E diel, 19 Maj, 2024

PRESIDENCIALET: ÇFARË OFROJNË PENDAROVSKI E SILJANOVSKA DAVKOVA

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ka filluar me shtatë kandidatët për postin e Presidentit. Qytetarët tashmë po ballafaqohen me programe, premtime, pllakata, si dhe debate parazgjedhore. Në kampin politik maqedonas, më të dukshëm janë Gordana Siljanovska Davkova(68), nga partia opozitare VMRO-DPMNE, dhe Presidenti aktual Stevo Pendarovski(61) nga LSDM. Por, çfarë ofrojnë kandidatët Pendarovski e Siljanovska Davkova?

Shkruan: ENIS SHAQIRI

Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut ka nisur të enjten (4 prill), me shtatë kandidatë që synojnë postin e Presidentit. Kandidatët, kush më shumë e kush më pak, kanë shpalosur ofertat e tyre dhe nuk është se nuk mungojnë përplasjet, në distancë, thuajse mes të gjithë pjesëmarrësve në këtë garë që vlerësohet si vendimtare për të ardhmen e vendit. Kjo për shkak se rezultati i Presidencialeve do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet parlamentare të tetë majit, kur zhvillohet raundi i dytë i Presidencialeve.

Presidenti në Maqedoninë e Veriut është zyrtari më i lartë shtetëror, i zgjedhur nga qytetarët, por me kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i Armatës, dekreton mandatarin për formimin e qeverisë dhe ambasadorët për shërbime jashtë vendit, bën disa emërime në organet gjyqësore dhe në organet e sigurisë, por ata duhet të miratohen edhe në Kuvend.

Por, çfarë ofrojnë kandidatja nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova dhe  ai I pozitës maqedonase, LSDM-së,  Stevo Pendarovski?

Siljanovska Davkova: “Maqedonia është përsëri krenare”

Kandidatja për president, Gordana Siljanovska Davkova, ka ngritur fushatën e saj mbi premtimet për rikthimin e ndjenjës së krenarisë maqedonase. Ajo ka njoftuar se fushata e saj do ta vazhdoj nën slloganin “Maqedonia është përsëri krenare”.

Kandidatja për President nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Dakova. (Foto: G. Lichovski)

Mund të ndryshoni gjithçka, por mëmëdheun asnjëherë. Jo rastësisht jemi lindur në Maqedoni, këtu buron energjia për ta bërë vendin më të fortë më të dashur dhe më konkurrues. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë respekt në arenën ndërkombëtare“, ka thënë Siljanovska Davkova.

Zotimet e Dakovas  në platformën e saj për Presidente janë: Reforma të mëdha në statusin presidencial. Përmirësimi i Kushtetutës, ku ajo ka premtuar se do të thirrë një ekip të ekspertëve të ligjit kushtetues, vendas dhe ndërkombëtar, për të shqyrtuar Kushtetutën dhe identifikuar pikat që po shkaktojnë probleme aktuale që vendi po përjeton. Interesa kombëtare dhe shtetërore. Dimensioni femëror në politikë,

Dakova ka premtuar  se do të punojë për pajtim dhe bashkim, si dhe për formimin e aleancave të reja, megjithëse nuk ka specifikuar se cilat do të jenë ato.

Ne kemi parë se ku na çuan ndarjet. Ato e bënë këtë shtet që t’i ngjajë një arene gladiatorësh. Të tjerët nuk janë armiku ynë, por partnerë, për çfarëdolloj çështjeje”, ka vlerësuar Silkjanovska Davkova.

Pendarovski: “Presidenti ynë Stevo”

Në anën tjetër, Presidenti aktual, Stevo Pendarovski që garon me mbështetjen e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ka njoftuar se sllogani i tij do të titullohet “Presidenti ynë Stevo”. Pendarovski ka thënë se nëse e merr sërish mandatin e presidentit do të vazhdoj t’i trajtojë të gjithë qytetarët njëlloj pa marë parasysh se çfarë kombi apo feje janë ata. Do të vazhdoj të bashkëpunoj dhe respektoj të rinjtë, ka thënë Pendarovski.

Zotimet e Pendarovskit në platformën e tij për President janë: Kandidatura e pavarur. Anëtarësimi në BE. Qëndrimi ndaj Marrëveshjeve: Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se çdo njoftim për anulim të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë ka për qëllim marrjen e pikëve politike. Anëtarësimi në BE. Hapja e Kushtetutës: Pendarovski ka propozuar hapjen e Kushtetutës për të përfshirë tre elemente: përfshirjen e bullgarëve dhe minoriteteve të tjera në Kushtetutë; heqjen e formulimit ‘20 përqind’ për gjuhën shqipe; zgjedhjen e presidentit në Parlament dhe jo më në zgjedhje.

Presidenti aktual Stevo Pendarovski që garon me mbështetjen e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet. Fotografia nga profili i tij zyrtar në facebook.

Në javët e ardhshme qytetarët do të gjenden para dilemave të njëjta sikur edhe shumë vite më parë, që t’ua japin besimin pseudo-patriotëve apo atyre që treguan se dinë dhe munden ta pozicionojnë Maqedoninë e Veriut në vendin e duhur. Atyre që dinë t’i mbrojnë interesat shtetërore në botë, atje ku të mëdhenjtë diktojnë rregullat”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Pendarovski theksuar se edhe pse ka një mandat pesëvjeçar, qytetarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë se për çfarë ka qenë president, kundër çfarë ka qenë dhe e dinë se çfarë mund të presin në pesë vitet e ardhshme, Pendarovski tha se dëshiron t’i ndaj me qytetarët pikëpamjet e tij për çështjet me dinamikë specifike politike.

Mendoj se konteksti ka ndryshuar pak në 5 vitet e fundit, si ai rajonal, ashtu edhe i brendshëm, natyrisht edhe ndërkombëtar me luftën në Ukrainë dhe se duhet të them gjithashtu se pikëpamjet e mia janë rishikuar për disa çështje që kanë një dinamikë të veçantë politike specifike”, ka shtuar Pendarovski.

Përballja e Dytë

Pendarovski dhe Siljanovska Davkova ishin kundërshtarë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale (raundi i parë më 21 prill, raundi i dytë më 5 maj) në vitin 2019, kur kreu aktual i shtetit fitoi në raundin e dytë.

Atë kohë u regjistruan gjithsej 1.808.131 votues. Në rrethin e parë votuan 753 520 (41,67%), ndërsa në rrethin e dytë votuan 843,508 (46,65%) votues.

Billbordet e Gordana Siljanovska Davkovës dhe Stevo Pendarovskit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 Foto: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski.

Nga ky numër votuesish, Pendarovski mori 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova nga (VMRO-DPMNE) 319.364 vota, ndërsa kandidati Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA,  79.921 vota.

Në raundin e parë president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës.

Përveç, Gordana Siljanovska Davkova, dhe Stevo Pendarovskit në garën presidenciale janë edhe Bujar Osmanit nga koalicioni “Fronti Europian” (BDI), Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN”, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Biljana Vankovska nga  E majta dhe Stevço Jakimovski nga partia GROM.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale  zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja deri në ditën e votimeve më  24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

 

 

Të fundit