E hënë, 29 Prill, 2024

OSMANI: RMV BASHKËSPONSORE E REZOLUTËS SË OKB-së PËR SREBRENICËN

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka njoftuar se Maqedonia e Veriut i është bashkangjitur propozim-rezolutës për ta shpallur gjenocid masakrën në Srebrenicë. Rezoluta, e cila pritet të votohet më 2 maj në OKB, është mbështetur nga më shumë se 17 vende, së bashku me Maqedoninë e Veriut si vend bashkë-sponsorë, ndërsa më 11 korrik pritet të shpallet edhe si ditë ndërkombëtare e përkujtesë së gjenocidit në Srebrenicë. Osmani ka kërkuar që këtë rezolutë ta përkrahë edhe Serbia, pra të pranojë se ka kryer gjenocid, edhe të sigurojë se një gabim të tillë nuk do ta përsërisë më.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, kandidatit për President nga koalicioni “Fronti Europian”, Bujar Osmani, i është bashkangjitur propozim-rezolutës për ta shpallur gjenocid masakrën në Srebrenicë, e cila pritet të votohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 2 maj.

Ministria e drejtuar nga Osmani, jo vetëm që e përkrah këtë rezolutë, por tashmë ka marrë rolin e bashkë-sponsorizuesit. Sipas Ministrisë, deri më tani rezoluta është mbështetur nga më shumë se 17 vende, duke përfshirë Slloveninë, Italinë, Lihtenshtajnin, Irlandën, Finlandën, Holandën, Shqipërinë, Turqinë, Jordaninë, Malajzinë, Kilin dhe Zelandën e Re.

Në këtë kontekst, Osmani kërkon në veçanti që këtë rezolutë ta përkrahë edhe Serbia, pra të pranojë se ka kryer gjenocid, e në këtë mënyrë edhe të sigurojë se një gabim të tillë nuk do ta përsërisë më.

Osmani para mediave elaboroi tekstin e rezolutës në fjalë, e cila mes tjerash përmban paragrafet në vijim:

• Asambleja e Përgjithshme shpallë 11 korrikun si ditë ndërkombëtare për shënim, përkujtesë, dhe komemorim të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, dhe i njëjti të shënohet çdo vit.

Dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit dhe i fton të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara t’i ruajnë faktet dhe t’i distribuojnë ato dhe t’i prezantojnë ato nëpërmjet sistemit arsimor duke zhvilluar programe të veçanta për kujtim me qëllim të parandalimit të revizionizmit dhe përsëritjes së gjenocidit.

• Dënon pa rezervë të gjitha aktet e glorifikimit të të dënuarve për gjenocid, përfshirë edhe ata në Srebrenenicë.

• Thekson rëndësinë për kompletimin e procesit të identifikimin dhe gjetjes të viktimave.

• I fton të gjitha vendet anëtare që të respektojnë obligimet e tyre në konform konventave dhe t’i dënojë të gjithë ata që i thejnë këto obligime. Fton Sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara të etablon një program të veçantë të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicën.”

Ndërsa për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se vendet që do ta përkrahin Rezolutën për gjenocidin në Srebrenic do t’i quaj vende partnere dhe jo mike, Osmani u shpreh se nuk mendon se mund të prishen marrëdhëniet duke dënuar vrasjen e 8375 civilëve të pafajshëm. Ai shtoi se është pikërisht Serbia ajo që duhet të votojë këtë Rezolutë, që në të ardhmen mos të përsëritet.

Mendoj se posaçërisht për Serbinë është e rëndësishme që ta votojë këtë Rezolutë më qëllim faktet të jenë të pranuara dhe të promovuar për shkak se të gjitha vendimet nga Gjykata Ndërkombëtare tregojnë se në Srebrenicë ka patur gjenocid. Përderisa mohohet dhe nuk pranohet mundësia për të përsëritur është e mundshme. Për këtë shkak, i bëjë thirrje posaçërisht Serbisë ta votojë këtë Rezolutë, por i bëjë thirrje edhe të gjithë anëtarët tjerë të OKB-së ta votojnë. Dhe nuk mendojë se marrëdhëniet me çdo shtet mund të prishen për shkak së dënojmë gjenocid dhe kërkojmë të shënohet vrasje e 8375 civilë të pafajshëm”, deklaroi Bujar Osmani.

Ndryshe, propozim-rezoluta bazohet pjesërsisht në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2004, që shpalli 7 prillin Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin e vitit 1994 ndaj grupit Tutsi në Ruandë.

Propozim-rezoluta do të paraqitet në një takim më të gjerë me dyer të mbyllura të vendeve të OKB-së më 17 prill.

Në këtë takim hartuesit e projektrezolutës mund të marrin parasysh propozimet e vendeve të tjera anëtare dhe të shohin se çfarë mbështetje mund të presin për nismën e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila përbëhet nga 193 vende anëtare.

Në tekstin e projektrezolutës, që ka parë Zëri i Amerikës, mes tjerash dënohet çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të ngritur figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe vazhdimin e përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij krimi.

Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, Serbia është duke lobuar fortë kundër projektrezolutës.

Kujtojmë se më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm në vitin 2019 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

 

Të fundit