E premte, 17 Maj, 2024

EKSPERTI AMERIKAN: SERBIA TË ZGJEDH – DEMOKRACINË OSE GJENOCIDIN DHE AUTORITARIZMIN

Agresioni rus nuk ka sjellë shumë ndryshime në qëndrimin e Uashingtonit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ata duhet të ndërgjegjësohen se bota funskionin në një mjedis gjeostrategjik krejtësisht të ndryshëm nga ai 12 muaj më parë, thotë për seksionin serb të Zërit të Amerikës, Scott Cullinane, këshilltar i lartë për marrëdhëniet me qeverinë amerikane pranë organizatës jofitimprurëse “Së bashku për Ukrainën”. Cullinane, transmeton kdp.mk, ka punuar për tetë vjet në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese të SHBA-së dhe i njeh mirë ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sfidat më të mëdha për politikën amerikane në rajon?

Cullinane: Sfidat më të mëdha për politikën amerikane lidhen me burimet e kufizuara. Lufta në Ukrainë krijoi kërkesa të mëdha për burimet amerikane, si ekonomike – në aspektin e ndihmës nga jashtë, ashtu edhe ushtarake – në aspektin e armëve, por edhe kur është fjala për vëmendjen – për sa i përket diplomacisë dhe vendit ku janë caktuar diplomatët dhe si po e shpenzojnë kohën. Sfidë për Ballkanin Perëndimor është se ka pjesë të tjera të botës që tani kanë më shumë nevojë për ta. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, por ekziston një hendek midis dëshirave dhe resurseve që mund të përdoren në kohën e duhur. Kështu që kjo është vështirësia apo testi më i madh për diplomacinë amerikane është që Ukrainës, Rusisë dhe Evropës Lindore t’i kushtojë vëmendjen e nevojshme, por edhe të gjendet baraspesha përkatëse, që të mos anashkalohet Ballkani Perëndimor dhe të ruhet angazhimi, ndoshta në një nivel më të ulët në krahasim me Ukrainën, por megjithatë në mënyrën që është e rëndësishme  dhe nuk lejon stagnimin ose madje prapambetjen e marrëdhënieve dypalëshe ose më të gjera rajonale.

Zëri i Amerikës: Çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara tani për këto çështje apo për luftën kundër ndikimeve të dëmshme në Ballkan, pra çfarë duhet të bëjnë më shumë, duke marrë parasysh gjithçka që thatë, në këto rrethana?

Cullinane: Në shumë mënyra, qeveria amerikane ka qenë shumë këmbëngulëse në mesazhet e saj për qeveritë, kur është fjala për reformat që kanë të bëjnë me demokracinë, luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e institucioneve të shoqërisë civile dhe qeverive, që demokracitë i bën funksionale. Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithashtu të vendosura në mënyrën se si ato qeveri duhet të pozicionohen kkarshi aktorëve të këqij të jashtëm. Dhe kjo ka lidhje me diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të energjisë, dua të them Rusinë. Ka lidhje me pranimin e investimeve të mençura dhe me mosmarrjen e kapitalit të lirë, por gërryes nga Kina, i cili është i lirë në fillim, por kushton shumë në planin afatgjatë dhe vjen me detyrime politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të flasin shumë qartë për këto mesazhe, së bashku me partnerët tanë evropianë. Por është e rëndësishme që të mos jemi hipokritë dhe që edhe ne vetë t’u përmbahemi këshillave që u japim vendeve evropiane, veçanërisht Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ishte shtytje për liderët e këtyre vendeve që të punojnë në këtë mënyrë, duke pasur parasysh, ndër të tjera, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian ishte vite me radhë një ide që mbase ishte e karritshme, por tani nga viti në vit duket më pak e realizueshme? Çfarë shihni si një nxitje për të bërë reforma, për të ndjekur Perëndimin në sanksione apo diçka të ngjashme?

Cullinane: Nuk ka asnjë nxitje nga jashtë që është aq domethënëse apo e fuqishme sikurse janë kërkesat e  njerëzve që jetojnë në Bosnje apo Serbi për të ardhmen që ata duan për veten e tyre. U them atyre liderëve dhe qeverive që të dëgjojnë njerëzit dhe të ndjekin dëshirat e tyre dhe të mendojnë se cilat rrugë i çojnë vendet që të bëhen më demokratike, më të begata dhe më  të qeta. Të gjitha gjërat që çojnë drejt kësaj janë edhe ato që çojnë në integrim më të madh me Evropën dhe strukturat perëndimore. Kështu që mendoj se nuk është e udhës dhe as do të duhej që, kur është fjala për Shtetet e Bashkuara, të tentojmë të ofrojmë stimuj nga jashtë. Këtu fjala është për ato qeveri, popullsi dhe vende, të cilat marrin vendime sovrane për veten e tyre, se në çfarë lloj shtetesh, në cilin rajon dhe në cilin kontinent duan të jetojnë. Në duan të jetojnë në një kontinent në luftë nën kërcënimin e dhunës dhe detyrimit politik nga kryeqytetet e largëta, apo duan të jetojnë në një kontinent ku janë në paqe me fqinjët e tyre, ku mund të udhëtojnë lirisht, të shkojnë në shkollë dhe të merren me tregti ekonomike sipas zgjedhjes së tyre.

Zëri i Amerikës: Po si i shikoni krizat rajonale, krizat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, problemet e brendshme në Mal të Zi, separatizmin në Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, në pasqyrën e përgjithshme të stabilitetit të Evropës Lindore apo Juglindore, në kontekstin e pushtimi rus?

