E premte, 17 Maj, 2024

‘BALLKANI I HAPUR’: ILUZION OSE RRUGË DREJT MODERNIZIMIT TË BALLKANIT PERENDIMOR

Stabiliteti politik është parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe themelimin e tregut unik të Ballkanit Perendimor. Për këtë nevojitet vullnet politik dhe angazhimi i udhëheqësve të të gjitha vendeve të rajonit për një qëlllim të qartë dhe bashkarisht të dakorduar. Ky nuk është dhe as që mund të jetë një bashkësi politike dhe shtetërore e ‘përbashkët’.

EKSKLUZIVISHT PËR KDP: DUSHAN JANJIQ

Në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për vendosjen e paqes, ringjalljen ekonomisë dhe të bashkëpunimit në hapësirën e mbërthyer nga shkatërrimet e luftës që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë, janë hedhur nisma nga më të ndryshmet. Ndër to më të njohurat janë ‘Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore’, ‘Nisma e Adriatik-Jonit’, ‘Mini-Shengeni’ të cilin qysh nga viti 1996 po e shtynë administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe iniciativat më të fundit ‘Ballkani Perendimor i Gjashtëshes’(WB6) dhe ‘Ballkani Perendimor i Tetëshes’(WB8) që pasuan ‘Procesin e Berlinit’. Në këtë rrugë u gjetën Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë dhe Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, kur më 11 nëntor të vitit 2019 nënshkruan në Novi Sad ‘Deklaratën mbi qëllimin e realizimit të katër lirive’. Fjala është për vënien në jetë të lirisë së qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit anembanë Ballkanit Perendimor. Ata e mërtuan këtë nismë si dhe Medlin Olbrajt ‘Mini-Shengen’. Dy vite më pas ajo u riemërtua në ‘Ballkani i Hapur’.

Përdorimi i emrave të ndryshëm për shënimin e të njëjtit process dhe objektiv vë në dukje respektimin e nevojës për të bashkëpunuar, nga njëra anë, dhe faktin se procesi ende nuk është rrumbullakuar tërësisht, nga ana tjetër. Mbetet për të shpresuar se me kalimin e kohës vetë nismëtarët do të përcaktohen për një emër që do të reflektojë qartë përmbajtjen. Fjala vjen ‘Ballkani i Hapur Perendimor’. Një të njëjtën kohë do thënë se për pjekjen e nismës ndikojnë faktirë të ndryshëm: Së pari, ndërlidhja jo sa duhet e nismës ‘Ballkani i Hapur’ me reformat e brendshme dhe përparimin në bashkëpunimin dypalësh të vendeve të rajonit. Po ashtu, mungesa e harmonizimit të masave të cilat do të ndërmerren paralelisht me përparimin drejt BE-së dhe qëndrimi i ndryshëm ndaj anëtarësimit në NATO.

