E enjte, 16 Maj, 2024

A DO TË MERREN VESH KURTI E VUÇIQI MË 27 SHKURT?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se pret që takimi i 27 shkurtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të përqendrohet në propozimin evropian dhe jo në interesin e njërës palë, duke iu referuar bashkësisë së komunave me shumicë serbe të popullsisë, ndërkohë që, po dje, Vuçiq ka lënë të kuptohet se nuk do të lejojë që kjo çështje të anashkalohet. Vëzhguesit thonë se është për t’u pritur që kancelaritë perëndimore të ushtrojnë presion mbi të dyja palët në mënyrë që të arrihej një zgjidhje e qëndrueshme për një problem që është ngarkesë serioze për bashkësinë ndërkombëtare e cila aktualisht po përballet me sfidat e ndryshimeve gjeopolitike si rezultat i përpjekjeve të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Përgatiti: Seladin XHEZAIRI

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të jetë i përgatitur për takimin e 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por duke shtuar se e “di se çfarë e pret”.

Në një intervistë për  televizionin proqeveritar serb “Pink TV” të martën në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se e ka të vështirë të bisedojë me Kurtin.

“Nuk ka shumë muhabet me Kurtin. Ai njeri menjëherë nis të flasë për Sllobodan Millosheviqin, vuajtjet e tij… nuk e di, Adem Demaçin… Atëherë, ju e kuptoni se ai ka mbetur në atë kohë dhe kaq…,” – ka thënë Vuçiq duke pohuar se tashmë e din se çka e pret: “Edhe po të isha më budallai në botë, do të isha më i përgatituri,”– ka nënvizuar Vuçiq duke paralajmëruar se pret që në takim të bisedohet për Bashkësinë e Komunave Serbe:

“Sigurisht, që do të ketë bisedime për Asociacionin, sepse unë do të flas për të, dhe duhet ta bëjnë këtë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë,”- ka thënë Vuçiqi duke shtuar se pret që Kurti “të dalë me truqe të reja”.

Nga ana tjetër, duke folur po për takimin radhës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur pritjet e tij:

“Ne e kemi propozimin evropian me iniciativë franko-gjermane, që tashmë kemi konstatuar që është edhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Prandaj, nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi, mirëpo për gjërat e tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga fasilituesit apo ndërmjetësit. Pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”- ka thënë kryeministri Kurti.

Sa i përket mundësisë për diskutime mbi Bashkësinë e Komuname me shumicë serbe të popullsisë (BKS) Kurti është shprehur se takimi duhet t’i përmbahet propozimit evropian e jo “interesit të njërës palë”.

Përballë këtyre qëndrimeve që ashiqare nuk  paralajmërojnë ndonjë zbrapsje  të të dyja palëve, analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka thënë të mërkurën se qëndrimi i Kryeministrit të Kosovës për Asociacionin “minon” procesin e negociatave, si dhe deklarata e presidentit të Serbisë Vuçiq, në Mynih se edhe një vend tjetër ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Janjiq i ia deklaruar agjencisë serbe të lajmeve “Beta” se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Boirrell, dhe i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është dashur të tregojnë deri tani se për çfarë do të bisedojnë më27 shkurt në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe, gjithnjë sipas tij, gjatë këtyre dy-tri ditëve duhet të pasojë ndërhyrja e vendeve të “pesëshes së madhe” për të definuar rendin e ditës të këtij takimi.

“Nëse në Bruksel nuk flitet për Bashkësinë e Komunave Serbe, kjo do të rrisë ndikimin rus në Serbi. Vuçiqi do të shpallet tradhtar sepse tha se nuk do të shkojë në Bruksel nëse Kurti nuk e “livron” BKS-në. Kurti e pengon dialogun duke mos pranuar formimin e BKS-së, ndërsa Vuçiqi duke lobuar për ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës, që është në kundërshtim me parimet e planit evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”,- ka rikujtuar Janjiq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier kanë qenë të një mendimi, se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tani ekziston një “momentum i veçantë” pas propozimit evropian për normalizim të raporteve. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga presidenca e Kosovës pas një bisede telefonike që Presidentja Osmani zhvilloi me homologun e saj gjerman, Steinmeier,  ku në qendër të vëmendjes ka qenë pikërisht takimi i radhës Kurti-Vuçiq: “Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, bashkëbiseduesit u pajtuan për momentumin e veçantë që ekziston në këtë proces pas propozimit evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-të,”- u tha për të mërkurën nga Presidenca e Kosovës.

Vëzhguesit thonë se është për t’u pritur që ditëve në vazhdim kancelaritë perëndimore të ushtrojnë presion mbi të dyja palët në mënyrë që të arrihej një zgjidhje e qëndrueshme për një problem që është ngarkesë serioze për bashkësinë ndërkombëtare e cila aktualisht po përballet me sfidat e ndryshimeve gjeopolitike si rezultat i përpjekjeve të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Të fundit