E shtunë, 4 Maj, 2024

KUSH ËSHTË I DENJË TA KETË PUSHTETIN?

Shkruan: Xhelal Neziri

Kjo është një pyetje që është parashtruar që nga kohët antike. Atë kohë, e lidhur me këtë çështje, ka qenë edhe pyetja se kush mund të votojë, pra të zgjedhë se cili do të mbajë pushtetin në vend.

Pyetja e dytë është absolvuar – çdo shtetas mbi 18 vjeç ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedh – por, e para ende është aktuale.

Në garë për pushtet në zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të jenë 4 blloqe apo koalicione partish. Çdo parti apo koalicion formohet që të marrë pushtetin. Pushteti i nevojitet që të zbatojë programin, idenë, doktrinën e saj, të cilën e vlerëson si më të mirën për shoqërinë.

Nëse shkojmë më në detaje, lind pyetja se kush duhet të marrë funksione për të zbatuar programin: njerëz profesionistë apo luajalë partiak? (Te ne të rrallë janë ata që janë edhe profesionistë, edhe ushtarë partish)

Në këtë pyetje duket se më mirë është përgjigjur Platoni në veprën e tij “Republika”, ku ai projekton shtetin ideal. Ai thotë se ka pesë lloje regjimesh: aristokraci (pushteti në duart e elitës), timokraci (pushteti në duart e të pasurve), oligarki (pushteti në duart e oligarkëve), demokraci dhe tirani. Platoni thotë se demokracia, ku pushteti zgjidhet nga populli, shpesh degjeneron në tirani, ku një person merr pushtetin (duke vrarë dhe eliminuar të gjithë ata që paraqesin pengesë apo rrezik) dhe i robëron të gjithë shtetasit. Platoni thotë se vetëm ata që nuk e kërkojnë pushtetin janë të pjekur që ta marrin.

Në veprën e tij, të paraqitur nëpërmjet dialogëve sokratikë, ai thotë: “…për sundimtarët (pushtetarët) tuaj të ardhshëm, një qytet (shtet) i mirë-qeverisur bëhet një mundësi. Sepse vetëm në një gjendje të tillë do të sundojnë ata që janë vërtet të pasur, jo me ar, por në pasurinë që e bën lumturinë – një jetë të mirë dhe të mençur. Por, nëse lypësit dhe të uriturit nga mungesa e të mirave të tyre u drejtohen punëve shtetërore, duke menduar se atje do ta gjejnë të mirën e tyre, atëherë është e pamundur. Sepse kur posti dhe sundimi bëhen shkak i grindjes, një grindje e tillë civile dhe e brendshme shkatërron vetë kërkuesit e postit dhe qytetin (shtetin) gjithashtu.” Më tej Platoni saktëson se është e rëndësishme që “ata që marrin detyrën të mos jenë dashamirës të pushtetit”.

Tani partitë po përpilojnë listat e deputetëve. Pas zgjedhjeve – do të duhet të zgjedhin funksionarët qeveritarë: nga ministrat e deri te drejtorët. Kriteret dhe standardet e përzgjedhjes janë larg asaj që kërkon demokracia moderne – një shërbyes të mirë të shtetasve. E sa për këshillat e Platonit, as që i marrin parasysh. Përkundrazi, i përzgjedhin ata ose ato që e duan pushtetin më shumë se parimet dhe vlerat. Sepse ka kohë që pushteti nuk shihet si mjet për realizimin e qëllimit (platformës), por si qëllimi vetë.

Të fundit