Në një farë mënyrë Fuko i sheh gjithë marrëdhëniet e pushtetit, ashtu siç shfaqen realisht, nëpërmjet koncepteve dhe nocioneve përcaktuese që mbajnë vulën e tij, siç janë: dija, fuqia, diskursi, ideologjia. Dhe, këto koncepte trajtohen nga ai, në formën e ndërvarësive komplekse, të cilat Fuko i vrojton dhe interpreton përmes një vërtetësie ekstreme. Në anën tjetër të interpretimit të pushtetit, politikës dhe demokracisë qëndron filozofi Habermars, i cili beson se ekziston një natyrë e vërtetë e gjuhës që si e tillë nënkupton një medium të racionalitetit komunikues. Ai beson te një kontekst kulturor, ndërsa gjithë komunikimin gjuhësor e vendosë në një premisë të vetme-argumentim.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI
Nocioni “tranzicion” duket si një menaxhim perfekt i realiteteve politike, ekonomike dhe sociale nga ana e elitave dhe grupeve të ngushta të interesit. Përkundër faktit që gjithnjë janë trumbetuar politikat e mirëqeverisjes, realiteti ka dëshmuar krejtësisht të kundërtën, një deprimim të vazhdueshëm të qytetarëve, një lloj zhgënjimi që më pas është shfaqur në trajta tjera acaruese larg nga debati dhe pjesëmarrja e mirëfilltë politike dhe demokratike.
Nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe të stërzgjatur edhe diskurset nacionaliste, folklorike, të cilat më tepër kanë shërbyer për rreshtime përfituese partiake dhe krijim padurimesh dhe tensionesh të panevojshme etnike, ideologjike dhe sociale. Sikurse në të gjitha vendet e Ballkanit të trazuar edhe këtu, mëlmesat e folklorizmit politik i kanë dhënë “shije” triumfit të elitave politike, por kanë dëbuar nga mirëqenia qytetarët pa dallim nga përkatësia e tyre etnike dhe religjioze. Kur i janë dashur politikës i ka nxitur dhe i ka shfrytëzuar pikërisht këto tullumbace istikamesh folklorike për të mbërritur kështu te i vetmi objektiv-pushteti.
Dhe gjatë tërë kohës në skenën politike në Maqedoni, me pak përjashtime janë ricikluar të njëjtat figura në jetën politike, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë përanash si eminenca gri përfituese që janë vënë në rolin e personaliteteve të pavarura. Pushteti në kuptimin më brutal të fjalës ka qenë kryefjala e “formacioneve” politike, që jetën politike në asnjë rast nuk e kanë kuptuar si një reflektim gjithëprfshirës vlerash dhe standardesh, por si një mjet për të krijuar vijueshmërinë e dominimit në majat e piramidës së pushtetit.
Saherë që pushteti shfaqet për t’u diskutuar në formën më të shfytyruar, gjithnjë impenjohet formulimi i Stefan Cvajgut se pushteti ka vështrimin e meduzës. Ky “vështrim” të përvetëson, të ngurtëson dhe shtron para njeriut vetëm një rrugë, atë të pushtetit, të kuptuar si fuqi dhe kontroll. Padiskutim që politika nuk mund të reduktohet vetëm në këtë shfaqje të saj të vrazhdë, sepse ajo është shumë më tepër, është një lloj arti i organizimit të polisit të kuptuar në gjithë gjerësinë politikave moderne që mund t’i shohim në vendet e zhvilluara perëndimore.
Realisht, në hapësirën e mendimit intelektual, edhe sot kësaj dite po zhvillohet një debat i gjerë mbi atë se çfarë në esencë përfaqëson pushteti. Gjithnjë e më tepër në mendimin filozofik mbi atë se çfarë përfaqëson pushteti, politika dhe demokracia po vihen në pozicione kundërvënese, Mishel Fuko dhe Jurgen Habermarsi. Për Fukonë marrëdhëniet e pushtetit përbëjnë marrëdhënie strategjike në një lojë të hapur politike dhe shoqërore. Në një farë mënyrë Fuko i sheh gjithë marrëdhëniet e pushtetit, ashtu siç shfaqen realisht, nëpërmjet koncepteve dhe nocioneve përcaktuese që mbajnë vulën e tij, siç janë: dija, fuqia, diskursi, ideologjia. Dhe, këto koncepte trajtohen nga ai, në formën e ndërvarësive komplekse, të cilat Fuko i vrojton dhe interpreton përmes një vërtetësie ekstreme.