Hapat e vendeve të Ballkanit Perendimor në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s janë kushtëzuar me trashëgiminë e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Kjo shihet në marrëdhëniet e Serbisë, si një ndër nismëtarët  e ‘Ballkanit të Hapur’ dhe fqinjëve të saj dhe që po zhvillon një politikë e cila shërben si ‘platformë’ për zgjerimin e influencës së Rusisë. Ky ndikim është i orientuar drejt vështirësimit të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perendimor në BE e sidomos në NATO. Kjo po shihet në bllokimin e përparimit të Bosnjë e Hercegovinës drejt integrimeve euroatlantike. Kjo arrihet para së gjithash me mbështetjen e politikës së Milorad Dodikut, përkatësisht të pushtetit të Republika Serpskës që e vë në pikëpyetje ekistimin e Bosnjë e Hercegovinës së përbashkët. Shembull tjetër bindës përbëjnë angazhimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mbajtjen e një referendum për bashkim me Shqipërinë. Presidenti serb Vuçiq e ka vlerësuar këtë  si ‘ide shqiptaromadhe dhe hegjemoni shqiptaromadhe’ duke paralajmëruar se pas takimit me presidentin e Rusisë, Putin, do t’ju drejtohet me një letër të gjithë presidentëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian  që të deklarohen qartë për këto qëndrime të Kurtit. Në shikim të pare mund të përfundohet se Vuçiqi po promovon politikën e Kurtit ose se manifeston pakënaqësinë e tij për shkak të ‘qasjes së pabarabartë’ ndaj ideve të të tij  të ‘përkufizimit dhe shkëmbimit të territoreve sipas parimit etnik’. Një përfundim i tillë del nga qëndrimi vijues i Vuçiqit: ‘Ai kërcënohet me bashkimin direct me Shqipërinë, kurse … çfarë do të ndodhte sikur unë të deklaroj diçka për bashkim me ndonjë territory tjetër – a do të më kish var në Uashington, Nju-Jork, Paris, Bruksel, ku… të gjithë liderët botëror do të çirreshin për këtë duke sajuar rrëfime të pabesueshme dhe duke frikësuar mbarë botën me hegjemoninë serbomadhe’. Me një qëndrim të këtillë Vuçiqi  manifeston edhe frustrimin e vet për shkak të mospranimit të nismave të tij  për ‘shkëmbim territori’ ose të idesë për ‘Botën serbe’ të cilën e promovon ministri i policisë Aleksandar Vulin. Në thelb edhe nuk ka dallime esenciale ndërmjet këtyre ideve dhe idesë për ‘Shqipërinë e Madhe ose Natyrale’. Nga kjo pikëpamje, debate për këto ide është e afërt edhe me njërën, dhe me palën tjetër dhe është e sigurt se nuk mund të çojë drejt marrëveshjes, por mundet – drejt konflikteve të reja.

Nga këta shembuj duket se shumë prijës të vendeve të Ballkanit Perendimor e kanë më afër zemrës të vazhdojnë diskutimet ideologjiko-politike në vend se të ndryshojnë politikën që i ka sjellur në pushtet. Sidoqoftë, aktualisht, ata nuk janë në gjendje të ndjekin formulën vijuese: Të lënë anash çështjet për të cilat tërësisht nuk pajtohen dhe të ndërtojnë raporte të reja mbi pikat e pajtimit e të mirëkuptimit të interesave të të tjerëve si dhe të interesit të tyre. Kjo është e vetmja mënyrë që në Ballkanin Perendimor të vendoset stabiliteti politik. Rasti i parë që të verifikohet një përfundim I këtillë do të jetë që më 10 dhe 11 dhjetor të vitit 2021 nëse realizohet plani që atëherë në Bruksel të mbahet takimi Kurti-Vuçiq. Vet Vuçiqi pas takimit me Miroslav Lajçakun informoi publikun se ka kërkuar rihapjen e bisedimeve politike për marrëdhëniet e Serbisë dhe të Kosovës.

Stabiliteti politik është parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe themelimin e tregut unik të Ballkanit Perendimor. Për këtë nevojitet vullnet politik dhe angazhimi i udhëheqësve të të gjitha vendeve të rajonit për një qëlllim të qartë dhe bashkarisht të dakorduar. Ky nuk është dhe as që mund të jetë një bashkësi politike dhe shtetërore e ‘përbashkët’.

Është me interes për shtetet-nismëtare, por edhe të Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës që integrimet e veta në BE t’i plotësojnë, forcojnë dhe përshpejtojnë me bashkëpnumin nënrajonal  çfarë mund të jetë ‘Ballkani i hapur’. Nuk mund të ketë përfshirje active të të gjitha këtyre vendeve  përderisa nuk zgjidhen dilemat vijuese: Mali i Zi refuzoi para dy vjetësh të inkuadrohet në nëtë nismë duke theksuar se ky do të ishte hap prapa në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian që gjatë negociatave të anëtarësimit është shumë para vendeve të tjera, sikurse ka pohuar presidenti malazez Milo Gjukanoviq. Ndërkohë, Mali i Zi është destabilizuar, atij i prinë një qeveri pa konsensus të brendshëm dhe pa kapacitete për të avancuar negociatat për anëtarësim. Fundja, bashkëpunimi brenda ‘Ballkanit të Hapur’ edhe nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE dhe është i mundshëm edhe para se Mali i Zi të anëtarësohet në BE. Ndoshta edhe për këtë arsye kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, paralajmëroi mundësinë e përfshirjes active të vendit të tij në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Mbetet të shihet nëse qeveria e tij mund të sigurojë mbështetje për këtë.

