E premte, 17 Maj, 2024

SHAIP KAMBERI: AVANCIMI I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE ËSHTË INTERESI JONË I VETËM

Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka filluar konsultimet për kandidatin për kryeministër të ardhshëm, pas zgjedhjeve të debatueshme parlamentare në të cilat ngadhnjeu partia e tij SNS. I pari ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i cili i priu Listës Zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Pas takimit, Kamberi ka deklaruar se për Listën që ai përfaqëson hyrja në qeveri nuk është opsion, por se është i domosdoshëm integrimi i shqiptarëve në komunat në Luginën e Preshevës në përputhje me planin shtatëpikësh të miratuar këtu e dhjetë vjet më parë, – përcjell kdp.mk.

Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror, por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.

Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.

Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njejtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici.

Me presidentin Vuçiq diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë.

Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë.

Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullësisë shumicë në Luginë të Preshevës.

Beteja jonë për realizimin e kërkesava tona vazhdon!” – ka shkruar Kamberi në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke bërë të ditur se në bisedime tek presidenti serb ka qenë së bashku me Nevzad Lutfiun, kryetar i Këshillit kombëtar shqiptar në Serbi dhe Rahim Salihi, përfaqësues i autorizuar i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, – njofton kdp.mk.

Të fundit