E hënë, 20 Maj, 2024

GRATË NË POLITIKË, NË “MËSHIRËN” E BURRAVE

Ndryshe nga Kuvendi, ku përbërja e fundit parlamentare arriti përqindjen më të lartë ndonjëherë (42.5%) të grave, në Qeveri situata është ndryshe. Raporti i KE-së për vitin 2023, nënvizon përqindjen e ulët të grave në udhëheqje në Qeverinë e RMV-së. Në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, partitë në Maqedoninë e Veriut dolën me premtime dhe slogane për mbështetjen e barazisë gjinore, por aktivistet për të drejtat e grave, nuk besojnë se situata do të përmirësohet.

Autore: Arta Sefadini

51 ulëse nga gjithsej 120 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut i përkisnin grave, në përbërjen e fundit parlamentare.

Kjo vihet në dukje në raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin, i cili është i mbushur me kritika për përqindjen e ulët të grave në pozitat udhëheqëse nëpër institucionet shtetërore.

Ndryshe nga Kuvendi, ku përbërja e fundit parlamentare arriti përqindjen më të lartë ndonjëherë (42.5%) të grave, në Qeveri situata është ndryshe.

Raporti i KE-së për vitin 2023, nënvizon përqindjen e ulët të grave në udhëheqje në pushtetin ekzekutiv.

“Në qeveri, 25% e ministrave, 31% e zëvendësministrave dhe 29% e sekretarëve të shtetit janë gra. Gratë mbanin 15% të posteve ekzekutive në organe dhe agjenci të ndryshme qeveritare”– theksohet në raportin e KE.

Në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, partitë në Maqedoninë e Veriut dolën me premtime dhe slogane për mbështetjen e barazisë gjinore.

Më 8 maj të këtij viti mbahen zgjedhjet parlamentare.

Asnjë grua nuk kryeson listat e deputetëve të dy koalicioneve shqiptare ‘VLEN’ dhe ‘Fronti Evropian’, në ndonjërën njësi zgjedhore ku garojnë.

Ndryshe nga subjektet shqiptare, partitë maqedonase kanë nxjerrë edhe gratë si bartëse të listave zgjedhore.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka kryesues liste zonën 3 dhe 6.

Ndërsa VMRO DPMNE-së ia ka besuar udhëheqjen e listës vetëm një gruaje në zonën 6.

Dy nga kandidatet për deputete nga radhët e VMRO DPMNE-së Marija Miteva dhe Valbona Adili Emini nga koalicioni VLEN, zbulojnë se çfarë parashohin programet e partive të tyre për përfshirjen e grave në politikë, sipas standardeve evropiane për barazi gjinore.

“Ne angazhohemi për barazinë e pagave për burrat dhe gratë, mbështetjen dhe përmirësimin e kushteve për gratë fermere, sepse një përqindje shumë e vogël e grave në zonat rurale janë pronare të pronave dhe tokës bujqësore dhe pengesa më e madhe janë ende zakonet tradicionale të trashëgimisë së pronës së burrave, si dhe punë pa pagesë në familje dhe ferma familjare” – citon një pjesë të programit partiak, kandidatja për deputete Marija Miteva, nga VMRO-DPMNE.

“Do jap përkrahjen time në krijimin dhe realizimin e programeve që kanë për qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga diskriminimi qofte  përmes edukimit formal ( shkollor ) ose atij joformal  përmes organizatave. Po ashtu do  të punoj në zvogëlimin e hendekut gjinor në tregun e punës dhe në paga. Gjithashtu do punoj  në  përforcimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje ndaj grave” – premton kandidatja për deputete Valbona, nga koalicioni VLEN.

Gratë në RMV të drejtën e votës e fituan në vitin 1946

Për Vjollca Berishën nga Fronti Evropian, gratë në politikë janë të diskriminuara, ndërsa çdo detyrë që ato mbajnë shihet si e falur nga burrat.

“Çdo rrugë nga ecën gruaja në politikë, politikani mashkull, madje edhe shoqëria në përgjithësi, e konsideron si diçka që duhet t’i jepet asaj, që duhet t’i falet, një rrugë që duhet hapur për kurtuazi, e jo si diçka që esencialisht i takon. “ – thotë ajo .

Procesi për përfshirjen e grave në politikë në Maqedoninë e Veriut ka qenë shumë i ngadalshëm.

Në përbërjen e Kuvendit, në vitin 1990 nga 120 deputetë vetëm 5 ishin gra.

