E enjte, 25 Prill, 2024

BORIS VARGA, POLITOLOG NGA SERBIA: UKRAINASIT DHE SHQIPTARËT KANË NJË ARMIK TË PËRBASHKËT

“Nacionalistët serbë po festojnë për të dytën herë fitoren e tyre në BeH, duke ia dalë mbanë të vendosin diskursin dominues për domosdoshmërinë e shpërbërjes së këtij shteti, ekzistenca e të cilit dhe Paqja e Dejtonit janë ekskluzivisht sukses politik i Perëndimit dhe i SHBA-së. Është e kuptueshme që Kosova po ndjek hapat secesionistë në BeH dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave Serbe. Perëndimi duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Srpska të re dhe nuk do ta ndajë Kosovën. Ngjarjet e luftës në Ukrainë mund të ndikojnë dhe të përhapen në të gjithë këtë zonë të paqëndrueshme të tranzicionit nga Beogradi deri në Tbilisi… Paradoksi i kësaj lufte është se populli i Ukrainës dhe i Kosovës bashkëndjejnë njëri-tjetrin, me viktimat e luftës, deportimet dhe terrorin nëpër të cilin kaluan..”, thotë Boris Varga, politolog dhe gazetar nga Novi Sadi i Serbisë.

Intervistoi: Seladin Xhezairi 

KDP: Cila është situata në terren në Ukrainë?

BORIS VARGA: Pala ukrainase po përgatitet të çlirojë territoret e saj të mbetura të pushtuara nga rusët. Rusia, po ashtu, po përgatitet për një ofensivë të re. Bahmuti është gjoja fillimi i etapës së dytë të luftës dhe këtu  tani janë të fokusuara të dyja palët. Faktor kyç është koha, sepse Kievit i duhen të mbërrijnë armët e premtuara nga Perëndimi dhe që të trajnohen kuadrot për përdorimin e tyre, kurse Rusisë i duhet kohë për të aftësuar ushtarët e mobilizuar vitin e kaluar dhe për të rinovuar municionet. Betejat deri në verë do të jenë vendimtare për epilogun e luftës. Ukrainasit si avantazh kanë armët moderne dhe moralin e mbrojtjes së atdheut, ndërsa rusët kanë armë të vjetruara, por të rrezikshme në sasi, si dhe njerëz për sulm, “mish për top”. Putini po shkon drejt taktikës ushtarake të tokës së djegur, rraskapitjes së Ukrainës dhe lodhjes së Perëndimit. Ukraina ka shpirt luftarak, do të “mashtrojë Goliathin”, pritet që Perëndimi të mbizotërojë në diplomaci dhe që ndërkohë sanksionet ekonomike t’i japin goditje Rusisë.

KDP: Jehona e luftës në Ukrainë shkaktoi trazira në Gjeorgjinë fqinje, pati protesta në Moldavi. Ballkani, nga fillimi i agresionit është quajtur “fronti i dytë rus”. Si e komentoni një qëndrim të tillë?

BORIS VARGA: Rusia vazhdimisht po përpiqet të përçajë ose destabilizojë atë që e quajmë zonë e interesit të Perëndimit, pra Bashkimin Evropian. Dhe nuk është fjala vetëm për ish-republikat sovjetike të cilave Brukseli u ofroi vitin e kaluar statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në BE, si Ukraina, Moldavia dhe në mënyrë shumë kushtëzuar Gjeorgjia, por edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor ku janë të pranishme krizat politike dhe jostabiliteti, si Serbia, Mali i Zi, BeH, Kosova, madje edhe Maqedonia e Veriut.

Këto ditë pamë protesta dhe konflikte me policinë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, për shkak të ligjit që e kthen këtë republikë kaukaziane nga rruga evropiane në “rrugën ruse”, autoritare. Një ligj të ngjashëm po përpiqet të miratojë edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Në rastin e Gjeorgjisë, kjo është vetëm pika që mbushi gotën, ku qeveria e shtetit që pretendon të anëtarësohet në BE dhe NATO po sillet me përmbajtje kur është fjala për agresionin kundër Ukrainës. Moldavia është në shënjestër të Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe është pjesë e planit më të gjerë pushtues rus drejt Transnistrisë.

Kandidatët në tranzicion në BE dhe anëtarët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor kanë qenë prej vitesh objektivi i subverzioneve ruse. Rusia vepron në këtë drejtim përmes Beogradit, më së shumti përmes strukturave (para)shtetërore, politikanëve dhe kishës ortodokse, ndërsa  prej vitesh janë cak Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe për këtë arsye është më e mbrojtur se të tjerët, por ende është e ekspozuar ndaj rrezikut të destabilizimit për shkak të çështjes së identitetit. Çështja e identitetit dhe sovranitetit  sërish është në fokus të ngjarjeve politike në Mal të Zi.

