E diel, 19 Maj, 2024

BEOGRAD: MINISTRI I SANKSIONUAR RUS PRITET ME PANKARTËN “KJO ËSHTË SHTËPIA JUAJ”

Ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, i cili është nën sanksionet e Ukrainës dhe të disa vendeve të tjera perëndimore, ndodhet për një vizitë zyrtare në Serbi.  Analisti gjerman Bodo Weber, duke komentuar këtë vizitë, ka thënë për seksionin serb të Radio Evropa e Lirë se regjimi në Beograd vazhdon politikën e “uljes mes dy karrigeve” dhe të manovrimit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, – përcjell kdp.mk.

Në Beograd ai me ministren e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Shëndetësisë të të dyja vendeve, kurse u takua edhe me kryeministren Ana Bërnabiq.

Ashtu siç nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit në Ukrainën fqinje, Serbia nuk ua mbylli derën zyrtarëve nga Moska.

Bodo Weber nga Këshilli joqeveritar për Politikën e Demokratizimit nga Berlini vlerësoi për seksionin serb të Radio Evropa e Lirë se regjimi në Beograd vazhdon politikën e “uljes mes dy karrigeve” dhe të manovrimit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.

“Beogradi po i dërgon mesazh Perëndimit se gjoja ka partnerë në Lindje,” – çmon Weber.

Çfarë u ra dakord në Beograd?

Ministria e Shëndetësisë e Serbisë do të punojë intensivisht për të siguruar që disa çështje organizative nga sistemi rus i kujdesit shëndetësor të zbatohen në Serbi.

Këtë e ka kumtuar ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiq, pas takimit me homologun e saj rus, Mikhail Murashko.

Ajo përmendi se vitet e kaluara në Rusi “është punuar shumë për forcimin e mbrojtjes primare shëndetësore”, duke shtuar se ky është objektiv edhe në Serbi.

Në Institutin për sëmundje kardiovaskulare “Dedinje” në Beograd, delegacioni rus është pritur me mbishkrimin në rusisht “Mirëserdhët vëllezër të dashur, kjo është shtëpia juaj”!

Drejtor i këtij Instituti është Milovan Bojiq, bashkëpunëtor i dikurshëm i ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë Slobodan Milosheviq dhe bashkëshortes së tij Mirjana Markoviq.

Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Brukseli po i bën thirrje asaj që të përafrohet me politikën e tij të jashtme dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Duke komentuar vizitën e ministrit rus të Shëndetësisë në Beograd, analisti gjerman Bodo Weber vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se politika e pushtetit nuk është udhëhequr nga lidhjet apo vlerat tradicionale pansllaviste, por me “mbajtjen e pushtetit”.

Ai shtoi se “politika inkonsekuente perëndimore” u lë hapësirë ​​autoriteteve në Serbi që të vazhdojnë politikën miqësore ndaj Moskës.

“Duke promovuar Rusinë tek votuesit dhe qytetarët e saj, ndërsa në të njëjtën kohë hiqen se qëllimi i tyre është integrimi në BE dhe bashkëpunimi me SHBA-në”, – tha Weber.

Nga Brukseli nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me vizitën e ministrit rus në Serbi. Përgjigje nuk dhanë as ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe as ajo e Ukrainës.

Kush është Mihail Murashko?

Ministri rus i Shëndetësisë Mihail Murashko është nën një sërë sanksionesh ndërkombëtare për shkak të mbështetjes së tij publike për pushtimin rus të Ukrainës. Ai është sanksionuar nga Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Ukraina. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të liderit opozitar rus, Alexei Navalny dhe Fondacionit të tij për Luftën kundër Korrupsionit, Murashko nuk u përfshi në listën e sanksioneve të BE-së dhe as të SHBA-së.

Kush tjetër erdhi në Beograd nga Moska?

Ministri i Shëndetësisë Mihail Murashko nuk është zyrtari i parë rus që vjen në Beograd që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Para tij Serbinë e ka vizituar zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko. Në tetor 2022, Grushko foli me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, Nikola Selakoviq dhe Aleksandar Vulin.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi atëherë se është biseduar për bashkëpunimin dypalësh me theks mbi “forcimin e partneritetit strategjik ruso-serb në kontekstin e krizës globale në rritje”.

“Gjithashtu, është konstatuar orientimi në punën e përbashkët për sigurimin e stabilitetit në Ballkan dhe tejkalimin e pasojave të kursit konfrontues të Perëndimit”, – kishte shtuar ministria ruse.

Për dallim nga Gushkov, shefi i tij Sergej Lavrov pesë muaj më herët nuk arriti të vinte në Beograd. Në fakt, tre shtete fqinje me Serbinë ndaluan fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, me çka qershorin e vitit 2022 u pengua ardhja e tij në Beograd.

Vizita e Lavrov në Serbi atëbotë u pengua nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Në prag të pushtimit rus të Ukrainës, u njoftua se Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev do të zhvillonte një vizitë zyrtare në Serbi.

Kryespiuni i Kremlinit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rusisë  duhej të mbërrinte në Beograd më 28 shkurt, por një ditë më parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se vizita ishte anuluar.

Sanksionet perëndimore, megjithatë, nuk ishin pengesë për autoritetet serbe që në muajin prill të vitit 2023 të prisnin delegacionin tre anëtarësh të deputetëve rusë, megjithëse janë nën sanksione të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të mbështetjes së shkjeljes së tërësisë tokësore të Ukrainës,- rikujton Radio Evropa e Lirë.

Që nga invadimi rus në Ukrainë, Serbia nuk e ka ndërprerë bashkëpunimin e as kontaktet me Moskën.

Një nga lëvizjet që shkaktoi vëmendjen më të madhe ndërkombëtare ishte kur, në shtator 2022, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Rusisë nënshkruan një plan konsultimi për dy vitet e ardhshme. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u kritikua nga Departamenti i Shtetit dhe Bashkimi Evropian.

Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht miqësore me Rusinë, një vend nga i cili thuajse varet tërësisht kur është fjala për furnizimin me gaz.

Gjithashtu merr mbështetje nga Moska në kundërshtimin e saj të anëtarësimit të Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Serbia, në të njëjtën kohë, nën kujdestarinë e BE-së, po zhvillon dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila më 2008 shpalli pavarësinë nga Beogradi./REL/

Të fundit