E hënë, 29 Prill, 2024

PERIUDHË SFIDASH TË MËDHA DHE TRANSFORMIM EVROPIAN

Bordi i Drejtorëve të FMN-së miratoi dje në Uashington Raportin për Article 4 dhe Raportin për PLL (Kredinë e Likuiditetit dhe Prudence) me konkluzionin se objektivat e programit dhe përballimi i krizave po realizohen me sukses. Kjo lejon qasje në një mbështetje buxhetore shtesë prej 200 milionë eurosh për politikat e konsolidimit fiskal dhe vazhdimin e rimëkëmbjes së suksesshme ekonomike pas pandemisë Covid dhe goditjeve nga kriza energjetike dhe rritjes së çmimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

 

Shkruan: Fatmir Besimi

Përsa i përket ndërtimit të perspektivave të shëndetshme ekonomike dhe përparimit të agjendës sonë evropiane, javën e ardhshme do të zhvillohen dy ngjarje madhore. Njëra do të zhvillohet në Uashington ku presim që Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore të miratojë kornizën pesëvjeçar, Kornizën e Partneritetit të Vendit 2024-2028 për të mbështetur fushat prioritare për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e ekonomisë sonë. Ngjarja tjetër do të jetë në Shkup, ku do të marrin pjesë kryeministra dhe presidentë, së bashku me Ministrat e Financave dhe Ministrat e Integrimit Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të lartë nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë SHBA-të për të diskutuar hapat e ardhshëm për zbatimin e suksesshëm të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Një mundësi e madhe për perspektivën dhe prosperitetin tonë evropian. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme përballë sfidave të mëdha në skenën gjeostrategjike globale, përballë “normales së re” të pasigurive. Ne duhet t’i përdorim të gjitha mundësitë me mençuri dhe të bëjmë pjesën tonë të punës, në kohë!

Mundësitë e humbura bëhen rreziqe të së ardhmes. Vrapuesi që nuk shpejton do të mbetet prapa dhe do ta humbasë garën. Këtë vit, bota dhe ne jemi në udhëkryq, me ç’rast do të përcaktohet rruga e rimëkëmbjes ekonomike pas krizës dhe zhvillimit afatgjatë. Politologët e mirinformuar tregojnë se viti 2024 është viti më i madh zgjedhor, me procese zgjedhore që zhvillohen në mbi 50 vende në mbarë botën, ku jeton gjysma e popullsisë së botës. Si rrjedhojë, ky është viti i zgjedhjeve të reja, por edhe i pasigurisë, me ç’rast bota pret ngadalësim të rritjes krahasuar me vitin paraprak, ulje të mëtejshme të inflacionit dhe lehtësim të politikës monetare të bankave kryesore qendrore.

Në këtë kolumnë dua ta paraqes para publikut tablonë e ndërlikuar të ekonomisë botërore me të gjitha risqet dhe mundësitë, në kuadër të krijimit të së ardhmes me prosperitet për vendin tonë. Do t’i shtjelloj modelet e reja të rritjes, strategjitë dhe planet e duhura për realizimin e tyre, regjistrimin në hartën e investitorëve globalë, si të përfitojmë nga mjedisi aktual dhe si t’i kapërcejmë sfidat e brendshme strukturore. Do të përpiqem të jem gjithëpërfshirës dhe i qartë, për të ofruar një tekst esencial, i cili do të kërkojë ndërgjegjësim kombëtar dhe konsensus të gjerë. Pa konsensus kombëtar për strategji ekonomike afatgjate, që do të sigurojë konsistencë në reforma dhe politika, nuk mund të presim për fat të keq progres më domethënës afatgjatë. Vetëm së bashku dhe me njohuri mund të hapërojmë më shpejt dhe të arrijmë më tej. Natyrisht, në këtë drejtim ka hapësirë të mjaftueshme për një garë idesh dhe zgjidhjesh. Me përkushtim për një strategji të vetme për rritje të qëndrueshme afatgjate, ndryshimet në dhjetë dhe njëzet vitet e ardhshme do të jenë të mëdha. Bëhet fjalë për rritje më të shpejtë të standardit jetësor (rritje e PBB-së për banor prej 70%), ulje më të theksuar të nivelit të varfërisë (prej 6.1% në 0.4% e personave me të ardhura ditore prej 2.15 dollarëve) dhe krijim të një shoqërie moderne evropiane me prosperitet.

