E premte, 10 Maj, 2024

SFIDA STUDENTORE NË KOHË PANDEMIE

Pavarësisht nga gjithçka ne arritëm që të adaptohemi në kushtet e reja, falë menaxhimit të mirë të universitetit, të një mësimdhënie ndryshe që diktohet nga pandemia. Ne, jemi tashmë brenda procesit mësimor, duke respektuar të gjitha protokollet. Afër dijes, afër angazhimit tonë studentor, që na jep mundësi të tejkalojmë barrierat që na shfaqen edhe në këtë kohë pandemie. Gjithsesi Universiteti i Evropës Juglindore, tashmë ka filluar vitin e ri akademik me sistemin hibrid të mësimdhënies dhe ne jemi të lumtur që kjo po menaxhohet kaq mirë.

Shkruan: Enis Shaqiri

Për një kohë të gjatë na ka munguar kampusi i universitetit. Jeta studentore mbetet e artë, ndërkohë që nuk e kemi pasur të lehtë gjatë kohës së pandemisë kur po e zhvillonim mësimin me platformën online. Njëkohësisht e di sa të lumtur dhe rehat kemi qenë para se të shpërthejë pandemia.
Në kohën kur po vazhdojmë studimet me prezencë fizike, një krahasim mes këtyre dy periudhave duket të jetë sfidë për të kuptuar pozicionin tonë në gjithë këtë botë kufizimesh që po shfaqen para nesh. Masat parandaluese ndaj përhapjes së  COVID-19  kanë ndikuar në funksionimin e arsimit të lartë këtu tek ne, por edhe në nivel global. Këta ndryshime në ndërveprim me masat e tjera të ndërmarra nga qeveria për ta parandaluar përhapjen e kësaj pandemie, kanë ndikuar në mirëqenien, stilin e jetës dhe mënyrën e funksionimit të studentëve.
Vështirësitë dhe sfidat kryesore me të cilat jemi përballur ne studentët me mësimin online kanë qenë pak a shumë stresuese. Mungesa e vëmendjes dhe e përqendrimit, ulja e motivimit për të ndjekur ligjëratat, disponueshmëria e kufizuar e hapësirës në shtëpi, kanë qenë disa nga problemet që i kemi ndjerë brenda vetes. Por, gjithsesi gjatë periudhës së kufizimeve kuptuam se angazhimi në mësimin online na mundësoi që të largonim vëmendjen nga pandemia, ndërsa mbështetja emocionale nga mësimdhënësit dhe  pozitiviteti i tyre na lehtësoi që të përballeshim me këtë periudhë dhe t’i merrnim gjërat me shumë sportivitet dhe pa panik. Ndonjëherë them se e gjithë kjo eksperiencë  ta quaj ‘univerzitare’ nuk mund të reduktohet vetëm në fakultet, por më shumë se kaq.
Shqetësimet kanë qenë të dyanshme. Edhe puna e profesorëve ka qenë tepër specifike gjatë kësaj periudhe. Ata gjatë tërë kohës kanë shfaqur shqetësimin e tyre nëse studentët do të arrinin që të nxënë dijen dhe nëse mund të dështojë viti akademik. Frika e një dështimi gjithnjë ka qenë e pranishme, ndërkohë që janë shfaqur dilemat e mos inkuadrimit në ligjërata apo pasivitetit në ligjëratat në platformën online.
Gjithsesi universiteti jonë, Universiteti i Evropës Juglindore, tashmë ka filluar vitin e ri akademik me sistemin hibrid të mësimdhënies që nënkupton prani fizike në të dy kampuset, në Tetovë dhe Shkupë, sipas protokolleve shëndetësore dhe mundësi të shkurtimit të orëve mësimore dhe mbulimin e tyre nëpërmjet mësimdhënies online.
Tash na mbetet neve studentëve që t’i respektojmë protokollet shëndetësore, që ta  shfrytëzojmë këtë vit akademik, pasi viti paraprakë 2019/20 nuk i përmbushi pritshmëritë tona, ndërkohë që muajt që i lamë pas ishin plotë vështirësi dhe sfida.

Pavarësisht nga gjithçka ne arritëm që të adaptohemi në kushtet e reja, falë menaxhimit të mirë të universitetit të një mësimdhënie ndryshe që diktohet nga pandemia. Ne, jemi tashmë brenda procesit mësimor, duke respektuar të gjitha protokollet. Afër dijes, afër angazhimit tonë studentor, që na jep mundësi të tejkalojmë barrierat që na shfaqen edhe në këtë kohë pandemie. Gjithçka do të kalojë, ndërkohë që vështirësitë shfaqen përpara nesh në këtë kohë të vështirë për të gjithë, ne vetëm mund të themi: shëndeti mbi të gjitha!

Të fundit