Edhe pse NATO është një garanci e sigurisë ushtarake për Podgoricën, e pamë që Aleanca nuk ka përgjigje për shkatërrimet e brendshme institucional dhe rënien e demokracisë në Mal të Zi. Prandaj Maqedonia duhet të vëzhgojë syçelë situatën në rajon. Nacionalistët serbë po festojnë për të dytën herë fitoren e tyre në BeH, duke ia dalë mbanë të vendosin diskursin dominues për domosdoshmërinë e shpërbërjes së këtij shteti, ekzistenca e të cilit dhe Paqja e Dejtonit janë ekskluzivisht sukses politik i Perëndimit dhe i SHBA-së. Është e kuptueshme që Kosova po ndjek hapat secesionistë në BeH dhe nuk e dëshiron Asociacionin e Komunave Serbe. Perëndimi duhet të ofrojë patjetër garanci më bindëse se nuk do të ketë një Republikë Srpska të re dhe nuk do ta ndajë Kosovën. Ngjarjet e luftës në Ukrainë mund të ndikojnë dhe të përhapen në të gjithë këtë zonë të paqëndrueshme të tranzicionit nga Beogradi deri në Tbilisi.

KDP: Nga çfarë varet dinamika e mëtejshme e luftës?

BORIS VARGA: Varet nga faktori Kinë dhe vendosmëria e SHBA. Lufta në Ukrainë u shtrua si çështje ultimatumi për Ukrainën dhe Rusinë. Nëse Kievi nuk ia del të përzë plotësisht ushtrinë ruse në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës nga viti 1991, Moska do të nisë sërish pushtimet e reja. Ndoshta për një kohë do të ketë  armëpushim madje edhe më të gjatë se ai i 2015-ës dhe aneksimi i Krimesë, por lufta do të ripërtërihet kur Rusia të jetë gati të  dëshmohet sërish në skenën botërore. Skenari i një plani paqësor, i negociatave të mbrojtura nga Pekini, është në fakt fatal për Ukrainën, sepse e lë fillimisht të gjymtuar dhe me një konflikt të ngrirë. Do të jetë një shtet jofunksional, i cili nuk do të mund të integrohet në BE, dhe bota dhe Perëndimi do të hezitojnë të investojnë dhe ta rindërtojnë atë shtet. Skenari i planit të paqes, negociatave  që ofron Pekini  është në fakt i dëmshëm për Ukrainën, sepse që në start e lë atë të sakatosur dhe me konflikt të ngrirë.

Do të jetë ky një shtet jofunksional, i cili nuk do të mund të integrohet në BE, kurse bota dhe Perëndimi do të hezitojnë të investojnë dhe ta rindërtojnë këtë shtet. Skenari i një fitoreje ruse, madje edhe me negociata të imponuara të paqes dhe me një pjesë të vogël të okupuar të Ukrainës, i dërgon një sinjal edhe Ballkanit Perëndimor se problemet mund të zgjidhen “në mënyrën e Putinit”. Shumë politikanë në Serbi këtë vetëm  po e presin, prandaj  sipas modelit tël Rusisë ata po angazhohen  për idenë e “botës serbe”, e cila është  ide e ripërtërirë serbomadhe për të gjithë serbët në një shtet etnik. E kjo do të thotë – yrysh për në Kosovë.

Mirëpo, nëse Rusia do të mposhtej ushtarakisht në Ukrainë,  ky do të ishte një mesazh i qartë jo vetëm për Rusinë, por edhe për fuqitë e tjera autoritare, ndikimi i të cilave në botë po rritet, para së gjithash për Kinën. Këto do të ishin dy mesazhe të rëndësishme – se imperializmi i luftës është mposhtur dhe se fuqitë autoritare nuk do të dominojnë politikën botërore. SHBA po i mban edhe një herë aleatët së bashku dhe është forca kryesore mbështetëse për fitoren e Ukrainës.

KDP: Cili është roli i Kinës në luftën në Ukrainë?

BORIS VARGA: Kina  vazhdon të mbetet enigma më e madhe e kësaj lufte. Pekini nuk do të dëmtohet shumë nga çfarëdo epilog i agresionit, përveç atij bërthamor. Kina mund të ndikojë në zgjatjen e luftës dhe përfundimin më të shpejtë të saj. Kina, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ishte në anën e Rusisë, të paktën diplomatikisht dhe politikisht. Ushtarakisht, ajo u paraqit si neutrale, por dëgjojmë nga SHBA se Pekini është gati të furnizojë Rusinë me armë dhe municione. Në fakt, Pekini nuk është i gatshëm të lejojë që Rusia të mposhtet në Ukrainë nga armët perëndimore, domethënë ato të NATO-s.