Sa i përket Kosovës, së pari presidenti Hashim Thaçi refuzoi të shkonte në takimin në Shkup. Këtë, ministri i atëherëshëm i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e shpjegoi duke thënë se ‘Kosova qëllimisht ishte lënë jashtë mbledhjes së parë, se Kosova i mbetet besnike rrugës së vet drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe se nuk ka ndërmend që perspektivën euroatlantike ta zëvendësojë me çfarëdo nismë rajonale, si dhe se kjo nismë rajonale  është e pakuptimt gjithnjë përderisa Serbia dhe BeH nuk e njohin pavarësinë e Kosovës’. Mirëpo, në shtator të vitit 2021, kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti, u zotua në Uashington se Kosova do të mbështesë dhe do t’i bashkohet ‘Mini-Shengenit’. Kryeministri i tashëm Albin Kurti është i vendosur në kundërshtimin e kësaj nismeje, mirëpo kjo nuk e pengoi atë që të vendosë disa kërkesa të cilat janë parakusht që Kosova të përfshihet në ‘Ballkanin e Hapur’. Këto janë njohja e Kosovës nga Serbia, sigurimi i ‘barazisë’ dhe evitimi i drosë nga monopolzimi i ‘Ballkanit të Hapur’ nga ana e Serbisë. Ndërkohë, qeveria e tij u përcaktua për ‘politikën e reciprocitetit’, për politikën e ndërhyrjes administrative dhe të proteksioninizmit. Bosna dhe Hercegovina është shembull i ‘shoqërisë së ngrirë’. Ky është rezultat i trashëgimisë së konflikteve të armatosura, konflikteve luftarake dhe gjenocidit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Është rezultat i mosrealizimit të reformave dhe i mossuksesit në ndërtimin e një shteti funksional. Gjatë dy viteve të fundit, shteti i përbashkët është i bllokuar, ndërsa në këtë bllokadë prijnë Milorad Dodik dhe autoritetet e Republika Serpskës. Prandaj, për përfshirjen e saj në ‘Ballkanin e Hapur’ do të mund të flitet vetëm pas heqjes së kësaj bllokade dhe vendosjes së konsensusit politik në udhëheqjen e Bosnjë e Hercegovinës.

Deklarata e fuzndit e përbashkët e Vuçiqit, Ramës dhe Nikola Dimitrovit (që zëvendësoi Zaevin për shkak të dorëheqjes së tij) vë në dukje edhe problemin e mirëkuptimin të njëanshëm të qëndrimit të BE-së ndaj Ballkanit Perendimor. Në deklaratë pohohet se mbështetja e ‘perspektivës evropiane’ të Ballkanit Perendimor po ndeshet me barrier në vet Bashkimin Evropian dhe kjo ka të bëj para së gjithash me ‘kapacitetin e vakët të BE-së që të integrojë anëtarë të rinj, debatet e brendshme mes shteteve anëtare të BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe, të cilat penguin përparimin real të rajonit drejt BE-së. Në letër, politika e zgjerimit mbetet active, në praktikë ndërkaq ekziston dëshpërimi në rritje midis qytetarëve të rajonit karshi perspektivës në BE. Krahas kësaj, vonesat në perspektivën e BE-së, në kuptimin politik, i kanë kushtuar bukur shumë rajonit… BE-ja shkon përpara, ndërsa rajoni është ngatërruar në dilemat e vet BE-së. BE-ja nevojitet dhe duhet patjetër të kërkojë të gjitha rrugët për integrimin më të shpejt të Ballkanit Perendimor gjatë perudhës që I paraprinë aderimit, bashkarisht me detyrimet e veta për aderimin në faza, siç është definuar në metodologjinë e re. Në pajtim me këtë, do të ishte me leverdi përfshirja e rajonit në zhvillimin e politikës tregtare e tatimore të Bashkimit Evropian, siç është mekanizimi për harmonizimin e kufirit të emetimit të dioskid-karbonit dhe masat e përkohshme mbrojtëse të kufizimit të importit të çelikut, të numërojmë vetëm disa,’- u tha në Deklaaratën e Përbashkët në Beograd.

