E shtunë, 18 Maj, 2024

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË OSMANI E TARAVARI?

Fushata për zgjedhjet presidenciale ka filluar të enjten (4 prill), me shtatë aspirantë për postin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e tyre janë edhe dy shqiptarët, Bujar Osmani(44) nga koalicioni “Fronti Europian” (BDI) dhe Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN”. Fushata do të vazhdojë deri në mesnatën e 22 prillit, ndërsa votimi për raundin e parë është caktuar për 24 prill, të mërkurën që do të jetë ditë jopune. Por, çfarë ofrojnë kandidatët Taravari e Osmani për këto zgjedhje presidenciale? Kjo është çështja që do të zbërthehet gjatë fushatës.

Shkruan: ENIS SHAQIRI

Fushata për zgjedhjet e shtata presidenciale ka filluar në një atmosferë të ngarkuar me “pritje dhe emocione”. Shtatë kandidatë janë në garë për postin më të lartë të vendit, në mesin e tyre, edhe Bujar Osmani dhe Arben Taravari , të mbështetur nga dy kampet rivale të pozitë-opozitës shqiptare.

Presidenti i shtetit është zyrtari më i lartë shtetëror, të cilin qytetarët e votojnë në zgjedhje.

Por, çfarë propozojnë Osmani dhe Taravari?

Osmani: Pse jo Presidenti i parë shqiptar

Kryediplomati Osmani, gjatë një konference shtypi përpara vilës presidenciale në Vodno ka njoftuar të enjten se do të vazhdojë fushatën e tij nën slloganin “President Europian” dhe me programin zgjedhor “Dekalogu i Presidentit Europian”.

Ai theksoj se zgjedhjet presidenciale  janë një referendum për të ardhmen e RMV-së, dhe se rruga që duhet zgjedhur do të përcaktojë nëse do të shkohet drejt një të ardhmeje evropiane të pasur apo drejt një izolimi të pa perspekitvë.

Kandidati për President nga Fronti Europian, Bujar Osmani gjatë konferencës për shtypi përpara vilës presidenciale në Vodno, i shoqëruar nga të rinj të Koalicionit. Fotografia e marrë nga profili i tij në facebook.

Sot filloj një mision shumë të rëndësishëm jo vetëm për mua por për të gjithë qyetarët e vendit. Një rrugë na çon drejt të ardhmes së begatë europiane, kurse rruga tjetër na çon drejt izolimit, paqartësisë, dhe rrugës pa perspekitvë”, – tha Osmani.

Zotimet e Osmanit në platformën e tij për President janë: Integrimi në BE deri në vitin 2030. Zgjedhja e Presidentit në Kuvend me shumicë të dyfishtë. Partneriteti dhe dialogu strategjik me SHBA. Formimi i Bordit ndërkombëtar me SHBA, BE dhe NATO për çertifikimin e të gjithë bartësve të funksioneve publike. Përforcimi i Armatës konform standardeve të NATO-s. Marrëveshja kornizë ekonomike. Etablimi adekuat ndërkombëtar përmes politikës së jashtme. Mbajtja e të rinjve në vend. Edukimi dhe inovacioni, si dhe Agjenda e gjelbër.

Osmani beson se përvoja e tij në proceset integruese do të përshpejtojë integrimin  e vendit në Bashkimin Evropian.

Duke qenë se më është dhënë nga ju mundësia që të shërbej në proceset më të rëndësishme integruese në vend, besoj se kam përvoja dhe njohuri, kam kredibilitetin dhe kontaktet në qendrat e vendimmarrëjes, kam përkushtimin të rombullaksoj ëndrrën e çdo familjeje dhe qytetari në vendin tonë, integrimin në Bashkimin Evropian”, – premtoi kryediplomati Osmani duke nënvizuar se kandidimi i tij për president I mbështetur nga  koalicioni i nëntë partive politike të mbledhura në Frontin Europian, ka për qëllim që të ruajë kursin euro-atlantik të vendit, marrëdhëniet ndër-fqinjësore, si dhe të rrumbullakësojë gjatë mandatit të ardhshëm,  integrimin e RMV-së në Bashkimin Evropian.

Taravari: Do të jem President proaktiv

Në anën tjetër, Platform e kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, bazohet në katër shtylla: Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë. RMV prodhuese e sigurisë. RMV shtet i së drejtës, dhe e katërta, RMV demokraci konsensuale.

Platforma ime e përbashkuar paraqet vizionin tim për navigim në këto kohëra të turbullta, në të cilën presidenti i shtetit duhet të jetë aktor proaktiv në përballje me sfidat e njohura dhe ato të panjohura”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Gjatë prezantimit të platformës së tij, ai gjithashtu ka theksuar se do të kërkojë nga Kuvendi edhe daljen e Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur.

Kandidati për President Arben Taravari nga koalicioni VLEN, duke prezantuar vizionin dhe platformën e tij, para të rinjve.

Bazuar në nenin 121 të Kushtetutës do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të RMV-së nga nisma Ballkani i Hapur. Do të angazhohem për harmonizim të plotë të politikës së jashtme me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Është bindja ime e thellë dhe realitet i pamohueshëm që BE-ja, ShBA-ja dhe NATO-ja janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm”, – theksoi Taravari.

Vendi, sipas Taravarit, aktualisht përballet me krizë të trefishtë ekonomike, politike dhe etike. Këto kriza, sipas tij, e kanë polarizuar shoqërinë dhe kanë ndikuar në thellimin e ndasive, rritjen e euroskepticizmit, forcimin e narrativëve ekstremiste dhe minimizimin e demokracisë liberale dhe konsensuale.

Taravari premtoi që si president do të mundohet të realizojë vetingun në gjyqësor dhe prokurori.

Ky trup do të ketë për synim promovimin e etikës dhe moralit në jetën publike, si organ këshillimor i Presidentit dhe organeve shtetërore përgjegjëse për shtetin e së drejtës, do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit”, premtoi Taravari, duke theksuar edhe angazhimin e tij për heqjen e përkufizimit të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin mbi 20%.

Përveç, Bujar Osmanit e Arben Taravarit,  në garën presidenciale  janë edhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO – DPMNE, presidenti aktual Stevo Pendarovski nga LSDM, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Biljana Vankovska nga  E majta dhe Stevço Jakimovski nga partia GROM. Me programet e tyre zgjedhore do t’ju njoftojmë gjatë ditëve në vazhdim.
Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale  zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja deri në ditën e votimeve më  24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

 

Të fundit