E premte, 17 Maj, 2024

VOTIMI I QEVERISË SË RE: EDHE SA DITË DO TË “LLAFOSET” NË PARLAMENT?

Një koordinim i mundshëm midis VMRO-DPMNE-së dhe Alternativës mund ta zgjasë deri në dy javë votimin e qeverisë së re.

Shkruan: Enis Shaqiri

Seanca për shkarkimin e tre ministrave dhe dy zëvendësministrave të Alternativës dhe një zëvendësministri nga “Grupi i Zjarrit” mund të zgjasë deri në dy javë. Kjo për shkak se të njëjtit nuk kanë dhënë dorëheqje dhe të njëjtit duhet të shkarkohen nga ana e Parlamentit. Ndërkohë, një ministër i LSDM-së dhe një i BDI-së, si dhe një zëvendësministër i Lidhjes Demokratike, kanë dhënë dorëheqje të cilat vetëm janë konstatuar, pa lënë hapësirë për debate që do të kishin për qëllim vonesën e votimit të qeverisë së re.

ZVARRITJE E QËLLIMSHME?

Seanca mund të zgjasë për shkak se po diskutohet veçmas për shkarkimin e secilit zyrtar. Praktika e deritashme tregon se shkarkimi dhe emërimi i funksionarëve qeveritarë nuk kanë përfunduar para se të kalojnë dy javë nga fillimi i debatit. Sipas Rregullores së Parlamentit, debati përfundon kur kanë shfrytëzuar të drejtën e diskutimit të gjithë deputetët e paraqitur. Të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe LEVICA-s janë paraqitur të diskutojnë, gjë që paralajmëron një zvarritje të shkarkimit të funksionarëve që nuk janë dorëhequr dhe zgjedhjen e të rinjve, që vijnë me përfshirjen e ASH-së në koalicionin qeverisës.

Sipas Rregullores, çdo deputet i paraqitur për diskutim ka të drejtën prej 10 minutash fjalim. Pastaj, lejohen tre minuta për një përgjigje, pastaj një minutë për një kundërpërgjigje. Këtu mund të vijë në shprehje një koordinim i mundshëm midis VMRO-DPMNE-së dhe Alternativës, ku deputetët e të parës do të përmendin emrat e ministrave të së dytës, dhe kështu në përgjigje-kundërpërgjigje të zgjatet sa më shumë që është e mundur seanca.

Pasi të kalojnë të 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së, në radhë për të diskutuar do të vijnë dy deputetët e LEVICA-s, Dimitar Apasiev dhe Borislav Krmov. Pas tyre është paraqitur edhe Skender Rexhepi, i cili vepron si deputet i pavarur. Për fjalim është lajmëruar edhe një deputet i LSDM-së.

Sot vazhdon debati për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali. Pas tij do të ketë debat për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informative dhe Administratës, Admirim Aliti dhe më pas për Xhemail Çupin. Pas tyre do të shqyrtohet çështja e shkarkimit të zëvendësministrave. Më pas, nëpërmjet një procedure të njëjtë, do të votohet edhe për emërimin e ministrave të rinj.

“ÇDO PARTI SYNON PUSHTETIN”

Qenan Aliu

Analisti politik Qenan Aliu vlerëson se çdo subjekt politik ka të drejtën legjitime për të marrë vendime përkatëse në organet partiake. Ai kështu i sheh edhe vendimet e Aleancës për Shqiptarët (ASH) për hyrje në Qeveri dhe Alternativës (AA) për dalje nga qeverisja. Në një deklaratë për KDP.mk, Aliu thotë se në dy dekadat e fundit Qeveria po përballet me hyrje/daljet e njëjta partiake, duke hequr mënjanë këtu Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), që sipas tij, mbetet si subjekt politik qeverisës për dy dekada.

