E enjte, 25 Korrik, 2024

DAUTI: SHQIPTARËT KANË TË DREJTË TË KËSHILLOHEN PËR DISA ÇËSHTJE TË PËRBASHKËTA

Gazetari dhe publicisti nga Prishtina Daut Dauti, për kdp.mk vlerëson se lëvizjet e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të domosdoshme. “Duket se vizitat në Prishtinë dhe Tiranë bëhen në mënyrë të këshillmarrjes dhe si të tilla duhet të vlerësohen pozitivisht”, – thotë Dauti.

Shkruan: Enis Shaqiri

Duke folur për lëvizjeve e Prishtinës dhe Tiranës, që ndërlidhen indirekt në pozicionimet dhe koalicionimet e partive politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, që pritet të mbahen së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 8 maj, gazetari dhe publicisti nga Prishtina, Daut Dauti, vlerëson se këto lëvizje duhet të jenë të domosdoshme, pasi, sipas tij, këto ndërveprime ndodhin në mënyrë këshillmarrjeje, dhe si të tilla duhen vlerësuar pozitivisht.

Nëse Prishtina dhe Tirana mund të ofrojnë ndonjë ndihmë, kjo nuk duhet të shihet si përzierje e këtyre dy qendrave në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, siç tentohet të paraqitet në disa raste. Fakti që shqiptarët gjenden të ndarë në tri shtete, kanë të drejtë dhe obligim që të këshillohen mes veti në disa çështje të përbashkëta”, thotë Dauti.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje momentalisht ka shfaqur interesin e saj për largimin e BDI-së nga pushteti në Maqedoninë e Veriut, përmes kandidatëve të saj që janë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

Në Prishtinë ekziston një disponim që shihet se ka interesim për largimin e BDI-së nga pushteti dhe kjo gjë shihet përmes Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka paraqitur kandidatët e saj në kuadër të kualicionit të opozitës shqiptare që doli me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim”.

Ai shton se, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje nuk pati sukses në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut situata ndryshon për shkak të lidhjeve të forta të shqiptarëve të RMV-së, me Kosovën.

Lëvizja Vetëvendosje nuk pati sukses në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Shqipëri, por në Maqedoninë e Veriut gjërat qëndrojnë ndryshe pasi lidhjet e shqiptarëve të këtij vendi me Kosovën janë më të afërta. Prandaj, ka gjasa që LV në këtë rast të shënojë sukses dhe të ndikojë në ndryshimin e klimës politike në mesin e shqiptarëve, dhe si rezultat edhe në arenën politikë të Maqedonisë së Veriut”, përfundon Dauti, duke shtuar se zgjedhjet do të dëshmojnë nëse opinioni, gjegjësisht votuesi shqiptar në Maqedoninë e Veriut është i përgatitur për ndryshim, apo, nëse partitë politike opozitare janë angazhuar mjaftueshëm për bindje të votuesit dhe nëse bashkëpunimi me Prishtinën dhe Tiranën do të tregojë ndonjë efekt.

Brenda kohës partitë politike duket se janë në kërkim të pozicionimeve dhe të strategjive që pritet të zbatohen, sidomos për zgjedhjet parlamentare.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të enjten ka qëndruar në Tiranë ku është pritur në një takim nga Ministri për Punë të Brendshme, Taulant Balla. Taravari ka qenë i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e ASH-së, Bujare Abazi, ndërsa në takim, siç thuhet, është diskutuar për sfidat e të dyja vendeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh.

Theksova se pas përmbylljes së suksesshme të skriningut, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, tanimë duhet të fillojnë me hapjen formale të negociatave me BE-në. Vendet tona e meritojnë këtë falë sakrificave dhe përkushtimit të deritanishëm në këtë rrugëtim”, ka thënë pas takimit Arben Taravari.

Aleanca për Shqiptarët ka dëshmuar maturi konstante politike në çuarjen përpara të reformave dhe integrimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Taulant Balla pas takimit.

