E hënë, 6 Maj, 2024

QYTETARËT E RMV-së SOT VOTOJNË NË RRETHIN E PARË TË ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot, që nga mëngjesi votojnë në rundin e parë të zgjedhjeve për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që nga ora 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Në garë janë shtatë kandidatë: Presidenti aktual Stevo Pendarovski(61) nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova(68), nga partia opozitare VMRO-DPMNE, Bujar Osmani(44) nga koalicioni “Fronti Europian”, Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN”, Biljana Vankovskën(64) nga e Majta, Maksim Dimitrievskin(48) nga ZNAM, dhe Stefçe Jakimovskin(63) nga GROM. Këto janë zgjedhjet e shtata me radhë për presidentin e ri të vendit.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se procesi zgjedhornë  po zhvillohet kryesisht i qetë, pavarësisht disa pengesave të vogla teknike në disa qendra votuese.

Që dy orë e gjysmë që kur ka filluar votimi, në të gjitha vendvotimet procesi zgjedhor po rrjedh pa parregullsi. Deri në orën 09:00 kanë arritur të dhëna nga 832 vendvotime nga gjithsej 402 748 votues të regjistruar në këto vendvotime kanë votuar 15487 apo 3.85 për qind e votuesve. Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar 12 parashtresa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtës zgjedhore të cilat janë lëndë e përpunimit”, ka deklaruar Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07.00.

Sipas KSHZ-së, deri në orën 13:00 kanë votuar 417.170 votues, gjegjësisht 26,35%. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758  votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Pjesëmarrje më e lartë në votime, prej 42.86 për qind, është regjistruar në komunën e Novacit, në jug të Maqedonisë së Veriut, ndërsa më e ulët, prej 10.18 për qind, është regjistruar në komunën e Vrapçishtës në rajonin e Gostivarit, në pjesën perëndimore të vendit.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nuk ka regjistruar ndonjë prishje serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit, përveç se në fshatin Buçim të Radovishit, një person ia ka treguar fletën e votimit një vëzhguesi të një partie politike. Megjithatë, nga kjo ministri thanë se në përgjithësi, procesi po zhvillohet qetë, dhe pa probleme.

Që nga hapja e votimit në orën 7 nuk janë vërejtur probleme të mëdha. Dy fotografi të fletëve të votimit janë regjistruar në Shkup dhe Shtip. Në Radovish, një person ia tregoi fletën e votimit një vëzhguesi. Për të gjitha këto ngjarje janë marrë masa për zbardhjen e rastit”, tha Angellovski.

Kandidati për president nga koalicioni “Fronti Europian”, Bujar Osmani, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, pasi votoi në Çair të Shkupit tha se qytetarët duhet të zgjedhin mes dy opsioneve “integrimit apo izolimit të vendit”.

Uroj zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Unë mendoj që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë për shkak se shteti është në udhëkryq. Para nesh janë dy opsione dhe qytetarët duhet të vendosin për njërin prej këtyre opsioneve: integrimin apo izolimin”, u shpreh Osmani.

Kurse kandidati për president Arben Taravari, nga koalicioni opozitar “VLEN”, aktualisht kryetari i Komunës së Gostivarit, pas votimit apeloi edhe qytetarët që të realizojnë të drejtën e votës, duke shtuar se 8 maji do të jetë ditë e rëndësishme.

Sot bashkë me familjen e bëmë obligimin tonë si qytetarë të këtij shteti. Porosia ime është që këto zgjedhje të kalojnë fer dhe të jenë demokratike dhe në fund sot është dita kur sovrani vendos kush do t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kushdo qoftë që merr më shumë përkhrahje do ta urojmë. Shpresoj që 8 maji të jetë ditë më e rëndësishme se sot”, tha Taravari.

Kandidatët për president

Në garë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski(61), i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË PENDAROVSKI E SILJANOVSKA DAVKOVA

 

Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje merr pjesë me Gordana Siljanovska Davkovën(68), e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë.

Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon me Bujar Osmanin(44), ministrin aktual të Punëve të Jashtme.

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË OSMANI E TARAVARI?

Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin(50), kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski(48), kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski(63), kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska(64), kandidate e partisë “E Majta”.

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË VANKOVSKA, DIMITRIEVSKI DHE JAKIMOVSKI

Sikurse njofton Radio Evropa e Lirë, sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Në të gjitha zgjedhjet presidenciale të deritanishme është siguruar censusi prej të paktën 40 për qind.

Rezultatet e para pritet të publikohen pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19.00.

Ato, sikurse edhe në ciklet e kaluara zgjedhore, fillimisht do të publikohen nga shtabet e kandidatëve ndërsa KSHZ-ja do t’i publikojë më së voni deri nga mesnata e 24 prillit.

Po ashtu, kandidatët për president kanë nënshkruar edhe një kod për zgjedhje të drejta dhe demokratike, dhe për përmbajtje nga etiketimet dhe gjuha e urrejtjes.

Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

 

 

 

Të fundit