E martë, 14 Maj, 2024

LAJÇAK: S’ËSHTË KOHA PËR TA HAPUR URËN E IBRIT

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë të premten se nuk është koha për të hapur për qarkullim Urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën me pjesën veriore të Kosovës.

Në kuadër të Forumit të Delphit në Greqi, të premten, Lajçaku ka komentuar vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për ta hapur për qarkullim këtë urë. Sipas tij, aktualisht s’është koha e duhur.

Ai ka thënë se në vazhdimësi vitin e shkuar, Bashkimi Evropian është marrë me “menaxhim krizash”. Ka thënë se palët kanë bërë veprime të njëanshme. Sipas tij, këto kanë çuar në kriza dhe këtu ka përmendur edhe çështjen e urës.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit ka qenë propozim për ta ndryshuar dinamikën e procesit. “Kemi një rrugë drejt normalizimit dhe fokusi duhet të jetë implementimi”.

Të fundit