E shtunë, 18 Maj, 2024

MIROSLAV LAJÇAK: PËR VUÇIQIN DHE KURTIN SI NEGOCIATORË DHE EPILOGUN E DIALOGUT PËR KOSOVËN

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve është qëllimi i dialogut dhe pjesë kyçe e mandatit tim. Ky ështël gjithashtu kushti kyç për të dyja palët që në fund t’i bashkohen BE-së. Dëshira ime do të ishte që të shkojmë  deri në fund dhe që të përfundojmë procesin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht të obligueshme për normalizimin. Kjo nuk ka qenë e mundur, por po ashtu dua të nënvizoj se kemi lënë prapa një rrugë të gjatë”, – ka deklaruaruar i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet KBeogradit dhe Kosovës, Miroslav Lajçak në një intervistë për televizionin e pavarur serb “Nova”, – përcjell kdp.mk.

Keni një përvojë të madhe pune me vendet e Ballkanit. Keni qenë në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, keni marrë pjesë në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Çfarë përshtypje keni nga këto hapësira? A mund të integrohet Ballkani Perëndimor në BE?

Ballkanin Perëndimor e kam shumë në zemër – kam kaluar më shumë se 20 vjet të karrierës sime duke punuar ose në rajon ose në punë që kishin lidhje me rajonin. Kam qenë ambasador i Sllovakisë në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë në fillim të viteve 2000 dhe në të njëjtën kohë kam qënë i akredituar edhe në Maqedoni dhe Shqipëri. Kam shërbyer si i dërguar personal i Javier Solanës për referendumin për pavarësinë në Mal të Zi më 2006 dhe si Përfaqësues i Lartë/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 2007 deri në 2009. Që nga viti 2020, jam Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime është që Ballkani Perëndimor të ketë sukses dhe më në fund të bëhet pjesë e BE-së – sepse rajoni e ka vendin atje – gjeografikisht, ekonomikisht, kulturalisht. Nuk ka dyshim për këtë; BE-ja është edhe shtëpia juaj. Në të njëjtën kohë, ka edhe shumë punë për të bërë, ka kaq shumë potenciale të pashfrytëzuara ekonomike, sociale dhe kulturore që duhen aktivizuar.

Duhet të punoni më mirë së bashku si rajon për të qenë në gjendje t’i tregoni BE-së dhe shteteve anëtare të saj se bashkëpunimi me fqinjët e parë është i mundur kështu që bashkëjetesa në BE-në e zgjeruar nuk ka për të qenë sfidë. Fatkeqësisht, shumë shpesh historia në këtë pjesë të botës është ende shumë e pranishme në politikën ditore dhe pengon përparimin drejt një të ardhmeje të përbashkët. Ky rajon ka parë konflikte të dhunshme dhe është e rëndësishme që të merremi me këtë dhe dhe nga kjo të mësojmë, por jo në kurriz të ecjes përpara. Shikoni Gjermaninë dhe Francën për shembull më 1974, 29 vjet pas Luftës së Dytë Botërore. Ata vendosën të punojnë së bashku për të ardhmen e popujve të tyre pavarësisht dy luftërave botërore dhe të ndërtojnë një nga projektet më të suksesshme të paqes sot.

Pra, tani duhet vërtet të përveshni mëngët dhe ta realizoni këtë sepse njerëzit e rajonit e meritojnë këtë. Dhe kur them tani, vërtet mendoj tani. Dyertë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor janë hapur. Mund të thuhet se ka pasur periudha premtimesh të paplotësuara, periudha kur ato dyerë nuk ishin  plotësisht të hapura, por tani  janë  dhe këtë mundësi nuk duhet humbur. Lufta në Ukrainë ndryshoi plotësisht gjithçka. Megjithatë, ndërsa zgjerimi është një fjalë popullore këtyre ditëve, më duhet të them gjithashtu se do të ishte gabim të besohet se vetëm momenti është i mjaftueshëm që rajoni të futet në BE, sepse nuk është. Rajoni duhet të tregojë se është i gatshëm të bëjë përparim në përmbushjen e pritshmërive që BE ka nga anëtarët e rinj. Përmbushja e reformave  ende është e domosdoshme dhe për këtë nuk do të ketë lëshim pe. Kjo kërkon që rajoni të ndryshojë mënyrën se si drejtohet politika dhe të adoptojë një kulturë të re politike për të përshpejtuar reformat dhe për të lehtësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe. Më lejoni të theksoj këtë, BE-ja nuk do të importojë çështje të pazgjidhura dypalëshe. Duhet të merreni me to përpara se t’i bashkoheni klubit.