Çdo parti synon pushtetin pas një gare elektorale dhe në forma të tjera. Por favoret dhe rreziqet për vendimet e tyre i kalkulojnë vet ato, ne japim opinionet tona. Rikonstruktimet e qeverisë duke shkarkuar dhe emëruar bartës të funksioneve qeveritare janë kompetencë e Kuvendit ku shumica vendos për përcaktimet e kryeministrit. Praktikisht kemi rotacion të partnerëve në qeveri gati dy dekada. Nuk ka ndodh ndryshimi sepse janë të njëjtat parti që vetëm bëjnë rotacionin e çuditërisht vetëm BDI dy dekada mbetet e spirancuar në qeveri, ndërkohë që të tjerat hynë e dalin.

Riformatimet e shpeshta nuk ndaj mendimin se do të ndikojnë në shtyerjen e proceseve përpara aq më tepër kur reformatimi i fundit ka të bëjë për një kohë të shukrtër, deri në zgjedhjet e rregullta, e nëse ndodh që të ketë të parakohshme, atëherë as që do të mjaftojë skenimi i gjendjet nga partneri i ri në qeveri e lëre më të zhvillohen procese të ndryshme”, – thotë Aliu.

NJË PJESË E ALTERNATIVËS MBETET NË PUSHTET

Sipas rikonstruktimit të Qeverisë, Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Haliti, i Diasporës, Xhemal Çupi, zv/ministri i Bujqësisë, Abdylshyqyr Abedini si dhe Lulzim Aliu – zv/ministër për Arsim dhe Shkencë, duhet të shkarkohen, të gjitha këto kuadro të Alternativës. Ndërkaq në këtë listë nuk gjendet vetëm zv/ministri i Kulturës, Daim Luçi, nga po e njëjta parti.

Lidhur me këtë analisti Aliu, thotë se cenimi i shumicës aktuale ka ndikuar që protagonistët politik të bëjnë pazare për ndarjen e tepsisë së pushtetit, edhe përkundë faktit se në opinion po paraqiten sikur bëhet fjalë për çështje të mëdha.

Fundja ashiqare duket se cenimi i shumicës aktuale ka ndikuar që protagonistët politik thjesht të bëjnë, pazarin, për ndarjen e tepsisë së pushtetit, ideologjitë dhe profilizimet e partive mbeten lart në hasra. Se ka të bëjë me pazare është edhe mbetja në post i një funksionari të AAA i cili thuhet se i takon taborit të deputetit që doli i pavarur, që nënkupton se vota e tij është në pazarin, për kësisoj interesash ani pse në opinion etablohen sikur fjala është për çështje të mëdha. Pra thuhet se – politika është çështje e numrave por jo vetëm”, thotë Qenan Aliu.

Siç mësohet, Daim Luçi – zv.ministri i kulturës, me gjasë i përket ekipit të Skender Rexhepit, deputetit të Alternativës i cili aktualisht po funksionon si i pavarur. Rexhepi në ClickPlus të TV21 bëri të ditur se do të votojë vetëm shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, por jo edhe të ministrave dhe zëvendësministrave tjerë të Alternativës.

Unë do të votoj shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, pa asnjë dyshim, pasi dëmi më i madh që iu bë strukturave të Alternativës është mungesa e kurajës politike të udhëheqësë që të shkarkojnë atë për përfitime. Ministrat tjerë asnjëherë nuk i votoj për t’i shkarkuar. Ata janë njerëz që janë dëm kolateral i Alternativës, i dy njerëzve që kanë vendosur ta dëmtojnë partinë. Unë nuk votoj shkarkimin e asnjë ministri apo zëvendësministri të Alternativës, përveç Bekim Salit. Ata më së paku kanë faj që dy persona të Alternativës kanë vendosur t’i bëjnë kurban”, tha Zejdi.

Ndryshe, koalicioni aktual qeverisës përbëhet nga LSDM, BDI, ASH, PDSH dhe deputeti i pavarur Skender Rexhepi. Në total, kjo shumicë prej 66 nga 121 deputetë, që paralajmëron një votim pa problem të funksionarëve të rinj. Tre deputetë që funksionojnë në kuadër të grupimit joformal të quajtur “Grupi i Zjarrit”, dy të BDI-së dhe Kastriot Rexhepi si i pavarur, kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë përbërjen e re qeverisëse.

Të fundit