Maqedonia e Veriut merret si ‘shembull i shkëlqyer i premtimeve të parealizuara të Bashkimit Evropian, për shkak se Qeveria e saj u mundua të plotësojë kushtet e Brukselit, vetëm për t’u gjetur e izoluar dhe e lënë që të merret vet me pasojat e vendimeve të BE-së’. Ky qëndrim përfill faktin se problemet e Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin ose të Maqedonisë dhe Bullgarisë rreth kontestimit të gjuhës dhe identitetit maqedonas po vazhdojnë dekada të tëra. Këto konteste janë dëshmi e kufizimit të politikave etno-nacionaliste, ndërsa zgjidhja kompromise për emrin e ri është shembull i kompromisit të guximshëm që duhet ndjekur  në normalizimin e marrëdhënive ndërmjet vendeve. Sikur harrohet se Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimeve euro-atlantike, si dhe se moscaktimi i datës për çeljen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE është rezultat i bllokadës politike të ‘zgjerimit’ në BE, por edhe i shpresave të tepruara të cilat i përhapi në publik Qeveria e Shkupit. Doli se gjithçka u bë vetëm për shkak të ‘çmimit’ nga BE-ja e jo për interesa të qytetarëve të Maqedonisë dhe Greqisë.

Është e padiskutueshme se nismëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ besojnë se ‘rajoni është ngatërruar në dilemat e BE-së’, por do të ishte mirë që t’i shikonin edhe rezultatet e veprimtarisë së tyre si kur është fjala për nëpër vendet e veta, ashtu edhe për përmbushjen e detyrimeve edhe ndaj nismave të ngritura nga vet ata. Shpresat i ushqen ky qëndrim i Deklaratës: ‘Nuk mundemi t’i lejojmë vetes, e as që do të na faleshin rastet e lëshuara, neglizhenca dhe mungesa e vendosmërisë për të bërë realitet këtë vizion strategjik…Për këtë qëllim, sot rikonfirmuam vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin tonë ekonomik në kuadrin e nismës ‘Ballkani i Hapur’, duke ngjeshur me elemente nga agjenda e ‘Procesit të Berlinit’ dhe me fokus mbi  realizimin e shpejt dhe të përshtatshëm’.

Gjatë qëndrimit në Beograd, në nëntor, politikanët patën rastin të dëgjojnë edhe mesazhet e njerëzve nga bota e biznesit: ‘Kaloni nga fjalët në vepra!’. Kësaj kërkese ata iu përgjigjën duke ngarkuar Odat Ekonomike të vendeve të tyre që të hartojnë plane konkrete për të vënë në jetë Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim  me qëllim të lehtësimit të import-eksportit, të firmosur vitin e kaluar në Shkup. Ata, po ashtu, dhanë dritën jeshile për planin e detajuar të zbatimit të masave për lehtësimin e tregëtisë duke kërkuar nga Oda Rajonale Ekonomike e Ballkanit Perendimor që të përcjellë procesin e implementimit dhe vendosën formimin e Këshillit Ndërministrial i cili ka për të bashkëpunuar nusht me odat ekonomike për konkretizimin e këtyre masave. Brenda një kohe të shkurtër, nga 12-14 nëntor, në qytetin e Nishit u organizua një takim i përfaqësuesve të qeverive dhe odave ekonomike të vendeve nismëtare nga i cili u përcaktuan një vistër propozimesh të cilat ndërkohë pritet të shndërrohen në vendime të qeverive – nismëtare të ‘Ballkanit të Hapur’. Konkretizmi i zotimeve e premtimeve, i detyrave, në fakt ka për të diktuar fatin e ‘Ballkanit të Hapur’!

Të fundit