Fondi i ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së që ta integrojë rajonin në BE. Nuk po flasim vetëm për gjashtë miliardë eurot para të taksapaguesve të BE-së, por edhe për anëtarësimin gradual në BE. Mesazhi është i qartë – ju duam, por presim edhe ju të bëni pjesën tuaj të punës dhe të ndërmerrni reformat dhe veprimet e domosdoshme. Për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja, po, mendoj se rajoni mund të integrohet në BE – dhe ngjarjet e fundit kanë treguar qartë se BE-ja është e gatshme ta bëjë këtë. Por topi është tashmë në fushën e rajonit, i cili duhet të tregojë se është gati.

Për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja, po, mendoj se rajoni mund të integrohet në BE – dhe ngjarjet e fundit treguan qartë se BE-ja është e gatshme për këtë. Por topi tani është në fushën e rajonit, i cili duhet të tregojë patjetër se është i përgatitur.

Është paralajmëruar se nuk do ta vazhdoni mandatin si Përfaqësues  i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë? Pse?

Mandati im si Përfaqësues Special i BE-së përfundon më 31 gusht të këtij viti. Tashmë është vazhduar dy herë, më 2021 dhe 2022. Mandatet e të Dërguarit të Posaçëm Evropian zakonisht zgjasin katër vjet, si në shumicën e shërbimeve diplomatike, kurse deri në gusht në këtë funksion do të kem kaluar katër vjet e gjysmë. Është praktikë e mirë diplomatike që pas kësaj periudhe të ketë ndryshim kadrovik dhe personalisht mendoj se ndryshimi është i shëndetshëm.

Tekefundit, duke pasur parasysh mandatin, ishte gjithmonë e qartë se detyra ishte shumë sfiduese dhe e varur nga shumë faktorë. Siç e shoh unë, nuk është një sprint, por më shumë një stafetë në distanca të gjata ku unë do të mbaj stafetën deri në fund të gushtit. Në këtë rrugë pati përparime dhe ngecje, zhgënjime dhe gëzime. Marrëveshja e vitit të kaluar për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër është diçka që duhet theksuar. Kjo marrëveshje ofron një kornizë të qartë për të ardhmen e procesit të normalizimit – për çka ranë dakord të dyja palët dhe  që çel rrugën e normalizimit  gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Është për të ardhur keq që palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje se si do të zbatohet marrëveshja. BE-ja ka bërë gjithçka që mundi, por ne nuk mund të dëshirojmë normalizimin më shumë se Kosova dhe Serbia. Të dyja palët  janë pronare të procesit dhe duhet të marrin vendime të vështira politike.

Do të vazhdoj përpjekjet që të nisim zbatimin e Marrëveshjes deri në ditën e fundit të mandatit tim. Pas kësaj, unë do t’ia dorëzoj stafetën pasardhësit tim, kushdo qoftë ajo ose ai – dhe kjo varet nga shtetet anëtare të BE-së dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Duke pasur parasysh lidhjen time emocionale dhe profesionale për rajonin, largimi nga ky funksion nuk është fundi i interesit apo angazhimit tim në Ballkanin Perëndimor. Për sa kohë që do të merrem me diplomaci dhe politikë, do të jem një ithtar i fuqishëm i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

A është dialogu për Kosovën në qorrsokak?