Njëkohësisht, me këtë kolumnë e përmbylli ciklin e kolumnave në të cilat kam pasqyruar kronologjikisht sfidat me të cilat jemi përballur si Qeveri dhe personalisht si ministër i Financave, si dhe politikat dhe reformat që kemi zbatuar në periudhën e kaluar. Duke qenë se po hyjmë në periudhën parazgjedhore dhe që kolumnat të mos marrin tiparin e marketingut parazgjedhor, mendoj se ky është momenti i duhur për ta përmbyllur këtë cikël me analiza dhe pikëpamje për çështje të rëndësishme të zhvillimit dhe ekonomisë.

Botë multipolare me sfida multilaterale

Sipas “Raportit global të risqeve 2024” të Forumit Ekonomik Botëror, si risqe kryesore në periudhë afatshkurtër ceken dezinformatat, kushtet ekstreme klimatike, polarizimi social, sulmet kibernetike, konfliktet e armatosura, mungesa e mundësive ekonomike, inflacioni etj., ndërsa në periudhë afatgjate, risqet kryesore janë zhvillimet ekstreme klimatike, ndryshimet kritike në sistemin tokësor, kolapsi i biodiversitetit dhe ekosistemit, mungesa e konsiderueshme në burimet natyrore, dezinformata, si dhe pasojat e mundshme negative nga zbatimi i inteligjencës artificiale (AI).

Raporti, i cili bazohet në pritshmëritë e 1.500 liderëve globalë nga sektori akademik, komuniteti i biznesit, qeveritë dhe shoqëria civile, tregon dozë shqetësimi në periudhë afatshkurtër dhe afatgjate, ku më shumë se gjysma e të anketuarve parashikojnë destabilitet dhe risk të moderuar të fatkeqësive globale. Ndryshimet klimatike, demografike dhe teknologjike, konfliktet në rritje rajonale, rritja e konkurrencës gjeopolitike dhe ndikimi i saj në zinxhirët e furnizimit, tregojnë pika të shumta reflektimi. Liderët botërorë në Davos thanë se, në një botë multipolare me sfida multilaterale nevojitet të “krijohet sërish besimi” dhe të adresohen së bashku sfidat që shtetet dhe rajonet e caktuara nuk do të jenë në gjendje t’i zgjidhin vetë.

Bota ka kaluar më shumë se gjysmën e afatit të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa progresi në shtatëmbëdhjetë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) tregon progres të dobët dhe të pamjaftueshëm për më shumë se 50% të pikësynimeve, ndërsa në 30% të tyre tregon stagnim dhe gjendje regresi. Siç thekson sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “nëse nuk ndërmerren veprime tani, axhenda e vitit 2030 mund të bëhet epitafi i asaj që bota mund të ishte”. Dallimet midis vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara u mprehën që nga pandemia dhe goditjet që pasuan, duke qenë se ekonomitë e zhvilluara mund të përballonin pako më të madhe antikrizë, e cila i ndihmoi të ktheheshin në rritjen para pandemisë, ndërkohë që ishte më e vështirë për vendet në zhvillim.

Gjithashtu, me rigorozitetin e kushteve financiare, normat e interesit për vendet në zhvillim ishin disa herë më të larta se ato për ekonomitë e zhvilluara. Ekonomitë më të brishta nuk patën lehtësim në shlyerjen e borxheve të tyre. Mjetet për financimin e nevojave klimatike ishin nën targetin e vendosur prej 100 miliardë dollarëve në nivel vjetor, ndërsa për përkrahjen e zhvillimit ato u ndanë nën parashikimin prej 0.7 për qind të të ardhurave nacionale bruto. Duke qenë se Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë aspirata të pranuara botërisht për të kapërcyer boshllëqet ekonomike dhe gjeopolitike, mospërmbushja e tyre do të thotë se pabarazia do të vazhdojë të thellohet, ndërsa risqet për një botë gjithnjë e më të fragmentuar do të rriten.

