, Talat Xhaferi u betua të dielën si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Xhaferi do të udhëheqë një qeveri teknike vetëm për 100 ditët e ardhshme para zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale në prill-maj. Megjithatë, emërimi i tij është një simbolik e rëndësishme për një vend ku shqiptarët përbëjnë të paktën një të katërtën e popullsisë dhe që, dy dekada më parë, dukej se ishte në prag të një luftë civile mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Jo shumë kohë më parë, zgjedhja e një kryeministri me prejardhje shqiptare konsiderohej asgjë më shumë se një ëndërr. Megjithatë, veterani ushtarak 61-vjeçar i kthyer në politikan nuk shfaqi asnjë shenjë triumfi gjatë betimit dhe kur u pyet për arritjet, tha se preferon të flasë për sfidat dhe jo për ëndrrat.

“Në jetën time jam përballur me sfida të shumta, që nga dita që u largova nga shtëpia si një djalë 16-vjeçar e deri më sot. Njeriu duhet të ëndërrojë, megjithëse që ëndrrat të bëhen realitet, duhet punë e palodhur, këmbëngulje dhe durim,” tha ai për BIRN disa minuta pasi u betua në parlament.

Ëndërr e arritur – por theksi mbi përgjegjësinë

Punëtor dhe i disiplinuar janë fjalët kyçe që përdorin bashkëpunëtorët e tij për ta përshkruar atë. Ata gjithashtu besojnë se të qenit modest, i përmbajtur dhe luajal janë arsyejet kryesore pse Xhaferit ishte i besuari për të përfaqësuar përmbushjen e një ëndrre më të madhe se ai.

Nga podiumi parlamentar, duke adresuar kolegët e tij deputetë në shqip dhe maqedonisht, ai tha se ishte nderuar dhe ndiente përgjegjësi të madhe për detyrën që kishte përpara. Ai kërkoi mbështetjen e tyre për qeverinë e tij dhe premtoi ta përdorte atë për të krijuar një vend më të mirë dhe më demokratik, duke theksuar gjatë fjalimit fjalë kyçe si ‘aleancat’ dhe ‘marrëveshjet’.

Në rrjetet sociale, ai ndau mesazhin se ëndrra për të pasur kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut ishte realizuar më në fund. Megjithatë, ai i tha ndjekësve të tij se tani ka një përgjegjësi për të përmbushur ëndrrën e një Maqedonie të Veriut të zhvilluar, të avancuar, demokratike dhe evropiane.

Qeveria teknike e Xhaferit përfshin edhe ministra dhe zëvendësministra të opozitës. Kjo qeveri është e formuar për të përgatitur vendin për zgjedhjet e dyfishta të pranverës. Si rezultat, qëndrimi i saj 100-ditor konsiderohet kryesisht simbolik.

Kompromisi ndodhet në themelet e saj; praktika e emërimit të qeverive teknike për përgatitjen e zgjedhjeve vjen nga marrëveshja politike e njohur si e Përzhinës e vitit 2015.

Po kështu, zgjedhja e Xhaferit si kryeministër rezultoi nga një marrëveshje politike e arritur katër vjet më parë. Xhaferi është një zyrtar i lartë në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), partinë shqiptare më të madhe të Maqedonisë së Veriut dhe partner i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), në qeverisjen e vendit për dy mandate. Në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme të BDI-së, socialdemokratët në vitin 2020 premtuan se kur të vinte koha për një qeveri  teknike, 100 ditë para zgjedhjeve të ardhshme, ajo do të udhëhiqej nga një shqiptar i ardhur nga radhët e BDI-së.

Nga uniforma ushtarake te kostumi i politikanit

Xhaferi lindi në vitin 1962 në një familje të thjeshtë në Forinë, një fshat pesë kilometra larg qendrës së qytetit multietnik të Gostivarit, në perëndim të vendit. Megjithatë, familia e tij i siguroi mundësinë për ta lënë shtëpinë në moshë të re për t’iu bashkuar Akademisë Ushtarake në Beograd. Pak kohë pas diplomimit, ai siguroi një pozitë si oficer ushtarak dhe kreu disa detyra në nivel të lartë në ish-Jugosllavi.

