E enjte, 2 Maj, 2024

ÇMIMET E LARTA KRIJOJNË NGËRÇ DHE PASIGURI SOCIALE

Sipas të gjitha parametrave kostoja e jetesës tashmë ka shënuar rritje enorme. Kriza ekonomike ka goditur tregun botëror të ushqimeve dhe bashkë me këtë edhe tregun e ushqimeve edhe në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët ankohen se çmimet vazhdojnë të mbeten të larta, ndërkohë që përkundër subvencionimit të kompanive nga qeveria tregu i ushqimeve mbetet i pastabilizuar dhe me çmime të mëparshme të artikujve ushqimor. Ekspertë të ekonomisë kanë paralajmëruar se kriza do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2023. Jo njëherë nga qytetarët dhe institucionet tjera shtetërore është kërkuar që të vihet rend në çmimet spekulative në treg, të cilat krijojnë ngërç social dhe pasiguri.

 Shkruan: Eljesa Dervishi

Kriza e kostos së jetesës nuk ka prekur vetëm Maqedoninë e Veriut, por pothuajse të gjitha vendet e botës që mbështeten nga globalizimi për të siguruar lëndët e para. Inflacioni për vitin 2022 ka arritur 8.1% rritje mesatarisht për të gjithë botën, çka përbën rritjen më të lartë për 20 vitet e fundit. Rritja më e lartë ka qenë në çmimet e hidrokarbureve, por dhe çmimet e shërbimeve dhe ushqimeve kanë pësuar rritje drastike. Edhe pse nga muaji në muaj duket sikur çmimet e lëndëve të para po ulen, vazhdojnë të jenë kërcënim për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit sepse janë cenuar rrjetet e sigurta infrastrukturore globale. Kjo ka bërë që të ndryshojë edhe kostoja e jetesës në shtete të ndryshme. Qytetet më të shtrenjta në botë tashmë janë në Azi dhe SHBA, me kryesimin e listës nga Singaporti dhe New York dhe pastaj kryeqyteti i izraelit Tel Aviv.

Shporta mujore për një familje katër anërarëshe në janar të 2023 është rritur për rreth 19.425 denarë më shumë, krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Sipas Lidhjes së Sindikatave vjet në janar nevojiteshin 31,811 denarë për shportën e konsumatorit, ndërsa në mes të vitit 2022 shporta harxhuese arriti në 43.163 denarë, që në dhjetor të mbërrijë në 51.234 denarë.

Buka, e cila vitin e kaluar shitej për tridhjetë denarë, tani e është dyzet denarë, vaji i gatimit nga 55-60 denarë, tani ka arritur në rreth 130 denarë, e njëjta gjë vlen edhe për qumështin, sheqerin, miellin

Kompanitë nga sektori i ushqimit përdorin energji elektrike që kushton 80 euro për megavat orë, në vend të 200 eurove që është në tregun e lirë. Kjo do t’i kushtojë buxhetit rreth 3.5 milionë euro deri në prill. Por, pasi subvencioni ka filluar të aplikohet nga 1 dhjetori 2022, në tregje shiten vetëm disa produkte me çmim më të lirë dhe jo të gjitha siç ishin rënë dakorod fillimisht mes qeverisë dhe prodhuesve ushqimorë. Qytetarët ankohen çdo ditë se në vend të uljes së çmimeve, shumica e produkteve shiten në tregje me çmime të reja më të larta se para aplikimit të rrymës së subvencionuar.

Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut këtë vit planifikohet të ketë inflacion deri në 9%, kurse mesatarja e inflacionit për 2022 ishte 14,3%. Qeveria, nga ana tjetër, gjatë propozim-buxhetit parashikoi inflacion prej 7.1%. kurse, parashikimet e FMN-së janë se viti 2023 do të jetë një vit i vështirë dhe 1/3 e ekonomisë botërore do të jetë në recesion. Për krahasim, inflacioni në Eurozonë vjet ishte mesatarisht 10,6%. Norma e inflacionit në Gjermani, pas 11,6% në tetor, u ul në 11.3% në muajin nëntor. Në Maqedoni, inflacioni në tetor ishte 19,8%, ndërsa në nëntor u shënua një rënie e lehtë në 19,5%.

Në bursat botërore ka rënie të vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe grurit, që do të thotë se edhe pa subvencione të energjisë elektrike, kompanitë kanë hapësirë për uljen e çmimeve të produkteve finale.

Mirëpo, edhe Enti Shtetëror i Statistikave ka konfirmuar se produktet ushqimore në vend shiten me çmime të vjetra, të larta. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se në muajin dhjetor, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, inflacioni është ulur vetëm 0.2% të parëndësishme.

Qytetet me koston më të lartë të jetesës në Europë janë Zyrih dhe Gjeneva (pozicioni i 6 dhe 7) të ndjekura më pas nga Parisi dhe Kopenhaga ( pozicioni i 9 dhe 10). Zhvendosjen më të madhe në renditje kanë pësuar qytetet e Rusisë, Moska dhe Shën Petersburgu (pozicioni 37 dhe 73) dhe qytetet e SHBA ( San Francisko, Chicago, etj). Në ekstremin tjetër të listës renditëse qytetet më të lira për koston e jetesës dhe që kanë pësuar inflacion më të ulët në të gjithë botën janë Damasku dhe Tripoli të Sirisë, dhe kryeqyteti i Iranit, Tehran.

Sipas parashikimeve dhe analizave të ekonomistëve vendi ynë edhe gjatë vitit 2023 do të ndjejë krizën ekonomike ndërsa do të fillojë të stabilizohet në vitin 2024.

Të fundit