E premte, 10 Maj, 2024

ZGJEDHJET 2024: NË PRTJE TË TETË MAJIT

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE triumfoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mbajtura më 24 prill. Siljanovska arriti të sigurojë një fitore bindëse, duke fituar 363.086 vota (40.08 %) apo 182.586 vota më shumë se Stevo Pendarovski, president aktual  i cili mori 180.500 vota (19.92%). Në bllokun politik shqiptar, Bujar Osmani nga Fronti Europian triumfoi kundrejt kundërkandidatit të tij Arben Taravari nga VLEN. Osmani mori 121.088 vota (13.37%), ndërsa Taravari mori 83.393 vota (9.20%). Vëmendja kryesore tani është e përqëndruar te vazhdimi i procesit zgjedhor, ku më 8 maj do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare. Si pritet të zhvillohen këto  cikle zgjedhore? Cili do të jetë rezultati e epilogu përfundimtar, dhe çka pastaj?

Shkruan: ENIS SHAQIRI

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova  ka fituar bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të mbajtur të mërkurën (24 prill).

Siljanovska, ngjashëm si në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, në rrethin e dytë (8 maj) do të përballet me presidenti aktual, Stevo Pendarovski, njëherësh kandidat i LSDM-së i cili mori 180.500 vota.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova  e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE, i fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski, i fitoi 19.93 për qind të votave.

Shtatë aspirantët, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian dhe Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN, garuan në raundin e parë për presidentin e shtetit, por nuk arritën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin.

Osmani nga Fronti Evropian mori 121.088 vota (13.37%), ndërsa Arben Taravari nga VLEN mori 83.393 vota. Diferenca mes Osmanit dhe Taravarit ishte 37.695 vota.

Maksim Dimitrevski nga ZNAM mori 83.856 vota (9.26%). Biljana Vankovska Cvetkovska nga Levica (E Majta) mori 41.331 vota (4.56%) dhe Stevço Jakomovski nga GROM mori 8.121 vota (0.90%).

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga 100 % të votave të numëruara, Osmani nga Fronti Evropian mori 121.088 vota (13.37%). Ndërsa Arben Taravari nga VLEN mori 83.393 vota (9.20%).  Diferenca mes Osmanit dhe Taravarit ishte 37.695 vota. KSHZ njoftoi se për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kanë votuar 48.46% e elektoratit.

Infografik – Rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale 2024 në RMV.

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit konsiderohen si një test i rëndësishëm për partitë politike, pasi ato u zhvilluan vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Çka pritet të ndodhë pas 8 majit?

Sipas vlerësimeve të njohësve të çështjeve politike, epërsia të cilën e shënoi kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska, është shumë e lartë dhe nuk le shumë hapësirë për përmbysje. Ata theksojn se për ta përmbysur rezultatin paraprak, do të duhet ndonjë strategji e sofistikuar për të mobilizuar një numër kaq të madh të votuesve të Pendarovskit.

Ibrahim Mehmeti, analist politik

Sidoqoftë, mendoj se kandidati i LSDM-së do ta ketë të vështirë të bëjë kthesë në raundin e dytë. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sidomos kur bëhet fjalë për partitë më të mëdha në vend, me gjasa rezultatet do të jenë ngjashëm me atë të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Lëvizje të vogla pozitive ose negative mund të ndodhin, por kjo nuk pritet të ndryshojë shumë spektrin tanimë të projektuar për katër vitet e ardhshme ”, shprehet njohësi i çështjeve politike, Ibrahim Mehmeti, për KDP.MK

Sa i përket votave të elektoratit shqiptare, Mehmeti thekson se partitë shqiptare do të pozicionohen varësisht nga strategjia e fituesit të pritur në kampin maqedonas, por edhe nga strategjia dhe oferta e LSDM-së. Ai thotë se për partitë shqiptare, epilogu i zgjedhjeve parlamentare mund të përcaktojë shumë gjëra të cilat u paralajmëruan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Nëse rezultati shkon në kahjen që e mori me 24 prill, atëherë opozita shqiptare do ta ketë të vështirë të pranojë ftesën e fituesit të pritur, VMRO-DPMNE, që ajo t`i bashkangjitet pavarësisht se a do ta fitojë verdiktin e votuesve shqiptare, duke mos e përjashtuar edhe vullnetin e komuniteteve më të vogla, edhe pse diçka e këtillë nuk mund të përjashtohet”, –thotë Mehmeti duke argumentuar se: “Në fjalorin e opozitës shqiptare vërehen tone të zbutura në raport me VMRO-në, gjë që mund të lexohet si indikator për një koalicion i cili mund të ketë pasoja afatgjata për kampin politik shqiptar këtu në Maqedoni”.

Në anën tjetër, për gazetarin dhe komentuesin e çështjeve politike, Zoran Ivanov, partia Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), për momentin, është e “mënjanuar”, dhe dhe nuk është në radarin e ndonjë partie për koalicionim, pas datës 8 maj.

Zoran Ivanov, analist politik

Thjesht, me rezultatin që mori kandidati i tyre presidencial, Stevo Pendarovski, mendoj se nuk është një partner interesant për ndonjë koalicion pas 8 majit”,  thotë Ivanov.