Në përvjetorin e agresionit rus, Kina njoftoi planin e saj të paqes prej 12 pikash për të zgjidhur luftën. Duke u përpjekur të jetë neutral, plani i paqes i Kinës në fakt i konvenon Rusisë. Kina kundërshton sanksionet perëndimore kundër Rusisë, për luftën akuzon veprimin e Perëndimit dhe SHBA-së dhe kërkon negociata të paqes. Pikërisht sikurse në të gjitha rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kina nuk e dënon agresionin e Moskës dhe përmes negociatave të paqes i jep Putinit atë që i nevojitet tani – kohë dhe pushim.

Ashtu sikurse Kina e mbështeti luftën, po ashtu ajo mund ta ndalojë atë, sepse Putini nuk do ta kishte nisur nëse për të nuk do të kishte marrë dritën jeshile, të paktën në kuptimin ekonomik. Është gjithashtu një mister nëse Kina pret që Perëndimi dhe Rusia të rraskapiten, për të dalë pastaj e vetme në arenën globale, ose pret që Rusia të dërmohet në Ukrainë dhe që bota  të shndërrohet përsëri në bipolare, e ndarë mes perandorisë së Uashingtonit dhe Pekinit. Skenari më i keq do të ishte që, përveç mbështetjes në diplomaci dhe organizatat ndërkombëtare, Kina të fillojë të armatosë Rusinë dhe të shohë shansin për ambiciet e saj gjeopolitike dhe që ndikimin e saj ta dëshmojë me mjete ushtarake. Ndërsa çdo shtet autoritar, me regjim personal dhe lider të tjetërsuar është i këtillë. I tillë ishte dhe Putini, vetëm se u nënçmua teoria për këtë nga librat e vjetër të politikologjisë. Xi Jinping tashmë paralajmëron riintegrimin e Tajvanit.

KDP: A po ndryshon qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë?

BORIS VARGA: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u përpoq të përdorë agresionin rus kundër Ukrainës për të shtyrë çështjen e zgjidhjes përfundimtare të Kosovës. Mirëpo, pikërisht kjo luftë e përshpejtoi këtë, veçanërisht barrikadat serbe në veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar. Vuçiq lejoi ngritjen e ndikimeve rusofile dhe neofashiste në Serbi për të folur për këtë dhe jo për njohjen e Kosovës. Dhe, kjo ishte domethënëse – kur përmendej Kosova, në Beograd dhe anembanë Serbisë do të shfaqeshin murale me Putinin dhe Wagnerin, fotografi të të djathtëve dhe simbolit të pushtimit Z. Mirëpo, Perëndimi nuk është naiv, vetëm se i pavendosur. Kosova prapëseprapë ka prioritet mbi rusofilinë serbe. Mbase edhe rusofilia dhe sanksionet do të gjenden në rendin e ditës. Vuçiq është zotëruesi absolut politik i Serbisë dhe për të nuk është shqetësuese opozita ose rrezikimi i pushtetit. Narrativa dhe ideologjia dominuese në Serbi është, si në vitet ’90, nacionalizmi, dhe këtu ish-shegërti radikal i Sheshelit është në terren të vet.

KDP: Thonë se ukrainasit dhe shqiptarët e njohin mirë njëri-tjetrin për nga përvoja e vuajtjeve.

BORIS VARGA: Putini dëshiroi ta përdorte shpalljen e pavarësisë së Kosovës si arsye për aneksimin e Krimesë. Por këtu nuk ka kurrfarë analogjie, sepse në Krime nuk ka pasur kurrfarë shkeljesh masive të të drejtave të njeriut, deportime, spastrim etnik, siç ka pasur në Kosovë ndaj shqiptarëve. Paradoksi i kësaj lufte është se populli i Ukrainës dhe i Kosovës bashkëndjejnë njëri-tjetrin, me viktimat e luftës, deportimet dhe terrorin nëpër të cilin kaluan, ndonëse Ukraina nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Edhe pse rrethanat ndërkombëtare duken të ndryshme, ukrainasit dhe shqiptarët kanë një armik të përbashkët, kjo është “bota ruse” dhe “bota serbe”, e cila dëshiron t’i shkatërrojë fizikisht për hir të interesave dhe territoreve të nacionaliste.

 

Të fundit