Nuk do të thosha se dialogu është në qorrsokak, por çdo proces  kështu i vështirë dhe i ndjeshëm politikisht ka ngritjet dhe uljet e veta. Siç e dini, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar në vitin 2011. Unë jam përgjegjës për këtë proces që nga viti 2020 – gati 10 vjet nga fillimi i tij.

Natyrisht, dëshira ime do të ishte që të shkojmë deri në fund dhe ta përfundojmë procesin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht të detyrueshme për normalizimin. Kjo nuk ishte e mundur, por dua të nënvizoj gjithashtu se kemi bërë një rrugë të gjatë. Vitin e kaluar kemi rënë dakord për dy dokumente: Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj. Nëse pak ndalemi dhe analizojmë, kjo është një arritje e rëndësishme, sepse më nuk ka  nevojë të pyesim se çfarë duhet të bëjmë, apo si, por mbetet vetëm pyetja kur. Tani kemi një kornizë të qartë për rrugën përpara për të cilën kanë rënë dakord të dyja palët – dhe natyrisht jemi të zhgënjyer që një vit më vonë zbatimi ishte shumë i kufizuar. Diskutimet mbi zbatimin shpeshherë u penguan nga tensione, të cilat kërkonin menaxhim të krizës. Patëm disa kriza të mëdha vitin e kaluar, të cilat vështirësuan përparimin drejt normalizimit.

Por, siç thashë, kemi arritur diçka shumë të rëndësishme. Nuk ka kthim prapa. Në kontekstin aktual gjeopolitik dhe në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë  për asnjërën palë, ndaj duhet të fokusohen në zbatimin. Edhe Kosova edhe Serbia e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë – vetëm duhet të zbatojnë përfundimisht atë që është rënë dakord. Paralelisht me këtë, kemi arritur hapa të rëndësishëm dhe zgjidhje konkrete nga të cilat përfitojnë njerëzit në terren. Për shembull, njohja e dokumenteve të identitetit dhe targave, me çka përfundoi  i ashtuquajturi “regjim i etiketave”. Ia dolëm të rregullojmë çështjen e energjisë në veri të Kosovës, e cila pritej më se 20 vjet.

Tani po bisedojmë se si të zbusim ndikimin e dekretit për pagesa me cash në jetën e përditshme të njerëzve, gjë që për fat të keq e largon vëmendjen nga progresi në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Qëndrimi i BE-së vazhdon të jetë se zgjidhja e përkohshme  duhet të arrihet pa vonesa të mëtejshme në mënyrë që fokusi të kthehet në normalizimin e marrëdhënieve, kurse  zgjidhja e qëndrueshme duhet të gjendet paralelisht me zbatimin e dispozitave përkatëse të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Në muajt e ardhshëm shpresojmë se palët do të fokusohen në progresin për zbatimin e vetë Marrëveshjes.

Sa janë larg (ose afër) Beogradi dhe Prishtina nga arritja e një marrëveshjeje për marrëveshjen përfundimtare?

Kjo vërtet varet nga të dyja palët. Procesi është në pronësi të tyre dhe ne po flasim për të ardhmen e tyre. Të dyja palët i kanë integrimet evropiane si prioritet strategjik dhe progresi në normalizimin e marrëdhënieve të tyre është me rëndësi thelbësore për përparimin drejt BE-së. BE-ja ka qenë shumë e qartë se dera është e hapur dhe nëse janë seriozisht të interesuar për të ardhmen e tyre evropiane, si Serbia ashtu edhe Kosova e dinë se duhet të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të detyrueshme për normalizimin. Implementimi  i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit e hap rrugën për këtë dhe Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje shtesë dhe ta çojnë procesin deri në fund. Ne mund të këshillojmë, sugjerojmë dhe të ndihmojmë në çdo hap të kësaj rruge, dhe këtë po e bëjmë. Prapëseprapë, në fund, janë dy palët janë ato që duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

Shpesh flitet për të ashtuquajturën “marrëveshje juridikisht e obligueshme” me të cilën do të mbyllet dialogu midis dy palëve. A ka qenë kjo tashmë mbi tavolinë dhe a kanë bërë të dyja palët deklarata për këtë? Çfarë do të thotë kjo?