Nevojitet një moment i ri i Bretton Woods, mbi të gjitha, sigurimi i financave të nevojshme për realizimin e objektivave (SDGs), politikat dhe vendimet ekonomike të mençura dhe koherente që do të vënë në plan të parë mirëqenien e njerëzimit dhe planetit dhe riorientim drejt nivelit të ulët të emetimeve të karbonit, si dhe rritje rezistente, të qëndrueshme dhe inkluzive. Prioritetet për uljen e varfërisë dhe uljen e pabarazisë përmes mbrojtjes sociale dhe krijimit të vendeve të reja të punës, tejkalimit të sfidave në procesin arsimor, barazisë gjinore dhe përmirësimit të inkluzionit dixhital vijojnë më tej. Këto reforma duhet të përkrahen nga institucionet e përforcuara, avancimi i përmirësuar, korniza rregullatore efektive dhe infrastruktura dhe kapacitetet dixhitale më të fuqishme.

Transformimi i gjelbër

Fokusi kryesor i diskutimeve në Davos ishin sfidat klimatike dhe inteligjenca artificiale. Ato janë burimi kryesor i risqeve, por edhe mundësive të së ardhmes.

Viti i kaluar 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar, me temperatura mesatarisht 2°C më të larta se nivelet paraindustriale. Sipas Raportit të Risqeve Globale të FEB-it 2024, ndryshimi klimatik është përgjegjës për gjysmën e risqeve të mundshme ekonomike. Në gjysmë shekullin e kaluar, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kriza klimatike ka shkaktuar dëme ekonomike në vlerë prej 4.3 trilion dollarëve, si dhe shkatërrim të ekosistemeve natyrore. Gjendja vetëm mund të përkeqësohet, duke pasur parasysh se ndryshimi klimatik ndikon në burimet jetike për mbijetesën e njeriut – ujin dhe ushqimin.

Nevojitet strategji afatgjate për klimën, natyrën dhe energjinë, veprim sistematik afatgjatë, siç theksohet nga liderët në Davos, drejt përmbushjes së targeteve për një botë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050, me qasje inkluzive në energji, ushqim dhe ujë për gjithë njerëzimin. Tranzicioni i gjelbër ka potencial që të jetë mundësi për shumë biznese dhe ekonomi, mundësi për investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Investimet në energjinë e ripërtëritshme (energji diellore, hidro dhe të erës) mund të rezultojnë në instalimin e infrastrukturës energjetike krejtësisht të re, hapjen e tregjeve dhe vendeve të reja të punës, mundësi të reja. Efikasiteti energjetik do të ndikojë në uljen e kostove të prodhimit, duke ruajtur kështu norma të ulëta inflacioni. Mundësi të tjera ekonomike janë bujqësia e qëndrueshme, financat e gjelbra, ekoturizmi, shërbimet që lidhen me përshtatjen klimatike (menaxhimi i burimeve ujore, rezistenca e infrastrukturës, etj.) dhe shërbimet konsultative në lidhje me tranzicionin e gjelbër. Me harmonizimin e veprimeve klimatike, bizneset jo vetëm që kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme, por mund të përparojnë në peizazh ekonomik të ndryshueshëm, të nxitur nga ndërgjegjësimi ekologjik dhe ndryshimet rregullatore.

Transformimi dixhital

Transformimi dixhital për nga natyra e tij paraqet mundësi për rritjen e produktivitetit, përmirësimin e proceseve, përshpejtimin e rritjes ekonomike, por gjithashtu mund të jetë edhe shkaku i thellimit të pabarazisë dhe rritjes së shkallës së varfërisë në botë. Revolucioni i katërt industrial (Industria 4.0), që konsiston në integrimin e teknologjive të avancuara, si inteligjenca artificiale dhe biologjia sintetike (Mustafa Sulejman, 2023), tashmë kontribuojnë në rritjen e produktivitetit në industri të ndryshme, përshpejtimin e proceseve dhe uljen e kostove operative. Lidhja e përmirësuar gjithashtu optimizon zinxhirët e furnizimit drejt një ekosistemi ekonomik më të përgjegjshëm dhe më të denjë.

Qasja në bazat e të dhënave të mëdha (big data) për proceset analitike dhe marrjen e vendimeve të informuara tashmë përmirëson alokimin e burimeve dhe planifikimin strategjik. Robotika dhe automatizimi kanë nxitur proceset e prodhimit, por gjithashtu kanë hapur mundësi të reja në shëndetësi dhe logjistikë. Inteligjenca artificiale gjeneruese shënon përparim jashtëzakonisht të shpejtë, ndërsa efektet e pritshme janë ende duke u diskutuar. Sigurisht që do të ketë implikime pozitive, por për t’i parandaluar abuzimet është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo fushë të rregullohet në nivel ndërkombëtar në aspektin e zbatimit dhe zhvillimit.

Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, ajo që është theksuar së fundmi nga kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Një studim i FMN-së tregon për ndikimin e mundshëm negativ të inteligjencës artificiale në tregun global të punës. Edhe pse inteligjenca artificiale do të rrisë produktivitetin, do të ndikojë në 40% të punëtorëve në botë në vendet e tyre të punës. Prandaj, nevojitet politikë dhe strategji e balancuar me kujdes për ta shfrytëzuar me mençuri potencialin teknologjik. Zhvillimi spektakolar teknologjik rrit kontributin e produktivitetit të përgjithshëm të faktorëve, një nga determinuesit më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik. Për këto arsye, do të konsultojmë teorinë ekonomike shumë shkurt, përpara se të nxjerrim konkluzione për të ardhmen.

Modelet ekonomike për rritje të qëndrueshme ekonomike

Teoria ekonomike identifikon qasje të shumta për ta garantuar rritjen ekonomike duke përfshirë politika për qëndrueshmëri sociale dhe ekonomike, të tilla si përgjegjësia ekologjike, mbrojtja sociale dhe qëndrueshmëria afatgjate.

Një nga modelet më të njohura është ekonomia qarkore, e cila bazohet në shfrytëzimin e sërishëm të burimeve tashmë të shfrytëzuara, duke projektuar produkte për ridestinimin dhe rishfrytëzimin e tyre. Një shembull tjetër është ekonomia rigjeneruese, e cila fokusohet në ripërtëritjen e ekosistemeve dhe përmirësimin e kapitalit natyror. “Ekonomia e Doughnut-it” është një koncept interesant i ekonomistes dhe profesoreshës së Oksfordit, Kate Raworth, modeli i së cilës supozon balancimin e nevojave njerëzore pa tejkaluar limitet ekologjike. Ekonomia sociale dhe solidare propozon modele të ndërmarrjeve sociale, të cilat do t’i adresojnë njëkohësisht çështjet sociale dhe ekologjike përmes aktiviteteve të tyre ekonomike.

Kapitalizmi natyror paraqet shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve duke vlerësuar kapitalin natyror dhe njerëzor dhe propozon inkorporimin e kostove ekologjike dhe sociale në kontabilitetin e kostos për inkurajimin e praktikave të përgjegjshme nga kompanitë. Formimi i korporatave B është një model tjetër që kërkon përmbushjen e standardeve strikte sociale dhe ekologjike nga kompanitë, duke marrë parasysh ndikimin e aktiviteteve të tyre në numrin më të madh të palëve të tyre të involvuara. Lokalizmi dhe decentralizimi i referohen fokusimit në prodhimin dhe konsumin vendor, për të reduktuar emetimet e karbonit në lidhje me transportin e mallrave dhe rritjen e rezistencës së komunitetit lokal. Rritja e gjelbër është modeli që promovon investimet në teknologjitë e gjelbra, energjinë e ripërtëritshme dhe praktikat ekomiqësore, si nxitës i rritjes ekonomike dhe minimizimit të ndikimit ekologjik.

Shumë nga këto modele bashkëkohore ose të njohura përkojnë dhe mund të përshtaten në kontekste specifike rajonale ose sektoriale. Megjithatë, jo të gjitha bazohen në sinergjinë e qeverive, sektorit të biznesit dhe komuniteteve lokale për ekonomi më të balancuar dhe më rezistente.

Rruga e “mrekullive ekonomike” të ditëve të sotme

Do t’i referohem një kërkimi që kam bërë mbi ekonomitë që u bënë “mrekullitë ekonomike” të ditëve të sotme. Bëhet fjalë për 15 ekonomi, të cilat patën rikuperim të jashtëzakonshëm nga ndryshimet e mëdha, ose rritje të jashtëzakonshme në vetëm disa dekada. Analiza krahasuese është kryer në Gjermani, Irlandë, Holandë, Spanjë, Turqi, Izrael, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kong, Tajvan, Singapor, Korenë e Jugut, Japoni, Kinë dhe Indi. Secila prej këtyre ekonomive filloi nga rrethanat negative, për shembull ekonomia gjermane, spanjolle dhe japoneze u shkatërruan në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, Irlanda ishte ekonomia më e varfër në Evropë për dy shekuj, Turqia, Izraeli, Katari, Hong Kongu, Tajvani dhe Koreja e Jugut filloi të zhvillohet në vitet e 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar, ekonomia e Singaporit u shkatërrua pas shpalljes së pavarësisë nga Malajzia, India filloi rrugën e saj të zhvillimit pothuajse në vitet e 90-ta.