Në një prononcim për KDP.MK  ai nënvizon se aktualisht nuk është e qartë se çfarë po përgatitet në selitë e partive politike, por pas rezultateve të 24 prillit, të gjithë po monitorojnë me kujdes zhvillimet e njëri-tjetrit.

Pas rezultateve të 24 prillit `gjithkush po i ndjen pulset e gjithkujt`.

Gjithsesi, këto ditë pyetja më ngatërrestare është nëse zgjedhjet presidenciale do të kenë sukses, nëse Siljanovska Davkova është e paarritshme në këto zgjedhje, dhe nëse BDI dhe fronti opozitar VLEN, përfshirë këtu LSDM-në, do të “organizojnë” ndonjë bojkot të qetë, pra do të gjejnë ndonjë mënyrë për të bindur anëtarësinë e tyre, duke u hequr si të pafajshëm, që me datë 8 maj të mbushen vetëm kutitë e votimit për parlamentaret, apo ta lënë në vullnetin e votuesve”, – thekson Ivanov.

Ai shton se nëse ndodhë skenari i dytë, pra nëse do të ketë ndonjë bojkot të zgjedhjeve presidenciale, atëherë me shumë gjasë funksionin e presidentit të shtetit do ta ushtrojë kryetari i parlamentit, fillimisht kryeparlamentari aktual, dhe më pas, pas zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, dhe konstituimit të parlamentit të ri, presidenca të kalojë në menaxhimin e kryetarit të ri të Kuvendit në një afat të papërcaktuar.

Kujtojmë se kushtetuta e RMV-së, neni 81 thotë:

Presidenti i shtetit në rast të pamundësisë që ta ushtrojë funksionin, Presidentin e Republikës e zëvendëson Kryetari i Kuvendit.

• Në qoftë se në rrethin e dytë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.

• Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pamundësisë së përhershme që ta ushtrojë funksionin ose pushimit të mandatit sipas fuqisë së Kushtetutës, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, funksionin e Presidentit të Republikës e ushtron Kryetari i Kuvendit.

Megjithatë, Ivanov thotë se çelësi është edhe tek anëtarët dhe simpatizantët e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it. “Më 24 prill, ata treguan se janë një faktor që mund të motivojnë pjesëmarrjen”.

Ndërkaq, analisti politik, Arsim Zekolli, në një shkrim për seksionin maqedonas të DW-së thotë se këto zgjedhje provuan përfundimin e manipulimit përmes ndërtimit etnik të “një shoqërie për të gjithë” mbi themelet prej rëre.

Dhe kjo është ndasia e mprehtë ndërmjet partive etnike, ku pothuajse nuk ka më vend për çfarëdo spunti ose zonë tampon. VMRO-DPMNE rrumbullakoi fushatën e ndërtimit të ‘unitetit etnik maqedonas’.

Por me koston prekjes së ‘unitetit etnik shqiptar’ të cilin, sado që edhe të dëshirojë ta amortizojë duke mbjellë përçarje mes partive shqiptare, në fund do të rezultojë me një përballje me po të njëjtën matricë që e solli në pushtet – por tani nga pala shqiptare. Një mobilizim shkakton tjetër mobilizim. Mickoski u deklarua se dëshiron që në shatorin e tij të gostisë Taravarin dhe VLEN-in, por ky është vetëm një prelud për forcimin edhe më të madh të faktorit shqiptar të lënë jashtë çadrës dhe dobësim rapid i ‘shqiptarëve të ndershëm’ në prehrin e VMRO-së” – ka shkruar A. Zekolli.

Rrjedhimisht, VMRO DPMNE, parti konservatore maqedonase me ideologji demokristiane, është e njohur për kundërshtimin e saj ndaj Marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Kjo marrëveshje kishte si qëllim ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në NATO. Partia gjithashtu ka kundërshtuar ndryshimin e Kushtetutës së vendit për të përfshirë pakicën bullgare si popull themelues në preambulën e saj, një kusht tjetër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve, politikat e VMRO-DPMNE-së kanë gjetur mbështetje të gjerë në mesin e popullatës maqedonase. Kjo është e evidentuar në hulumtimet e opinionit publik që janë zhvilluar që nga viti 2018.

“Beteja e katërt me rradhë”

Kandidatja e VMRO DPMNE-së, Davkova dhe Pendarovski nga LSDM, do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të zhvillohen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Davkova ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019, por humbi në rundin e dytë përballë Pendarovskit, i cili triumfoi falë votave të shqiptarëve të cilët i ndihmuan ta përmbyste epërsinë e Davkovës nga rundi i parë i zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e vitit 2019, në rrethin e parë Pendarovski mori 322.581 vota ndërsa Siljanovska Davkova 318.341. Kurse në rrethin e dytë Pendarovski mori 435.656 vota, ndërsa Siljanovska Davkova 377.346 vota. Përballja e 8 majit mes Davkovës dhe Pendarovskit, do të jetë e katërta me rradhë.

Se a do të ketë përmbysje të rezultatit edhe më 8 maj mbetet të shihet se si do të pozicionohen dy blloqet e partive shqiptare, nga të cilat deri më tani zyrtarisht nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim zyrtar.

 

 

Të fundit