E hënë, 29 Prill, 2024

OSMANI DHE PENDAROVSKI ME VLERËSIME TË NDRYSHME PËR SIGURINË

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të shmangin udhëtimet jo thelbësore në Izrael, Iran, Liban dhe territoret palestineze, apeloi dje Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Apeli vjen pas sulmit iranian ndaj Izraelit me mbi 300 raketa, si hakmarrje për sulmin ndaj ambasadës iraniane në Damask, raporton DW, përcjell KDP.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Izrael janë më së shumti 40-50 shtetas maqedonas, përfshirë edhe familjet e stafit diplomatik në Tel Aviv.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili dje mori vendim për krijimin e një shtabi të krizës që do të organizojë nxjerrjen e shtetasve maqedonas nga Izraeli dhe më gjerë, nëse lind nevoja, ka dënuar ashpër sulmin masiv të Iranit ndaj Izraelit, gjë që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme. Nëse nuk parandalohet dinamika e mëtutjeshme jashtëzakonisht negative, sipas Osmanit, ajo ka potencial të shndërrohet në një luftë rajonale, e cila direkt ose indirekt do të ketë ndikim jashtë rajonit.

“Së bashku me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë, një tjetër krizë serioze ushtarake rajonale në Lindjen e Mesme mund të ketë implikime dramatike për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, tha kreu i diplomacisë.

Ai i bëri thirrje Presidentit që të thërrasë një seancë të Këshillit të Sigurimit, ku do të shqyrtohen skenarët e mundshëm të përshkallëzimit të mundshëm të situatës në Lindjen e Mesme dhe riaktualizimit të rrugës ballkanike të emigrantëve.

Kreu i shtetit tha për televizionin Telma se situata është duke u monitoruar dhe presidenti është në komunikim të vazhdueshëm me partnerët e NATO-s.

“Situata po monitorohet me kujdes dhe aktualisht vlerësohet se nuk ka asnjë kërcënim të sigurisë për Maqedoninë e Veriut. Nëse do të merret vendim për thirrjen e seancës së Këshillit të Sigurimit, publiku do të informohet në kohën e duhur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit të Shtetit.

Vetëm Këshilli i Ambasadorëve bëri një deklaratë, i cili informoi se monitoron nga afër situatën në Lindjen e Mesme në lidhje me luftën mes Hamasit dhe Izraelit dhe ngjarjet që pasuan sulmin e Hamasit, sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite ndaj objektivave në Rripi i Gazës dhe implikimet ndërkombëtare që shkaktuan ato veprime ushtarake, nga të cilat vuajnë më shumë qytetarët e pafajshëm, ekonomia dhe paqja në rajon, por edhe në mbarë botën.

“Këshilli i Ambasadorëve e përkrah Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë për veprimet që i ndërmerr për mbrojtjen dhe organizimin për kthimin e qytetarëve të Maqedonisë nga territoret e krizës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Këshilli i Ambasadorëve përshëndeti marrëveshjen për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shqyrtuar situatën dhe për të marrë qëndrime në favor të paqes, që do të thotë në favor të gjetjes diplomatike të një rrugëdaljeje nga situata e krizës.

Nga atje besojnë se të gjitha partitë vendore relevante dhe pjesëmarrësit në fushatat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare duhet që në aspektin e kujdesit për qytetarët dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete në situata të tilla dhe të ngjashme, të harmonizojnë pikëpamjet e tyre në përputhje me vendimet e marra në Kuvend dhe me detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe vazhdimi i negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Të fundit