Kur Maqedonia fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në fillim të viteve 1990, ai u kthye në atdhe për të shërbyer në Ushtrinë e sapo formuar të Republikës së Maqedonisë (IJRM). Megjithatë, në vitin 2001, kur shpërtheu një konflikt i armatosur midis kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë maqedonase, ai ndërroi anë. Xhaferi e braktisi ushtrinë maqedonase dhe u bë një nga komandantët e UÇK-së me pseudonimin “komandant Forina” për shkak të vendlindjes së tij.

Pas përfundimit të konfliktit në gusht të vitit 2001 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, Maqedonia e Veriut lëshoi një amnisti për luftëtarët e UÇK-së. Si rezultat, Xhaferi, si shumë ish-luftëtarë, kaloi në politikë dhe filloi ta përdorte atë si një mënyrë për të siguruar më shumë të drejta për komunitetin e tij. Ai u bashkua me BDI-në e udhëhequr nga ish-bashkëluftëtari i tij, Ali Ahmeti, dhe në vitin 2002 u zgjodh deputet në parlament.

Në vitin 2013, si rezultat i një marrëveshjeje midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së në pushtet, Xhaferi u emërua ministri i parë i Mbrojtjes me prejardhje shqiptare. Kjo lëvizje ngjalli debate, veçanërisht mes veteranëve të ushtrisë, të cilët kujtuan se ai kishte kthyer armët kundër tyre në vitin 2001.

Emërimi i tij shkaktoi madje edhe trazira të vogla në rrugët e Shkupit, kur protestuesit u përplasën me policinë.

Megjithatë, Xhaferi nuk u tërhoq, por e mbajti rolin e tij ministror për një vit, duke thyer një tabu të pamenduar më parë. “Jeta ime është një dëshmi e thënies ‘Ti kurrë nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja’. Duhet të jesh elastik dhe i përgatitur për të kapërcyer sfidat e saj,” tha Xhaferi për BIRN.

Një sfidë e rëndësishme gjatë karrierës së tij politike erdhi në prill 2017.

Në mes të një krize të thellë politike, e cila do të shihte rrëzimin nga pushteti të kryeministrit Nikola Gruevski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE, Xhaferi dhe BDI luajtën një rol kyç kur ndërruan anën, braktisën aleancën e tyre me Gruevskin dhe iu bashkuan frontit të opozitës të udhëhequr nga socialdemokratët.

Zgjedhja e tij e mëvonshme si kryetar i parë shqiptar i parlamentit, atë prill u dëmtua kur mbështetësit e VMRO-DPMNE-së që të vendosur të mos e lejonin atë,  – për shkak se do ti hapte rrugën një qeverie të re të udhëhequr nga Socialdemokratët – sulmuan parlamentin kur ishte në sesion.

Gjatë kaosit që pasoi – për të cilin VMRO-DPMNE dhe kryetari i saj më vonë i shkarkuar, Gruevski, nuk e pranuan kurrë përgjegjësinë – protestuesit rrahën dhe plagosën disa nga ligjvënësit kryesorë të Socialdemokratëve dhe partive etnike shqiptare.

Ngjarja, e shkaktuar nga kriza politike e tensionuar që kishte kapluar vendin, por edhe nga mosbesimi etnik, u konsiderua një nga incidentet më kritike për Maqedoninë e Veriut. Koalicioni i partive, megjithatë, vazhdoi, dhe Xhaferi nuk dha dorëheqje nga pozita e tij deri sa e ndërroi atë të dielën e kaluar për një tjetër më të rëndësishme.

Përgjatë shtatë viteve të tij si kryetar i parlamentit maqedonas, sipas bashkëpunëtorëve të tij, Xhaferi tregoi modesti, balancë dhe disiplinë. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave.

Ai gjithashtu mbajti një profil të ulët personal, duke udhëtuar çdo ditë pune nga fshati i tij Forinë për në Shkup, si dhe duke i kaluar fundjavat në shtëpi, shpesh në kafenetë afër duke luajtur domino me bashkëfshatarët.

Fjalëbutë, por i vendosur, përfaqësimi i tij në nivel të lartë i komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut rezultoi në një arritje të rëndësishme. Në janar 2019, pas hyrjes në fuqi të një ligji që shtrinte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin, Xhaferi filloi të zhvillonte seancat plenare në gjuhën e tij amtare.