Në anën tjetër të interpretimit të pushtetit, politikës dhe demokracisë qëndron filozofi Habermars, i cili beson se ekziston një natyrë e vërtetë e gjuhës që si e tillë nënkupton një medium të racionalitetit komunikues. Ai beson te një kontekst kulturor, ndërsa gjithë komunikimin gjuhësor e vendosë në një premisë të vetme-argumentim. Teoria e tij e veprimit komunikues në esencë e nënkupton gjuhën si shoqërizim. Habermars shkon edhe më larg me konceptin e tij të botë-jetës (Lifeworld), si një esencë e vetme e ekzistencës së identitetit europian.
Padiskutim që marrëdhënia e pushtetit me politikën dhe jetën demokratike përgjithësisht shfaqet e komplikuar. Në Maqedoni, akoma duket se mbretërojnë koncepte që politikën e kuptojnë vetëm si fuqi për pushtet dhe gjithë diskurset mbindërtohen vetëm në këtë drejtim, pa mbajtur llogari për shfaqjet tjera të politikës që në plan të parë kanë dialgun, tolerancën, qeverisjen e mirë dhe së fundmi humanizimin e raporteve shoqërore.
Sigurisht, këto mbeten tema që duhet të diskutohen gjerësisht, për të mos e reduktuar politikën vetëm në diskurs fuqie. Tendenca për një reduktim të këtillë gjithnjë ka prodhuar arrogancë politike, e cila fatkeqësisht, tashmë është shndërruar në diskurs publik edhe te një pjesë dërmuese qytetarëve të pranishëm në rrjetet sociale. Tashmë, me pak përjashtime, realisht nuk ekziston një hapësirë debati argumentues, por ekziston një botë e paanë e mediave online që prodhojnë në të shumtën e rasteve fake news, ndërsa poshtë tyre në hapësirat e komentimit kemi fyerje të pafundme.
Mbase kjo mund të quhet arrogancë për arrogancë. Në njërën anë arroganca politike që nuk arriti të zbresë gjatë kohë në realitet njerëzore dhe në anën tjetër arroganca e një bote mediokre të gjithëpranishme që “shprazet” ndaj eliatave dhe ideologjive mosbesuese. Dhe, këtu, në këtë pikë, përfundon komunikimi, veprimi komunikues, siç e definon Habermarsi, për një hapësirë dhe interes të përbashkët të mbështetur në principe të një qeverisje të mirë dhe dialogu të përhershëm që vë në sheshin e debatit pa asnjë paragjykim dhe me tolerancë gjitha temat e mundshme që duhet të shënojnë një hap para drejt një sistemi funksional që në epiqendër ka njeriun si qenie të papërsëritshme dhe dinjitoze në të gjitha rrafshet e ekzistencës së tij.
Maqedonia tashmë është future në një faze më të qetë, në tjera koordinata që kërkojnë horizonte dhe praktika tjera të konceptimit të pushtetit, politikës dhe përgjithësisht të jetës demokratike. Së paku në aspektin diskurziv janë dhënë shenja se diçka mund të ndryshojë, gjithnjë duke u mbështetur në impenjimin e praktikave që vijnë nga vendet europiane pjesë e së cilës familje pretendojmë të jemi. Por, në ndërkohë jemi në prag zgjedhjesh presidenciale, në kohën kur irracionalitetet marrin hov dhe betejat bëhen pa zgjedhur mjetet. Mbase më në fund do të shohim betejë konceptesh në përputhje me natyrën e këtyre zgjedhjeve dhe jo mobilizime mediokre partizanësh partiakë!