E premte, 29 Mars, 2024

NJË MARRËVESHJE E VËSHTIRË, PËR NJË EPOKË TË RE TË PAQES

Borell: “Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”.

Escobar: “Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”

Kurti: “Marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”

Vuçiq: “Njëfarë marrëveshjeje është arritur. Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”

Borrell: Kemi marrëveshje

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se pas 12 orësh bisedime, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për propozimin evropian.

“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”, tha ai, duke iu referuar propozimit evropian që palët e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.

Borrell, pas takimit në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha e palët u pajtuan që të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së 27 shkurtit.

“Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.

Ky nen është parë si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani ka refuzuar që ta themelojë.

Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.

Pas rundit të dialogut të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit, ai tha se arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.

“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha ai.

Kur u pyet se pse liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruan marrëveshjen, Escobar tha i beson mekanizmit të Bashkimit Evropian për zbatimin e aneksit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U jam falënderues partnerëve tanë evropianë që na sollën në këtë pikë dhe jam mirënjohës edhe ndaj dy liderëve që kishin guximin politik për të arritur atë që arritën sonte”, tha Escobar.

Kurti: Kjo marrëveshje është njohje de facto
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është “njohje de facto” por shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i ik nënshkrimit të marrëveshjes.

Kurti tha se i takon Bashkimit Evropian që ta gjejë mekanizmin që ta bëjë këtë marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Pra, kjo është njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Pas rundit të bisedimeve, Kurti tha se pajtimi publik është arritur për aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar [takimi në Bruksel më 27 shkurt] po i ik nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Kurti.

I pyetur rreth deklarimit të shefit të lartë të BE-së, Josep Borrell, se pajtimi i sotëm e parasheh nisjen e shpejt të procesit të krijimit të një mekanizmit të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Kurti, nuk mohoi një gjë të tillë, por tha se kjo do të bëhet duke u bazuar në standardet më të larta.

“Nuk është vetëqeverisje, është vetëmenaxhim”, tha kryeministri Kurti kur iu përgjigj pyetjes nëse do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, shtoi ai.

Kurti tha se kjo marrëveshje e arritur në Ohër, “është më e mira e mundshme në këto rrethana për Kosovën, për raportet e Kosovës me Serbinë.

Ai tha se aneksi do të publikohet nga Bashkimi Evropian.

“Unë mendoj që është platformë solide për të ecur përpara, e andaj është e pranueshme për ne”, tha Kurti.

Vuçiq: Arritëm një lloj marrëveshjeje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”. “Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.

“Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit, tha ai.

 

Të fundit