E martë, 30 Prill, 2024

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË VANKOVSKA, DIMITRIEVSKI DHE JAKIMOVSKI

Çfarë atributësh duhet të posedojë Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut? Kjo është dilema që dominon në arenën zgjedhore presidenciale. Kandidatët kanë filluar të ofrojnë një gamë të gjerë premtimesh dhe sloganesh, të gjitha me synimin për të tërhequr elektoratin. Në njërën anë, disa prej tyre janë të përqendruar në rikthimin e dinjitetit kombëtar maqedonas, të tjerë janë më shumë të orientuar në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Megjithatë, ka edhe kandidatë të cilët zotohen se nuk do t’i ndajnë qytetarët mbi baza etnike apo fetare. Fushata zgjedhore ka filluar më 4 prill, me shtatë aspirantë në garë për postin e Presidentit, përfshirë Biljana Vankovskën(64) nga e Majta, Maksim Dimitrievskin(48) nga ZNAM, dhe Stefçe Jakimovskin(63) nga GROM. Por, çfarë konkretisht ofrojnë këta?

Shkruan: ENIS SHAQIRI

Biljana Vankovska – kandidate e së Majtës ka premtuar, se fushata e saj do të jetë krejtësisht e kundërt nga oponentët e saj. Ajo ka ngritur fushatën e saj mbi premtimin për kthimin e dinjitetit maqedonas, ndërsa fushatën e saj do ta vazhdoj nën slloganin “po i kthejmë dinjitetin kombit”.

Biljana Vankovska në garën për presidente si kandidate e të Majtës. Foto: Petr Stojanovsk.

E falënderoj ‘Të Majtën’ që më dha besimin dhe përgjegjësinë. Edhe pse nuk jam anëtar i partisë, ndihem si pjesë e ekipit. Ju e dini se unë njëherë kam tentuar të marr pjesë në zgjedhjet presidenciale si kandidat i pavarur dhe falënderoj ata disa mijëra qytetarë që kanë dhënë nënshkrimet e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”, ka thënë Vankovska.

Vankovska ka një pjesë të programit të plotësuar me tezën se “vendi po zhytet në trekëndëshin e Bermudës”.

Trekëndëshi ka tre kënde dhe ne kemi tre marrëveshje që e zvarritin të zhytet në kuptimin politik, demokratik, identitar dhe në çdo kuptim tjetër. Vite më vonë, që nga marrëveshja e parë, Marrëveshja Kornizë, e deri te kjo e fundit, dhe ajo që na varet mbi kokë me ndryshimet kushtetuese që kërkon Bullgaria, janë elementë që nuk na japin as shpresë dhe as mundësi për të besuar se do të dalim. ose se do të shkojmë drejt një të nesërme më të mirë. Është koha e fundit për të kthyer një fletë të re”, tha Biljana Vankovska, kandidate e së Majtës për presidente të Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se kjo është përpjekja e dytë e Vankovskës për të hyrë në garën presidenciale. E para ishte 10 vite më parë kur ajo shpalli kandidaturën si e pavarur, por nuk arriti të mblidhte numrin e duhur të nënshkrimeve.

Vankovska, po ashtu,  është e njohur në opinion edhe për qëndrimet e saja nacionaliste kundër shqiptarëve.

Biljana Vankovska , në ditën e aksidentit në Llaskarcë (2019),  ku humbën jetën 16 persona, nëpërmjet rrjetit social Fecebook shpërndau statusin “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”, i cili u cilësua gjuhë e urrejtjes pasi aksidentin e ka lidhur me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk, jo fort larg vendit ku ndodhi aksidenti,  në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë.

Për statusin e Vankovskë, asokohe reagoi menjëherë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi duke kërkuar që organet kompetente, por edhe bota akademike menjëherë të reagojnë. Kundër fjalorit të profesoreshës universitare, aktivisti për të drejtat e njeriut Albert Hani asokohe, ngriti një peticion .

Por, pavarësisht gjuhës urrejtjes për Llaskarcën, prokuroria nuk e ndoqi penalisht.

Maksim Dimitrievski

Kandidati i ZNAM,  Maksim Dimitrievski fushatën e ka filluar në mënyrë simbolike nga Krusheva, ku premtoi se zëri dhe energjia e tij do të fokusohen në përforcimin e mbrojtjes, sigurisë, institucioneve dhe qytetarëve në përgjithësi.  Dimitrievski fushatën do ta vazhdojë nën slloganin “Maksimumi për Maqedoninë”, kurse programin e ka emërtuar “Manifesti për Maqedoninë”.

Maksim Dimitrievski, kandidat për President, kyetar i komunës së Kumanovës si dhe themeluesi i partisë politike ZNAM

Ne do të mundohemi që në periudhën e ardhshme të arrijmë drejtpërdrejt te qytetarët. Do të fillojmë simbolikisht nga Krusheva ku u hodhën themelet e vendit tonë. Do t’ua shpjegojmë qytetarëve programin tonë, i cili përmban pesë parime specifike, me zgjidhje konkrete për mundësitë tona si shtet”, ka thënë Dimitrievski.

Dimitrievski gjithashtu është kyetar i komunës së Kumanovës si dhe themeluesi i partisë politike “Për Maqedoninë Tonë” (ZNAM).  Dimitrievski gjithashtu është zotuar se do të heq edhe ndryshimet edhe Kodin Penal, të miratuar nën “flamurin evropian”.

Stefçe Jakimovski

Në anën tjetër, kryetari i GROM-it, njëherit edhe kryetar i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski fushatën zgjedhore e filloi nga Tetova, nën slloganin “Trim për Maqedoninë”, nën koalicionim me PEFR, dhe Integra.

Jakimovski ka thënë se presidenti i shtetit nuk do të jetë rastësisht funksion protokollar sepse, siç tha, “do të ballafaqohet me presione të mëdha, me ndryshime të ligjeve të çuditshme dhe të Kushtetutës dhe presion për të hequr dorë nga çështjet e identitetit”.

Kryetari i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski njëherit kandidat për President nga subjekti politik GROM / Foto: Free Press, Dragan Mitreski.

Ai ka premtuar, se nëse fiton në garë presideciale asnjëherë nuk do të bëjë ndarjen e qytetarit në bazë etnike apo fetare. “Çdo qytetar tek unë do të ketë mbërojtësin e vërtetë”, ka thënë Jakimovski.

Kurse për politikën e jashtme, Jakimovski ka thënë  se do të përpiqet që “të forcojmë pozitat tona në strukturat e NATO-s dhe t’i plotësojmë kushtet për hyrje në Bashkimin Evropian, por me këmbëngulje të qartë dhe respekt më të madh për vendin tonë dhe për t’ia bërë të qartë BE-së se nuk do të negociojmë me askënd për identitetin dhe gjuhën dhe nuk jemi gati të presim pafundësisht hyrjen në BE”.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit muaj më parë njoftoi se ka futur në listën e zezë Stevçe Jakimovski për shkak të, siç u tha: “Jakimovski ishte i përfshirë në veprime korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për vete dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë Departamenti i Shtetit.

Jakimovski, e ka quajtur “veprim të pandershëm” përfshirjen e tij në listën e zezë amerikane, duke shtuar se “ka për qëllim largimin e tij nga gara presidenciale të favor të ndonjë kandidati tjetër që “nuk qëndron mirë” në hulumtimet e opinionit publik, duke aluduar në presidentin aktual, Stevo Pendaroski, i nominuar edhe për një mandat në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill”.

Përveç, Biljana Vankovskas, Maksim Dimitrievskit, dhe Stefçe Jakimovskit, në garën në garën presidenciale  janë edhe Gordana Siljanovska Davkova (68) nga VMRO – DPMNE, presidenti aktual Stevo Pendarovski(61) nga LSDM, Bujar Osmani(44) nga koalicioni “Fronti Europian” (BDI) dhe Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN”.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të vazhdojë deri në mesnatën e 22 prillit, kur edhe fillon heshtja deri në ditën e votimeve më  24 prill, të mërkurën që do të jetë ditë jopune. Kurse raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Në raundin e parë president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës.

Të fundit