Çfarë kanë të përbashkët të gjitha këto ekonomi? Cilët ishin faktorët e transformimit të tyre? Kapitali njerëzor, politika e qëndrueshme makroekonomike, investimet e huaja direkte, inovacioni dhe konkurrenca janë faktorët më të zakonshëm, ose denominatori më i ulët i përbashkët i performancës së këtyre ekonomive. Natyrisht, secila prej këtyre ekonomive është e ndryshme në përmasa dhe strukturë, kështu që në zhvillimin e secilës prej tyre kanë rol edhe faktorë të tjerë, por ato që ceken më sipër vlejnë për të gjitha.

Si të arrihet rritje mesatare prej 5% në dy dekadat e ardhshme?

Kur flasim për ekonominë vendase, si ekonomi tregu relativisht e re në zhvillim, besoj se faktorët e mësipërm do të kontribuojnë në përshpejtimin e rritjes, si dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë së saj. Më saktësisht, e kam fjalën për investimet në kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e politikave demografike të qëndrueshmërisë, politikën e qëndrueshme fiskale, rritjen e vazhdueshme të investimeve publike në fushat prioritare dhe zhvillimin e infrastrukturës, përkrahjen e shtetit për zhvillimin e konkurrencës së sektorit privat, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave administrative për zhvillimin e biznesit, krijimin e partneriteteve, pozicionimin në hartat e investitorëve nëpërmjet zhvillimit të politikave të përgjegjshme dhe klimës së favorshme të investimeve, nëpërmjet shfrytëzimit të përfitimeve të procesit eurointegrues, përkrahjes së zhvillimit të balancuar ekonomik rajonal dhe lokal, si dhe transformimit të gjelbër dhe dixhital.

Rritja vjetore gjatë dy dekadave të fundit ishte mesatarisht rreth 2.5% e PBB-së. Sipas skenarëve për rritjen e ekonomisë në njëzet vitet e ardhshme projektohet rritje mesatare vjetore reale e PBB-së prej 2.6%. Por, mund ta dyfishojmë këtë rritje pothuajse në 5% për konvergjencë më të shpejtë me ekonominë evropiane, duke vepruar sipas fushave të mëposhtme, të cilat janë pjesë e Strategjisë nacionale të zhvillimit: 1. Ekonomia e qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, 2. Zhvillimi i qëndrueshëm lokal dhe rajonal, i cili siguron kohezionin, 3. Rivitalizimi demografik dhe zhvillimi social dhe kulturor, 4. Sundimi i ligjit dhe mirëqeverisja, 5. Shoqëria e sigurt dhe rezistente dhe 6. Transformimi i gjelbër dhe dixhital.

Zbatimi i Strategjisë nacionale të zhvillimit presupozon zbatimin e disa strategjive dhe programeve sektoriale me plane aksionale sipas fushave dhe prioriteteve të rishikuara dhe të përgatitura në dy vitet e fundit: Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor, Strategjia e specializimit të zgjuar, Strategjia e promovimit të eksportit, Strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm, Strategjia e zhvillimit të energjetikës, Strategjia e dixhitalizimit dhe sigurisë kibernetike, Strategjia e zhvillimit lokal dhe rajonal, Strategjia e menaxhimit të financave publike, Strategjia e formalizimit të ekonominë joformale, si dhe strategjitë në fushën e zhvillimit të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, strategjitë në fushën e mbrojtjes sociale, shëndetësisë, arsimit, kulturës, turizmit, përkrahjes së të rinjve dhe sportit, sigurisë dhe mbrojtjes.