Përcaktimi i „kuotës gjinore“ me ligj, në vitin 2002, ishte hap vendimtar për avancimin e grave në pozita shtetërore.

Neni 64 i Kodit zgjedhor thotë: “Në të gjitha listat e kandidatëve për deputetë të Parlamentit, të dorëzuara për zgjedhjet parlamentare, të paktën 40% e kandidatëve duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar. Këta kandidatë duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjithë listën- në çdo të tretin pozicion në listë, duhet pasur edhe një kandidat plotësues nga gjinia më pak e përfaqësuar në secilën gjysmë të listës“( Ndryshimet e Kodit Zgjedhor 2015,44) . Përpara vitit 2015, përfaqësimi i grave në  listat e kandidatëve rregullohej po ashtu me kuotë që parashikonte të jetë të paktën 30%.

Një nismë për ndryshim të Kodit Zgjedhor, për rritjen e përqindjes së grave deputete nga 40% në 50% ka kohë që është në procedurë parlamentare, por qëndron i bllokuar.

Dëshira për të zhvilluar dhe zbatuar politika efektive që do përmirësojnë shoqërinë e ka çuar drejt rrugës së politikës Marija Mitevën – kandidate për deputete në zonën zgjedhore 1, nga VMRO-DPMNE.

“Në Maqedoni, gratë shpesh përballen me pabarazi në vendin e punës, duke përfshirë paga më të ulëta, mundësi të kufizuara për avancim në karrierë dhe diskriminim në bazë gjinore. Për mua është e papranueshme në shekullin XXI që grave t’u mohohet trajtimi dhe mundësitë e barabarta vetëm sepse jemi gra. Ne duhet të përpiqemi të krijojmë një mjedis pune ku gratë vlerësohen dhe respektohen. Unë them shpesh se kur kemi të njëjtat mundësi, atëherë nuk do të flasim për lidere gra apo burra, por vetëm për liderë. Atëherë do të vijë koha kur do të flasim për mundësitë e bazuara në njohuri, aftësi, kompetenca dhe shkathtësi qofshin burra apo gra” – thotë ajo.

Valbona Adili Emini është e dyta në listën zgjedhore të koaliconit VLEN, zona e pestë zgjedhore. Pozita e grave në politikë nuk është në nivelin e duhur, thotë Adili dhe premton se do të angazhohet për të lehtësuar rrugën e grave që dëshirojnë të kyçjen në politikë.

“Edhe pse jemi bashkëshorte te devotshme, sipërmarrëse të zonja mjeke, arkitekte e inxhiniere, mësuese shembullore, psikologe, artiste e piktore, ne jemi shumë pak të dukshme në sipërfaqe, ne jemi shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe rrjedhimisht shumë pak të ngritura në pozicione kyçe vendimmarrëse”- thotë Adili Emini.

Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e deri më sot nuk ka pasur asnjë grua presidente apo kryetare kuvendi. Numri i grave në udhëheqjen e komunave në vend është shumë i ulët. Nga 81 komuna vetëm 2 prej tyre kanë kryetare gra.

Rita Behadini, aktiviste për të drejtat e grave dhe drejtuese e organizatës “Mollëkuqja” thotë që në një situatë si kjo në të cilën ndodhet vendi ynë, nuk pret që në të ardhmen e afërt të kemi avancim të pozitës së grave në shoqëri, sepse gratë janë në lista zgjedhore vetëm sepse e parasheh ligji.

“Këto zgjedhje partitë politike në vend dëshmuan që nuk e kanë prioritet përfshirjen e grave në politikë dhe pozita vendimmarrëse. Fjalën “evropiane” e kanë vetëm nëpër sloganet e tyre, kurse realiteti tregon që ambienti politik është terren burrash” – thekson Behadini.

“Po nuk pati gra në pozita vendimmarrëse, është gati se e pamundur të dëgjohet zëri i grave kur ato të kenë nevojë. E gratë në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për përfaqësim konstant” – thekson ajo.

“Global Data on National Parliaments” jep të dhëna në rang botëror për sa i përket përfaqësimit gjinor nëpër parlamentet e shteteve në botë. Sipas këtyre të dhënave Islanda është vendi evropian me përfaqësim më të lartë të grave në parlament.

Në Evropë shtetet tjera që kanë përfaqësim më të lartë të grave në parlament janë Suedia dhe Finlanda të cilat kanë 46,7  përkatësisht 46 % gra në parlament.

Në këtë listë Maqedonia e Veriut është në vendin e 23 me 42,5% gra në Kuvend.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Të fundit