Ministri Balla së fundmi ka takuar edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, paraprakisht edhe ish-kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Takimet e liderit të ASH-së, Arben Taravari, dhe ish-liderit, Ziadin Sela, vijnë në kohën kur Aleanca për Shqiptarët (ASH), është e papërcaktuar se çfarë drejtimi do të marrë në zgjedhjet e ardhshme, presidenciale, dhe parlamentare. Në mungesë të ndërtimit të qëqndrimit, përflitet për një koalicion me BDI-në në të ashtuquajturin Front Evropian, t’i bashkohet frontit opozitar në koalicionin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN), ose që kjo parti të garojë e vetme në zgjedhje.

Javë më parë, Taravari bashkë me krerët e LEN-it opozitar ishin në takim edhe tek kryeministri i Kosovës dhe lider i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Takime në Prishtinë, ka pasur edhe Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Mile Zeçeviq dhe sekretari partiak për bashkëpunim ndërkombëtar, Bojan Mariçiq kanë biseduar me kolegët e tyre Alim Rama, Sekretar i Përgjithshëm i Vetëvendosjes dhe Hajrulla Çeku, sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar.

Kumtesa e shkurtër e kësaj partie, nuk jep detaje nëse është biseduar rreth paralajmërimeve të Albin Kurtit, lidhur me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet në RMV, përmes listës së opozitës shqiptare, që për një pjesë të politikanëve interpretohet si përzierje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të vendit.

Në mënyrë të ndërsjellë u theksua angazhimi për bashkëpunim e partive në suazë të Partisë së socialistëve europianë, pasi Vetëvendosja u bë anëtare shoqëruese, por edhe mes të rinjve në politikë. Bashkërisht vërtetuan se vlerat europiane dhe dialogu për të gjitha çështjet, janë shumë të rëndësishme për shtet e të gjithë rajonit”, thonë nga LSDM.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ditë më parë tha se përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, “nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor”, por “mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare, tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Këto komente Osmani i bëri pas takimit në Shkup më 17 janar me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili theksoi “rëndësinë e unifikimit jo vetëm si shqiptarë, por edhe të të gjitha fuqive progresive në rajon për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, që është edhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), tha se “tentime të tilla” ka pasur edhe më herët, ndërsa kujtoi rastin e Blerim Rekës nga Shkupi, të cilin opozita shqiptare e kishte caktuar kandidat për president të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e vitit 2019, në tubimet e të cilit kishte pasur edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo nuk është asgjë e re, pasi përpjekje të tilla për mbështetje direkte ka pasur edhe më parë, siç ishte rasti me një kandidat për president, i cili më pas ishte ministër në Qeverinë e Kosovës. Nga eksponentë të lartë të Kosovës ai mori mbështetje në tubime dhe organizime tjera. Por, kjo tregoi se skena politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është e konsoliduar. Dhe ashtu siç nuk ndikoi atëherë, nuk pres që në ndonjë mënyrë të ndikojë edhe tani”, tha kryediplomati Osmani.

Kujtojmë se Lëvizja e Kurtit, mori pjesë edhe në zgjedhjet në Shqipëri, më 25 prill 2021, por pa arritur ndonjë rezultat për t’u theksuar. Nga 1.66 milionë vota, LVV-ja mori vetëm 3 mijë e 541 vota.

Në Maqedoninë e Veriut, VV-ja nuk është ende e regjistruar zyrtarisht si subjekt politik, megjithatë bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare si Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, dhe Alternativa, pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare të pranverës.

Sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në procesin zgjedhor, mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Në të njëjtën kohë, lejohet që lista zgjedhore të përfshijë emrin e një koalicioni, siç është rasti i Lidhjes Europiane për Ndryshim (LEN), por në brendi, është e detyrueshme të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.

Në listat për deputetë të koalicionit Lëvizja Evropiane për Ndryshim pritet të përfshihet edhe Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qoku më 24 dhjetor në Shkup, në tubimin e opozitës shqiptare, bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shtyllae katërt  e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut.

Historikisht, këtu e tri dekada më parë, ishte Tirana zyrtare e asaj kohe, që shkaktoi tërmet në organizimin politiko-partiak të shqiptarëve në Maqedoni që çoi në (për)çarjen e Partisë së Prosperitetit Demokratik që është partia e pare e regjistruar në federatën e atëhershme jugosllave dhe shënoi vendosjen e shumëpartizmit në Jugosllavi. U desht të kalonin rreth 20 vjet që ish-presidenti Sali Berisha ta pranonte se gjithë ajo që ndodhi ishte – një gabim!

 

Të fundit