E shtunë, 27 Prill, 2024

PLANI I PERSPEKTIVËS EUROPIANE

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe si një moment i ri paqe në gjithë rajonin. Analistët politikë kanë theksuar se Plani europian për herë të parë ka bërë bashkë të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë ato pesë që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas tyre, pas Planit europan janë rreshtuar fuqishëm edhe SHBA-ja dhe Britania e Madhe, prandaj me këtë plan Kosova përfiton perspektivën europiane dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Çështja më e nxehtë në rajon, raporti Kosovë-Serbi, i bëri bashkë në Ohër burrështetasit më të rëndësishëm të botës politike, për të bindur liderët e Kosovës dhe Serbisë për ta nënshkruar aneksin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por megjiatë ky takim u mbyll pa nëshkrim.

Pas këtij takimi mbrëmë dolën me konferenca për shtyp veç e veç përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiç. Megjithëse ishin me qëndrime të ndara sa i përket i epilogut të takimit, ata me një pikë u pajtuan se menjëherë duhet të themelohet bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borell tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi diskutuar për 12 orë dhe jam i gëzuar të ju njoftoj që më në fund ne kemi një marrëveshje që si do të bëhet. Mund të ju njoftoj se Kosova dhe Serbia janë dakorduar në zbatimin e aneksit të marëveshjes në rrugën e normalizimit të marëdhënieve mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi, palët janë përkushtuar për të ndërruar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar të gjitha obligimet.

Ky rezultat vjen pas negociatave të vështira, nuk mund ta fsheh”, u shpreh Borell.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh se kanë arritur pajtim publik për një aneks që do të sigurojë zbatimin e marrëveshjes bazë.

“Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të siguroj zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njëjtë sikurse në takimin në Bruksel më 27 shkurt, po ik nënshkrimit të marrëveshjes tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjej mekanizëm ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme” u shpreh kryeministri Kurti.

Në ndërkohë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiç tha se janë pajtuar për diçka, por jo për gjithçka.

“Sot ka qenë ditë në të cilën është dashur të bisedojmë për planin implementues. Diçka jemi dakorduar. Këto pika për të cilat jemi dakorduar do të bëhen pjesë e kornizës së bisedimeve. Këshilli i Europës do të vlerësojë zbatimin e planit. Ky plan do të zgjerohet edhe pse mua nuk do të më pengonte të mbetej kështu siç është. Formimi i Asociacionit është arritja më e madhe që është bërë për dakordimin brenda këtij takimi”, tha presidenti Vuqiç.

Këtë takim e kanë komentuar edhe analistët politik nga Maqedonia e Veriut për portalin “Front Online”. Ata njëzëri thonë se nëse Kosova e pranon këtë plan do të i hapet rruga euro-integruese dhe anëtarësimi nëpër organizata ndërkombëtare.

Analisti politik Xhelal Neziri për të njëjtin portal thotë se është plani i vetëm që e ka bërë bashkë të gjithë perëndimin.

“Është një plan që për herë të parë ka bërë bashkë të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë ato pesë që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pas Planit janë rreshtuar fuqishëm edhe SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Dhe dihet se kur perëndimi bëhet bashkë rreth një dokumenti, ai ofrohet në stilin ‘mere ose leje’. Kosova fiton shumë” u shpreh analisti Neziri për portalin “Front Online”.

Në një vijë është edhe analisti Seladin Xhezairi i cili thotë se më këtë plan Kosova përfiton perspektivën europiane dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Përftimi i Kosovës do të ishte perspektiva më e kapshme e integrimit euro-atlantik.Rikujtoj se këtë e tha ma açik ambasadori amerikan në Prishtinë kur përmendi aderimin në NATO, ndërkohë që edhe BE-ja nuk do të ishte larg”, u shpreh analisti Xhezairi për portalin “Front Online”.

Përndryshe mbrëmë publikoi në faqen zyrtare të BE-së aneksit të marrëveshjes bazë. Të shtunën në Ohër u zhvillua takimi i radhës në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetëauar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHB-ja, pas dakordimit në parim të marrëveshjes bazë në Bruksel më 27 shkurt, dje u diskutua dhe u pranua edhe aneksi.

Delegacioni i Kosovës dhe ai Serbisë së pari zhvilluan takime dypalëshe me ndërmjetësuesin europian, e më pastaj kishin takim trilateral midis palëve që zgjati rreth 7 orë, me dy pauza të gjata në mes.

Aty kishte interesim të madh të mediave të rajonit dhe shumë prej mediave kishin edicione live, por poashtu kishte edhe terr informativ nga takimi, pasi brenda takimit kishte shumë pak dalje të informatave.

Të fundit