E hënë, 20 Maj, 2024

FITORJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

Shkruan: Arben Çejku

Pas disa orësh Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të konfirmojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që u zhvilluan dje, por duket që nuk do të ketë surpriza nga ato të dhëna që janë publikuar deri tani. Mozaiku i forcave politike tashmë shihet i qartë dhe lirisht prej sot mund të nisë një analizë gjithpërfshirëse për gjithë procesin, para se të formatohet qeveria e re.

Fillimisht mund të themi se Maqedonia e Veriut, kaloi një test të suksesshëm të demokracisë elektorale. Në këtë arritje pozitive, një rol domethënës luajti faktori politik shqiptar, i organizuar në dy blloqe koalicioni para-elektoral, siç ishin “Fronti Europian”, i dominuar nga BDI dhe “VLEN”, të cilat zhvilluan nje fushatë zgjedhore intensive dhe europianiste dhe qytetare, pavaresisht disa retorikave apo emocioneve politike të pranueshme.

Edhe dy kandidatët për president nga këto subjekte, z. Bujar Osmani i “FE” dhe z. Arben Taravari nga VLEN, me llojin e garës që bënë dhe me gjuhën që përdorën, u dëshmuan si vlerë e shtuar e kontributit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut!

Për fat të keq, edhe këtë herë Maqedonia e Veriut tregoi se votimet presidenciale apo parlamentare, i dikton vota etnike, e cila e dominon pluralizmin politik dhe nuk ndihmon në harmonizimin e alternativave dhe programeve, por udhëhiqet nga flamujt e etno-politikës…

Pavarësisht se analizën më të mirë për këto zgjedhje do ta bëjnë aktorët dhe faktorët, që morën pjesë në këtë proces dhe ekspertët e politikës, unë përfitoj nga rasti, që të bëj një ftesë publike sipas së cilës, rezultatet zgjedhore në RMV t’i shohim nga një këndvështrim pozitiv dhe t’i lexojmë ato si një fitore shqiptare! Kjo fitore specifikohet më tej nga numrat e dy grupimeve dhe në qasjen që do të kenë në raport me qeverinë e re.

Kjo fitore konsiderohet e tillë, nisur nga sprova që kaloi përgjegjësi kryesor i këtyre zgjedhjeve – Kryeministri Talat Xhaferri, si kryeministri i parë shqiptar në RMV dhe pavarësisht se ishte në krye të ekzekutivit, u përpoq të ruaj ekuilibra dhe të mos nxisë tensione.

Së dyti, dy kandidatët shqiptar për president (që në fakt duhet të kishte unifikim tek një figurë) nuk humbën për shkak të vlerave të tyre individuale, por u penalizuan nga ndarja etnike e votës dhe secili prej tyre do të ishte një president më i mirë se ajo që fitoi nga kampi opozitar maqedonas. Ata ishin fituesit moral të kësaj gare!

Drejtuesit politik të subjekteve elektorale, sidomos kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti, udhëhoqi me mençuri dhe urtësi një konglomerat grupimesh partiake dhe etnike, në kuadër të koalicionit “FE”, duke siguruar një fitore politike shumë të rëndësishme. Fronti Europian (FE) është grupimi i dytë parlamentar pas mazhorancës së VMRO-DPMNE dhe, pavarësisht zhvillimeve në vijim, ai dëshmoi një lidership me përvojë dhe do të mbetet edhe më tutje faktor kyç për zhvillimet politike në RMV si garanci e orientimit euro-atlantik dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (2001).

Po ashtu, drejtuesit e subjekte politike, në kuadër të VLEN, nga kushtet e vështira të opozitës, arritën një fitore historike, të cilën duhet ta ruajnë dhe ta përdorin për të mirën e shqiptarëve dhe të vendit ku jetojnë!

Edhe pse ata patën një udhëheqësi të vështirë kolektive dhe në mungesë të një lideri drejtues, siç FE e kishte zotin Ahmeti, përsëri arritën të zhvillojnë një fushatë elektorale dinjitoze dhe disavantazhin e mungesës së një lideri të fortë në grup, e kthyen në avantazhin e policentrizmit elektoral duke qenë aktiv në disa vende njëherësh duke konsideruar se secili lider subjekti anëtar i VLEN është i barabartë mes të barabartëve! Uroj që ky unitet dhe përgjegjshmëri politike të ruhet edhe në procesin e paralajmëruar të negociatave me Mickocskin. Natyrisht, nuk mohohet as ndikimi dhe mbështetja e dhënë nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili u shfaq shpesh si udhëheqës politik me korrespondencë i VLEN dhe ndoshta ai do të udhëzojë këtë subjekt edhe më tutje në proceset që janë para.

E lexuar nga këndvështrimi i numrave si shifër elektorale on block, vota e FE + VLEN shkon në 32 vende, në parlamentin me 120 anëtarë, duke dëshmuar një fuqi të madhe politike, që ka në dorë shumë më tepër se bashkqeverisjen me Mickovskin. Në çdo rast, ky numër është një lloj garancie për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut në drejtimin euro-atlantik dhe larg retorikës nacionaliste, që u përdor në fushatën elektorale!

Nisur nga kjo platformë e leximit pozitiv të rezultateve zgjedhore, ftoj të gjithë politikanët shqiptarë, sidomos ato që kanë përgjegjësinë e lidershipit të subjekteve të caktuara, t’u bëjnë një ftesë të hapur strukturave dhe mbështetësve të tyre, që prej sot të bëhet një analizë me gjakftohtësi dhe në themel të sjelljes me kundërshtarët politik, të dominojë kultura qytetare, tradita shqiptare e pajtimit e bashkëpunimit – larg hakmarrjes dhe revanshizmit si dhe principet demokratike!

Sjelljet dhe retorikat agresive, kërcënimet, fyerjet, gjuha acaruese dhe përçarëse, nga kushdo që do përdoret, vetëm sa do ta gërryente këtë fitore, e cila është aty në parlamentin e ri të MV për t’u pëdorur për të mirën e qytetarëve dhe jo për interesa të vogla partiake e personale!

Këto nuk janë zgjedhjet e para dhe as të fundit në MV dhe humbja e thellë e LSDM-së, është pasqyra ku duhet të shohin të gjithë fundin që i pret, nëse abuzojnë me besimin e qytetarëve!

Gjithmonë ka kohë për të fituar, ashtu siç humbja nuk është fundi i botës! Përkundrazi, në momentin e daljes në opozitë, fillon beteja për t’u rikthyer në pushtet, ashtu si kundër në momentin që zë vend në qeveri, populli nis e mban shënim gabimet apo mashtrimet!

Ky sukses zgjedhor, kryesisht në kampin elektoral shqiptar në RMV, mendoj se duhet të shërbejë si platformë dialogu të brendshëm politik, në emër të interesave të qytetarëve dhe të shtetit!

Shfrytëzoj rastin t’u uroj suksese gjithë deputetëve të Frontit Europian dhe të VLEN-it, që sot me 9 Maj, në ditën historike të Europës së Bashkuar, të frymëzohen dhe udhëhiqen nga modeli i bashkëpunimit, dialogut dhe përfaqësimit më të mirë te atyre që i votuan!

Autori është ish-ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut 

Të fundit