Cullinane: Qeveria ruse në të gjithë Evropën ishte shumë e mirë në përdorimin e etno-nacionalizmit, mosmarrëveshjeve të vogla dhe historike dhe problemeve që lidhen me fenë, gjuhën ose nacionalitetin. Ata jo gjithmonë i krijojnë, por i përhapin dhe i shfrytëzojnë. Moska nuk i krijon këto çështje, por Moska gjithashtu nuk ka qenë e dobishme në përpjekjen për t’i zgjidhur ato. Mendoj se mund të përmendim shumë shembuj kur Rusia bëri pikërisht të kundërtën dhe u përpoq t’i përshkallëzojë ato, sepse Ballkani Perëndimor,që është i ndarë, i cili është në konflikt me vetveten, është më pak i aftë t’ju rezistojë presioneve të jashtme ekonomike dhe politike të vendeve më të mëdha. Shpresoj që zyrtarët dhe qeveritë të mos shohin përfitime në thellimin apo acarimin e konflikteve etno-kombëtare, por në përpjekjen për të gjetur një rrugë për zhvillim të qetë  dhe bashkëjetesë. Dhe shpresoj që në këtë moment, kur Evropa po përballet sërish me një raund tjetër gjenocidi në Ukrainë, ku ushtria ruse sulmon civilët ukrainas, trafikon fëmijë ukrainas, të kërkojë të fshijë kulturën dhe identitetin kombëtar ukrainas, që kjo të frymëzojë njerëzit dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë se këto janë forca shumë të rrezikshme. Forca të shëmtuara dhe të rrezikshme që nuk janë pjesë e politikës dhe nuk janë gjëra me të cilat duhet luajtur apoduhet kuptuar shkeleshko.

Zëri i Amerikës: Keni përmendur imponimin e pasojave ndaj Rusisë dhe qëndrimin përkrah Perëndimit. Sa gjatë mund të shmang Serbia vendosjen e sanksioneve dhe respektimin e sanksioneve kundër Rusisë?

Cullinane: Serbia do të jetë gjithnjë e më shumë në shpërputhje me komunitetin ndërkombëtar. Në këtë moment, bota përballet me dy sisteme dhe zgjidhje kundërvënëse. Nga njëra anë, ne shohim  të bashkuar Evropën dhe botën demokratike për të mbrojtur Ukrainën, demokracinë dhe lirinë. Nga ana tjetër, ne shohim botën e autoritarizmit në Pekin, Teheran dhe Moskë, të bashkuar për të ndihmuar njëri-tjetrin. E shohim këtë në qarkullimin e armëve dhe trafikimin e  naftës, ku Kina, Irani dhe Rusia po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë për të mbështetur dhe thelluar luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Kështu që, nga njëra anë kemi demokracinë, ndërsa në tjetrën gjenocidin dhe autoritarizmin.

Serbia duhet të vendosë se cili prej këtyre dy modeleve për të është më tërheqës. Cilën nga këto versione të shekullit të 21-të dëshiron të mbështesë Qeveria e Serbisë, anën e cilës palë dëshiron ta mbajë? Me kalimin e kohës, ata do të zbulojnë gjithnjë e më shumë se janë në shpërputhje. Dhe kur lufta në Ukrainë të përfundojë dhe Ukraina të fitojë, bota perëndimore nuk do të harrojë se cilat vende punuan për të mbështetur demokracinë dhe cilat vende nuk ishin aty në kohë të vështira. Mendoj se e di se ku dëshiron të jetë populli serb dhe se është shumë e qartë se ata duan të jenë me demokracinë, e ardhmja e tyre është në Evropë. Nuk dyshoj për këtë. Dhe sigurisht se shpresoj se qeveria serbe do të dëgjojë gjithnjë e më shumë zërat e mençur dhe do të vendosë të mbajë anën e demokracisë dhe jo të marrë ndonjë rrugë të mesme që nuk të çon askund.

Zëri i Amerikës: Rusia ishte në qendër të vëmendjes së të gjithëve gjatë vitit të shkuar, ndërsa përmendët Kinën, këtu është edhe Turqia. Çpo ndodhë me vendet e tjera dhe ndikimin e tyre në rajon? A ka ndryshuar kjo në 12 muajt e kaluar?

Cullinane: Sigurisht që do të ketë bisedime të reja në Uashington, si dhe në kryeqytetet e shumta evropiane. Lufta në Ukrainë është diçka që shumë liderë nuk e prisnin dhe nuk e parashikonin. Me të vërtetë zgjoi në shumë qytete evropiane një ndjenjë strategjike se gjërat që mendonim se nuk mund të ndodhnin, ose ishin të pamundura ose të pamundura, mund të ndodhin dhe se si komunitet i demokracive duhet të jemi më të përgatitur dhe duhet të punojmë së bashku. Në shumë mënyra, ne kemi marrë rreziqe në një sërë fushash, një prej të cilave janë investimet kineze. Dhe, tashmë po shohim bisedime rreth investimeve kineze në sektorë strategjikë si çipat apo infrastruktura.

Mendoj se kjo do të jetë fusha që vendet dhe qeveritë që duan të integrohen me Bashkimin Evropian dhe Evropën, që duan të punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara, do të duhet të marrin parasysh dhe të jenë të vetëdijshme se investimet kineze, kompanitë kineze, shumë shpesh janë jo vetëm aktorë ekonomikë që përfaqësojnë interesa ekonomike, por mbartin me vete edhe interesa politike dhe detyrime politike. Shpesh këto interesa nuk janë në të mirën e popullsisë lokale dhe të qeverive, por për të mirën e Kinës dhe Pekinit. Mendoj se ky diskurs po bëhet gjithnjë e më i qartë dhe  gjithnjë e më shumë është në plan të pare të politikës. Kështu që, e shoh këtë si një nga pasojat më domethënëse dhe më të qëndrueshme të pushtimit rus të Ukrainës./VOA/

Të fundit