E martë, 14 Maj, 2024

MEHMETI: KORDINIMET E ELITËS POLITIKE TË MOS DEGRADOHEN NË LUFTË PËR PUSHTET

Njohësi i çështjeve politike, Ibrahim Mehmeti, për KDP.MK, vlerëson se bashkëpunimet dhe koordinimet ndërmjet elitës politike shqiptare në rajon janë të natyrshme, veçanërisht kur është fjala për strategjitë dhe proceset eurointegruese të këtyre shteteve. Megjithatë, ai bën thirrje për shumë kujdes, duke shtuar se është e rëndësishme që qëllimi kryesor të mos humbasë në aktivitete që kanë për qëllim një luftë të hapur për pushtet.

Shkruan: Enis Shaqiri

Nëse e kemi parasysh që partitë shqiptare, në të gjitha shtetet ku kanë aktivitete politike, janë të përcaktuara për integrimet euroatlantike, atëherë bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet tyre është proces i natyrshëm, sepse bëhet fjalë për një strategji që e determinon fatin e këtyre shteteve për një të ardhme afatgjatë. Në të njëjtën kohë, duhet pasur shumë kujdes që ky qëllim madhor të mos degradohet në aktivitet me qëllim të një lufte të zhveshur për pushtet, sepse në atë rast, ky koordinim mund të devijojë dhe të shfrytëzohet nga palët me qëllime të kundërta dhe lufta politike ndërshqiptare të kthehet në instrument për përçarjen e shqiptarëve dhe dëmtimin e procesit eurointegrues”, thotë Mehmeti.

Mehmeti, po ashtu, rikujton se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë përjetuar edhe në të kaluarën shembuj të ngjashëm, dhe rezultati, siç thotë, ka qenë dëmtues për vetë shqiptarët.

Andaj, edhe partitë shqiptare në Maqedoni, e edhe më tepër subjektet politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet të jenë shumë të kujdesshme, sepse ne kemi pasur shembuj të këtillë në të kaluarën dhe rezultatet zakonisht kanë qenë në dëm të vetë shqiptarëve. Shpresoj këso skenarësh të mos përsëriten”, thotë Mehmeti.

Ndryshe, partitë politike duket se janë në kërkim të pozicionimeve dhe të strategjive që pritet të zbatohen, sidomos për zgjedhjet parlamentare.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të enjten ka qëndruar në Tiranë ku është pritur në një takim nga Ministri për Punë të Brendshme, Taulant Balla. Taravari ka qenë i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e ASH-së, Bujare Abazi, ndërsa në takim, siç thuhet, është diskutuar për sfidat e të dyja vendeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh.

Theksova se pas përmbylljes së suksesshme të skriningut, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, tanimë duhet të fillojnë me hapjen formale të negociatave me BE-në. Vendet tona e meritojnë këtë falë sakrificave dhe përkushtimit të deritanishëm në këtë rrugëtim”, ka thënë pas takimit Arben Taravari.

Aleanca për Shqiptarët ka dëshmuar maturi konstante politike në çuarjen përpara të reformave dhe integrimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Taulant Balla pas takimit.

Ministri Balla së fundmi ka takuar edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, paraprakisht edhe ish-kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Takimet e liderit të ASH-së, Arben Taravari, dhe ish-liderit, Ziadin Sela, vijnë në kohën kur Aleanca për Shqiptarët (ASH), është e papërcaktuar se çfarë drejtimi do të marrë në zgjedhjet e ardhshme, presidenciale, dhe parlamentare. Në mungesë të ndërtimit të qëqndrimit, përflitet për një koalicion me BDI-në në të ashtuquajturin Front Evropian, t’i bashkohet frontit opozitar në koalicionin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN), ose që kjo parti të garojë e vetme në zgjedhje.

Javë më parë, Taravari bashkë me krerët e LEN-it opozitar ishin në takim edhe tek kryeministri i Kosovës dhe lider i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Takime në Prishtinë, ka pasur edhe Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Mile Zeçeviq dhe sekretari partiak për bashkëpunim ndërkombëtar, Bojan Mariçiq kanë biseduar me kolegët e tyre Alim Rama, Sekretar i Përgjithshëm i Vetëvendosjes dhe Hajrulla Çeku, sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar.

 

Të fundit