Ashtu është – një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht e obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve është qëllimi i dialogut dhe pjesa kyçe e mandatit tim. Është gjithashtu një kusht kyç për të dyja palët që në fund t’i bashkohen BE-së. Filluam të bisedojmë për elemente të ndryshme të kësaj marrëveshjeje në vitin 2020 dhe kemi bërë përparim të mirë në elementë të ndryshëm. Me ndryshimin e qeverisë në Prishtinë ndryshoi edhe qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Mirëpo, të gjitha aktivitetet tona janë të lidhura për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur vitin e kaluar, është  pjesë e rëndësishme në këtë enigmë.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka për objektiv hapjen e rrugës drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse  për normalizimin dhe për këtë arsye presim implementimin e plotë dhe të pakushtëzuar, pa vonesë, të të gjitha dispozitave të saj. Teksti i Marrëveshjes është i qartë, ndaj është shumë e qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët. BE-ja ka rikujtuar shumë herë se Marrëveshja në tërësi është e detyrueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Prandaj, çdo mungesë implementimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të të dyja palëve, por edhe e dëmton reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të sigurt.

Më lejoni të përsëris atë që BE-ja njoftoi me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes në mars, në fakt se është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të mëdha të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë marrë përsipër.

Jo rrallë mund të dëgjojmë presidentin serb Aleksandar Vuçiq të thotë se Serbia është ajo që respekton marrëveshjet, ndryshe nga Prishtina dhe se kjo është arsyeja pse nuk ka përparim. Cila është e vërteta?

Si ndërmjetës, shmang të përfshihem në diskutime dhe akuza reciproke se kush çka ka bërë e kush jo, kush është fajtor për mungesën e progresit… Realiteti është se edhe Kosova edhe Serbia kanë një listë të obligimeve të paplotësuara që dalin  nga marrëveshjet e kaluara, e për më tepër, asnjëra nga palët ende nuk ka filluar  zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Zbatimi duhet të fillojë menjëherë ashtu që edhe Kosova edhe Serbia të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre paralelisht dhe hap pas hapi në bazë të parimit se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Tani fokusi duhet të jetë në përparimin për zbatimin e plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.

Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës që të inicojë procedurën për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të pranojë projekt-statutin evropian, kurse i takon Serbisë që paralelisht të përmbushë obligimet e saj të shumta, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve – që parashihet me planin e renditjes së  hapave të implementimit. Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të maten vetëm në bazë të progresit në zbatim – e jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër. Topi është në oborrin e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që të fillojnë përmbushjen e asaj për çfarë kanë rënë dakord.

Çfarë përshtypjesh keni për Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin pas gjithë këtyre bisedave? A kanë kapacitet për të arritur marrëveshje?

Të dy liderët kanë mandate të forta për të marrë vendime të vështira politike, gjë që procesi i dialogut e kërkon në mënyrë të pashmangshme. E thash se normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar edhe për Kosovën edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, kështu që Dialogu nuk ka të bëjë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve, por edhe me të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë. Qytetarët duan të jenë në BE dhe është përgjegjësi dhe obligim i liderëve që t’ju dalin në ndihmë kërkesave të qytetarëve. Nuk kam dyshim se edhe njëri edhe tjetri e duan integrimin në BE. Në të kundërtën, cila është alternativa? Konflikte? Dhunë? Të dy liderët kanë qartazi kuptime shumë të ndryshme për atë se çfarë do të thotë normalizim dhe është e qartë se kjo është një çështje shumë e ndjeshme nga pikëpamja politike. Mirëpo, është e qartë se në fund as njëri dhe as tjetri nuk do të marrin 100% të asaj që dëshirojnë.

Për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve, Nevojiten kompromise dhe fleksibilitet, si dhe vizion strategjik dhe sjellje prej burrë shteti për të përparuar në normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është ajo që BE-ja pret që liderët të dëshmojnë./nova.rs/ Përktheu: kdp.mk/

Të fundit