E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZGJEDHJET E DYFISHTA NË RMV: A PO DUKET “DEMOKRACIA E DIRIGJUAR”?

Prodhimi për ne i  njohur i kategorisë së “shqiptarëve të ndershëm” dhe veçanërisht teatri absurd i KSHZ-së, të kuptohemi, mund të ndeshet me instinktin e mbrojtjes në partinë e Ahmetit, në formën e një përgjigjeje politike ndaj synimit të shumicës së re për “konsolidimin e radhëve të brendshme maqedonase” që nënkupton një deficit demokratik në përballjen me problemin e quajtur “BDI në opozitë, pse jo”!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Politologu i njohur bullgar, Ivan Krastev, gati një dekadë më parë publikoi një analizë për rëndësinë e zgjedhjeve në kushtet e sotme, në të cilën, si dhe presidentja e jonë maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, përmend – seksin. Kuptohet në një kontekst tjetër, në raport me profesoreshën e së drejtës kushtetuese:

“Seksi nuk është dashuri, kurse zgjedhjet nuk janë demokraci, por askush nuk mund ta kuptojë misterin e dashurisë pa kuptuar tërheqjen seksuale dhe askush nuk mund ta kuptojë demokracinë pa e kuptuar se çfarë do të thotë praktika e mbajtjes së zgjedhjeve. Demokracia bën thirrje për kufizimin e intensitetit të aktorëve politikë dhe në të njëjtën kohë synon dramatizimin e ekzagjeruar të lojës politike. Demokracia duhet të trimërojë apatikët të interesohen për jetën publike, dhe në të njëjtën kohë t’i ftohë pasionet e fanatikëve. Mobilizimi i pasivëve dhe qetësimi i kryeneçëve është thelbi i zgjedhjeve. Por zgjedhjet kërkojnë nga ne që t’i gjykojmë politikanët jo për ato që bëjnë, por për ato që premtojnë se do t’i bëjnë. Në këtë kuptim, zgjedhjet janë një makinë për prodhimin e ëndrrave kolektive”.

Bash kështu: Republika e Maqedonisë së Veriut, tetë ditë pas zgjedhjeve të dyfishta, është në një udhëkryq mes ëndrrës dhe zhgjëndrës. Së pari, presidentja e  sapozgjedhur, ia doli që para se të mbërrinte në vilën e Vodnos, të na përlajë  pothuajse me të gjithë fqinjët (përjashtim bën Serbia), në mënyrë që pastaj  Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të demonstrojë para publikut vendosmërinë për falsifikimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve që rastësisht (sic!) janë votues të Frontit Evropian, të prirë nga BDI.

“Demokracia e dirigjuar” nën stafetën e koalicionit joparimor mes liderëve të rinj të “shqiptarëve maqedonas”, “VMRO-DPMNE-së etnikisht të pastër” dhe dy-tre krahëve të LSDM-së, me këtë lëvizje të përsëritjes së votimit në disa qendra votimi në njësinë e gjashtë dhe të pestë zgjedhore, po përçapet që ta detyrojë partinë më të madhe të shqiptarëve në pension të dhunshëm politik!

Jo, në këtë rast, nuk vlen slogani “fituesit i takon gjithçka”! Fituesja absolute VMRO-DPMNE me sjelljen e vet politike sikur nga buka po kërkon kulaç, duke harruar me këtë rast se në shoqërinë tonë heterogjene, për nga kombi dhe feja, për të qenë të gjithë të kënaqur, detyrimisht duhet respektuar vullnetin e  popullsisë së dytë, për nga numri, në vend me çka përforcohet edhe ajo që quhet stabilitet politik dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare.

Prodhimi për ne i  njohur i kategorisë së “shqiptarëve të ndershëm” dhe veçanërisht teatri absurd i KSHZ-së, të kuptohemi, mund të ndeshet me instinktin e mbrojtjes në partinë e Ahmetit, në formën e një përgjigjeje politike ndaj synimit të shumicës së re për “konsolidimin e radhëve të brendshme maqedonase” që nënkupton një deficit demokratik në përballjen me problemin e quajtur “BDI në opozitë, pse jo”!

Fundja, cili është interesi për të marrë pjesë në zgjedhje kur, edhe përkundër fitores, gjithçka varet nga “vëllai i madh”? Pse të ketë organizim politik (partiak), kur gjithçka varet nga partitë shtetformuese nacionale maqedonase (LSDM, VMRO-DPMNE) të cilat kanë të drejtën dhe rregullën e pashkruar që të zgjedhin aleatë të dëgjueshëm, në rastin konkret nga blloku shqiptar, duke bërë diferencimin në të pranueshëm e të papranueshëm? Dhe, duke paralajmëruar, në këtë shtrirje, ndryshime sistemore që vënë në pikëpyetje nivelin e arritur të barazisë së shqiptarëve (angazhimet për një kushtetutë qytetare, ndryshim të balancuesit, etj.).

Konform kësaj, nuk dalin të huaja zërat për një përgjigje adekuate nga pala shqiptare, në formën e afirmimit të një veprimi politik tjetërfare në drejtim të stabilizimit të asaj që tashmë është arritur dhe pse jo – pranimit të një filozofie tjetër që nuk përjashton vlime të reja politike.

Të fundit