E diel, 5 Maj, 2024

PËR “GJËRAT E VOGLA” PËRTEJ POLITIKËS

Për këtë gjendje fajtori më i madh nuk janë institucionet. Është shoqëria civile që nuk ka bërë sa duhet dhe media që u ka dhënë hapësirë artistëve që promovojnë krimin si trend dhe kriminelin si “cool”. Çka duhet bërë?

Shkruan: Xhelal Neziri  

Nuk është keq të flitet për politikën, e aq më pak të tregohet interes për atë. Politika është një proces që formëson opinionin publik, legjitimon ide dhe zbaton projekte. Platoni thotë se “një nga ndëshkimet e refuzimit për pjesëmarrje në politikë është se përfundon i qeverisur nga të paditurit”. Perikleu thotë se “fakti se nuk të intereson politika nuk do të thotë se politika s’ka interes për ty”.

Interesimi për politikën dhe pjesëmarrja në politikë do të thotë interesim apo pjesëmarrje në ndryshimin e gjërave që keqfunksionojnë, përmirësimin e cilësisë në arsim, shëndetësi, bujqësi, siguri…dhe, para se gjithash, është pjesëmarrje në përcaktimin e së ardhmes kolektive. Ai që nuk është i interesuar për politikën, nuk është i interesuar as për të tashmen e as për të ardhmen. Këtë, në fakt, e dëshirojnë partitë politikë. Sa më pak interes për politikën, aq më rehat për ato.

Megjithatë, ka disa gjëra tjera që shkojnë përtej politikës. Janë dukuri që nuk bëhen temë trajtimi në sferën publike, ku bën pjesë edhe politika. Janë shumë poshtë në atë që quhet agjendë publike, apo listë e temave me prioritet për një shoqëri. Ka disa tema “të vogla” që assesi të marrin trajtimin e duhur, njëjtë si “temat e mëdha”.

Një nga ato është shpërndarja masive e drogës nëpër shkolla të mesme dhe universitete. Ka informacione se dilerët kanë filluar të “zgjerojnë tregun” edhe në shkollar fillore. Mediat rrallë raportojnë për humbjen e vetëdijes së nxënësve në klasë shkaku i mbidozimit. Një dukuri vërtetë shqetësuese që kërkon një angazhim më të gjerë, jo vetëm politik apo institucional. Statistikat janë të frikshme: çdo vit për 20 për qind rritet numri i përdoruesve të mjeteve narkotike. Vetëm në Tetovë dhe komunat përreth zyrtarisht janë të regjistruar afër 500 përdorues droge, por numri real i tyre është diku mbi 4000. Edhe në qytetet tjera kemi të njëjtën gjendje.

Kjo flet për një rritje të kërkesës në treg, gjë që e shndërron Maqedoninë e Veriut nga vend transit në destinacion. Kur ka rritje të kërkesës, ka edhe rritje të ofertës. Rritja e ofertës sjell operimin e grupe të ndryshme kriminale. Këto grupe rrënojnë çdo set vlerash në një shoqëri pasi promovojnë si të dëshiruar modelin e kriminelit, të njeriut që “pasurohet shpejtë”, dhe e rrënon kultin e njeriut të arsimuar dhe të moralshëm. Vetëm dëgjoni pjesën më të madhe të këngëve që prodhohen në zhanret moderne dhe do ta kuptoni se çka promovohet si “rule model”. “Kokaina”, “kriminel”, “pare të shpejta”…janë fjalë që më së shumti mund t’i hasësh në ato këngë-hite te të rinjtë.

Për këtë gjendje fajtori më i madh nuk janë institucionet. Është shoqëria civile që nuk ka bërë sa duhet dhe media që u ka dhënë hapësirë artistëve që promovojnë krimin si trend dhe kriminelin si “cool”.

Çka duhet bërë? Kërkohet vërtetë një angazhim dhe bashkëpunim më të madh në relacionin institucione-media-shoqëri civile-universitete. Nuk guxojmë që të rinjtë të ndjekin modelin e kriminelit dhe përdoruesit të mjeteve narkotike me qëllim që të duken “cool”. Nevojitet promovimi i një modeli tjetër që duhet ndjekur, ku “cool” do të ishte njeriu i dijes, i suksesshëm, i shkencës, por edhe punëtori i ndershëm, zanatçiu i mirë, bujku i zellshëm, elektricisti i shkathtë…Këto projekte nuk duhet nisur nesër, as sot, por dje.

Të fundit