Rruga drejt këtij ligji nuk kaloi pa bujë. Kur ligji u hodh në votim, ai u desh të duronte një episod testimi nga shefi i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministri Gruevski. I pakënaqur që mijëra kërkesat e tyre, që synonin të bllokonin procedurën, u lanë mënjanë, ai shkoi pas tavolinës së Xhaferit dhe u përpoq të prishte pajisjet e tij elektronike.

Xhaferi qëndroi i qetë.

Të qëndruarit i qetë pavarësisht mungesës së konsensusit

Pavarësisht përpjekjeve të Xhaferit për ta bërë procesin e zgjedhjes së kabinetit të tij më një proces natyral dhe konsensual, kundërshtimet ishin të dukshme në që ditën e parë të krijimit të qeverisë së tij.

Në votimin e së dielës, qeveria teknike siguroi vetëm 65 vota nga 120 në parlament.

Partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE pranoi të kishte dy ministra dhe tre zevendësministra në qeverinë e re – siç thanë ata, për të mbikëqyrur atë që bënin partitë në pushtet para zgjedhjeve – por nuk votoi realisht për të, edhe pse ishte prezentë në seancën parlamentare. Përfaqësuesit e tyre gjithashtu bojkotuan fotografinë zyrtare të qeverisë në shkallët e parlamentit.

VMRO-DPMNE kurrë nuk tha se kundërshton përkatësinë etnike të Xhaferit. Në fund të fundit, Xhaferi u bë ministër i Mbrojtjes gjatë kohës që ata drejtonin qeverinë bashkë në vitin 2013.

Megjithatë, VMRO-DPMNE e konsideroi të paligjshme që posti i kryeministrit t’i shkonte një partie që ka një numër më të vogël deputetësh se socialdemokratët, si dhe një partie “të lidhur me numrin më të madh të skandaleve korruptive”, sipas ligjvënësit të VMRO-DPMNE, Antonio Milososki.

VMRO-DPMNE ndryshoi retorikën kundrejt Xhaferit pas vitit 2017, duke e akuzuar atë se ishte zgjedhur ilegalisht si kryetar i Kuvendit, edhe pse shumica në parlament qartësisht votoi për të. Me kalimin e viteve ata e kanë akuzuar se me postin e tij, i shërbente vetëm qeverisë dhe interesave të partisë së tij.

Në disa raste që nga humbja e pushtetit në vitin 2017, VMRO-DPMNE ka bllokuar dhe bojkotuar parlamentin, shpesh edhe duke i lënë iniciativat e tyre ligjore pezull dhe duke ia vështirësuar kështu jetën Xhaferit.

Në anën tjetër, partitë shqiptare të bllokut të opozitës gjithashtu nuk morën pjesë në seancën që zgjodhi kryetarin e parë shqiptar të qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Shumë mund të kenë menduar se, pavarësisht nga ndarjet e tyre politike, ky do ishte një simbol i mirëseardhur që ata do ta kishin pritur me kënaqësi.

Xhaferi, megjithatë, nuk e komentoi mungesën e opozitës shqiptare, por u tha gazetarëve pas zgjedhjes së tij se megjithëse përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në qeverinë e re refuzuan të shiheshin në foton zyrtare, ata do të shiheshin duke punuar përkrah tij shumë shpejt.

Kapërcimi i vështirësive dhe mosbesimit duket se ka qenë gjithmonë në qendër të jetës së tij politike.

‘Një fitore për të gjithë qytetarët maqedonas’

Në deklaratën e tij të parë për median pas zgjedhjes si kryeministër, Xhaferi dërgoi të njëjtin mesazh fillimisht në shqip dhe më pas në maqedonisht. Ai u kujdes që t’u komunikonte edhe gazetarëve mesazhin se qeveria e tij do të ishte po aq e hapur sa parlamenti kishte qenë për ta.

Sipas tij, edhe pse do të zgjasë vetëm 100 ditë, qeveria e tij do të kontribuonte në një Maqedoni të Veriut më të hapur dhe demokratike.

“Kjo është një fitore për të gjithë qytetarët maqedonas, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Është gjithashtu një fitore për institucionet e këtij shteti, sepse janë thyer tabutë se kush do të kishte ekskluzivitetin për t’i udhëhequr ato,” tha ai për BIRN.

 

Të fundit