Para së gjithash, burimi më i vlefshëm që kemi dhe në zhvillimin e të cilit duhet të investojmë është kapitali njerëzor. Sipas indeksit të kapitalit njerëzor të Bankës Botërore, fëmijët tanë shfrytëzojnë vetëm gjysmën e potencialit të tyre kur arrijnë moshën e aftësisë për punë, respektivisht 25-30% më pak se fëmijët që jetojnë në vendet e zhvilluara. Edhe pse gjatë viteve të fundit vërejmë përmirësim në bazë të këtij indeksi, nuk mjafton. Është thelbësore që të vazhdohet me zbatimin e Strategjisë së zhvillimit të kapitalit njerëzor, pasi këto nuk janë politika afatshkurtra dhe kërkojnë vullnet politik shumëvjeçar, përkushtim dhe konsistencë për arritjen e rezultateve të duhura. Me zhvillimin e kapitalit njerëzor vijon edhe specializimi i zgjuar për krijimin dhe ristrukturimin e kuadrove që do t’i përgjigjen nevojave të ekonomisë, respektivisht tregut të punës. Mbajtja e kuadrove në vend është një tjetër hallkë e zinxhirit, nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira jetësore, madje edhe më tej tërheqjen e kuadrove profesionistë nga vendet e tjera (nomadët globalë) apo të ashtuquajturën tërheqje të intelektit („brain gain“). Përkrahja e produktivitetit të faktorit të zhvillimit mund të përforcohet përmes dixhitalizimit, respektivisht shfrytëzimit të zgjuar të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë për përmirësimin e proceseve.

Faktori i dytë që duhet të veprojmë është kapitali, respektivisht investimet. Një nga pyetjet kryesore është se si të pozicionohemi më mirë në hartat e investitorëve të huaj. Përgjigja për këtë pyetje qëndron në politikat e përkrahjes së investimeve (transparente, me përfitime tatimore dhe procedura të thjeshtësuara), sundimit të ligjit, zhvillimit të infrastrukturës, investimit në kapitalin njerëzor dhe sigurimit të kuadrove profesionale, mjedisit politik stabil, qasjes në tregje, marrëveshjet tregtare, investimit në zonat ekonomike dhe lidhjes globale. Po aq i rëndësishëm është stimulimi i investimeve vendase, nxitja e sipërmarrësisë dhe inovacionit, veçanërisht në teknologjitë e reja që zakonisht sjellin vlerë të shtuar shumë më të lartë. Në kuadër të zhvillimit të faktorit të dytë të prodhimit, financave, do ta veçoj Planin e përshpejtimit të rritjes, i cili nëpërmjet zgjidhjeve inovative orientohet drejt multiplifikimit të kapitalit publik dhe privat dhe vendosjes së tij në funksion të zhvillimit.

Siç e vërejtëm edhe më herët nga konteksti global, fokusi në të ardhmen do të jetë tek inovacioni, sipërmarrësia, gjetja e zgjidhjeve të reja ndaj risqeve që do të akumulohen në periudhë afatgjate. Shfrytëzimi i mençur i zbulimeve teknologjike dhe ruajtja e planetit do të jenë fokusi i liderëve globalë. Por, ato gjithashtu mund të sjellin përfitime edhe për ekonominë tonë, duke nxitur kulturë lidhjeje, duke krijuar partneritete dhe duke përkrahur inovacionin.

Faktori i tretë, i fundit dhe jo më pak i rëndësishëm është qëndrueshmëria, si e mjedisit natyror, ashtu edhe e politikave. Zhvillimi i politikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme të bazuara në dëshmi ka rëndësi esenciale për zhvillimin ekonomik

Transformimi ynë evropian

Çfarë lloj ekonomie dëshirojnë të shohin shumica prej nesh në vitin 2030? Mbi të gjitha dëshirojmë ta shohim vendin si anëtar të Bashkimit Evropian, si anëtar të barabartë, duke gëzuar të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë, ku PBB-ja për banor deri atëherë të variojë afërsisht në 12 mijë euro dhe shkalla e papunësisë të bjerë rreth 6%. Optimizimi dhe dixhitalizimi i sektorit publik, do të jetë shërbim real për qytetarët dhe ekonominë. Ekonomi konkurruese, inovative, rezistente, e orientuar drejt eksportit, e rrjetëzuar në zinxhirët e vlerës globale dhe evropiane.

Besoj se duke zbatuar reforma të bazuara në strategji të përcaktuara në mënyrë të duhur, do të kemi sukses që ta sjellim “Evropën në shtëpi”, para se të bëhemi vend anëtar me të drejta të plota. Evropa na ofroi mundësinë, neve na takon ta shfrytëzojmë atë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit