E hënë, 29 Prill, 2024

SOT VENDOSET PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS

Votimi i së martës është paraprirë nga shumë dilema, diskutime e lobime. Megjithatë, burime të KOHËS thonë se raporti i raportueses Dora Bakoyannis, që fton vendet anëtare të ftojnë Kosovën si anëtare të re, do të ketë vota të mjaftueshme. Për kalim të raportit duhen votat prej të 2/3 të deputetëve të pranishëm në sallë, – përcjell kdp.mk shkrimin e Kohës Ditore.

Delegacionet e parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE) janë konsultuar gjatë gjithë ditës së hënë në prag të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, që do të mbahet të martën (sot), dhe përshtypja është se raporti i raportueses Dora Bakoyannis, që fton vendet anëtare të ftojnë Kosovën si anëtare të re, do të ketë vota të mjaftueshme.

Kjo do të nënkuptonte dhënien e dritës së gjelbër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Megjithatë ka shumë dilema dhe ato janë nxitur gjatë ditëve të fundit, por edhe të hënën. Për shembull Italia, përkatësisht deputetët nga ky vend, mësohet se kanë dorëzuar një amendament sipas të cilit do të duhej që së pari Kosova të themelonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe para se të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Deputetët e tjerë kryesisht janë kundër këtij amendamenti, sepse ai shkon ndesh me raportin e përgatitur nga raportuesja Dora Bakoyannis.

Në anën tjetër, ka edhe shtete anëtare të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por u kanë sugjeruar deputetëve të tyre të mos e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Megjithëkëtë, burimet thonë se do të sigurohet vota pro e dy të tretave të deputetëve që do të jenë të pranishëm në seancë.

Ka edhe spekulime që mund të ndodhë të mos sigurohet kuorumi i nevojshëm. Për kuorum duhet që një e treta e deputetëve të jenë në sallë e që i bie mbi 90 deputetë.

Pra ka shumë dilema, por pritjet janë që sot të kalojë ky raport edhe në Asamble dhe më pas do t’i bartet Këshillit të Ministrave të Jashtëm, që do të takohet në muajin maj.

Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë në muajin maj do të përmbyllej ky proces me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Por, për shkak të hezitimit të disa vendeve të QUINT-it, tash duket se është rrezikuar ajo mbështetje. Andaj gjërat mbeten të paqarta.

Po ashtu, për shkak të lobimit të fuqishëm që ka ndërmarrë Serbia ditëve të fundit, por edhe disa shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por që kësaj radhë janë kundër anëtarësimit të saj në KiE, në Starsbourg janë angazhuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, për të siguruar votat e mjaftueshme që të martën të miratohet raporti edhe në Asamble Parlamentare.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 – do të nënkuptonte, mes tjerash, përfaqësimin e parlamentarëve të saj në Asamblenë Parlamentare të organizatës. Kosovarët, po ashtu, do të mund t’i paraqisnin rastet e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shumica e amendamenteve të propozuara për Kosovën në KiE lidhen me Asociacionin. Sipas dokumentit që ka siguruar KOHA, në një amendament disa deputetë serbë kanë rekomanduar që paragrafi 11 që parasheh se Asociacioni të jetë zotim i Kosovës pas anëtarësimit, të zëvendësohet me paragrafin që e konsideron formimin e Asociacionit si parakusht.

Në amendamentin e propozuar nga deputetë italianë, propozohet që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës./KD/

 

 

Të fundit