Meqë jemi në prag zgjedhjesh, duket e domosdoshme të ripohohet nevoja që pjesëmarrja dhe konkurrimi demokratik të njoh politikat moderne dhe të mos udhëhiqet nga mendësia e turmës që prodhon polarizim të skajshëm dhe tërësisht të panevojshëm. Pluralizimi politik mbi të gjitha duhet të ketë në epiqendër interesin qytetar dhe ne besojmë që gjithë aktorët politikë, pa dallim, kanë aq pjekuri politike për të ruajtur një kulturë komunikimi, një normalitet demokratik dhe për të artikuluar politikisht shumë probleme të shtresuara që kërkojnë në radhë të parë zgjidhje politike. Në linjë me “pasionin politik” të Ramonedas duhet kërkuar përfshirja demokratike si koncept modern politik jashtë nënshtresave problematike të logjikës së turmës. Mbi të gjitha, jemi qenie njerëzore, dhe jeta do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush do të fitojë të drejtën e përfaqësimit.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Zgjedhjet zakonisht i “trazojnë” pasionet politike. Ky pasion politik mbetet i domosdoshëm për jetën politike dhe demokratike për sa kohë që kërkohet pjesëmarrja qytetare në hapësirën publike. Pikërisht, mbi mungesën e pasionit politik në kuptimin e angazhimit qytetar dhe demokratik flet Josep Ramoneda në librin e tij “Fundi i pasionit politik”, që mbetet një eksplorim i jashtëzakonshëm mbi shfytyrimin e këtij pasioni, në fakt mbi skematizimin e tij në forma vetëm pushtetare dhe në diskurse të mjegulluara mobilizmesh pa përmbajtje. Ramoneda ekploron edhe me idenë e rikuperimit të politikës, duke theksuar se duhet të rikthejmë kuptimin dhe autenticitetin e këtij nocioni, në mënyrë që të rikoperohet politika në gjithë gjerësinë e vetë demokratike.
Mes tjerash, ky autor, me shumë inteligjencë vë në dukje se është krijuar një perceptim i mbrapshtë që prapa perdeve të politikës ndodhen do super-njerëz, të vetmit të denjë që të merren me fatet e njerëzve të tjerë. Pikërisht, ky perceptim autoritar krijon nga politika një zonë të errët të paprekshme ku realisht ndodhin të gjitha fatalitet që ndërlidhen me jetën demokratike, që ndërlidhen me gjithë atë që nënkupton debatin e pandërprerë ashtu siç definohet politika në teoritë moderne.
Prapa perdeve të politikës, thotë Ramoneda, ndodhen njerëz si ne dhe nuk ka asgjë misterioze. Gjatë kohë në sferën publike kemi një lloj mistifikimi të politikës, që në esencë synon pushtetin pa dhënë llogari përpara qytetarëve që votojnë. Ky lloj i politikës e sajon këtë perde me qytetarët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mistifikojë ekzistencën e vetë, që në esencë do të thotë keqpërdorim i vullnetit të qytetarëve, pa bërë shumë pyetje mbi mënyrën se si pulson jeta e tyre. Kjo paraqet një lloj shpërfytyrimi të nocionit politikë, që realisht është shumë më tepër se sa një parti, më tepër se një grup njerëzish dhe më tepër se një lojë “matrushkash” në hapësirën publike. Nëse nuk kemi se për çfarë të debatojmë, thotë Ramoneda, atëherë na mbetet vetëm të administrojmë. Pikërisht, kjo logjikë do të thotë fund për pasionin politik, që në fakt kërkon të zgjerojë hapësirat e lirisë.
Politika e kuptuar në sensin e “menaxhimit” të njerëzve si numra gjithnjë ka në sfond një ide totalitare për të qenë në shërbim të vetvetes dhe privilegjeve të pushtetit.
Fatkeqësisht, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, në sferën e politikës, në vend që të procedohet me ide moderne politike, që e vendosin pasionin politik në korniza të jetës së kulturuar demokratike, keqas është manipuluar me idenë e turmës, ashtu siç e definon Gustave Le Bon. Pikërisht, kjo logjikë politike në shumë raste e ka polarizuar skajshmërisht shoqërinë, duke krijuar tabore të acaruara, që politikën e kanë kuptuar pikërisht në linjë me mendësinë e turmës.
Realisht, gjatë kohë kemi pasur një shfytyrim të sferës politike që ka “vegjetuar” mes dy ekstremeve të cilat i definon në një studim të tij “The behavior of crowds” Everett Dean Martin. Duke analizuar në thellësi mendësinë e turmës në shoqërinë modern ai thekson se “ose kemi individualizëm të tmerrshëm, të betonuar, ose kemi mendim turme, të absorbuar tërësisht pa diferencimin më të vogël”. Ai i jep të drejtë Le Bon-it, i cili pohon se turma nuk është thjesht grumbullim njerëzish, por është një gjendje shpirtërore.
Duke ekploruar me idenë e individit dhe shoqërisë, ndërlidhjes dhe kontradiktës mes këtyre dy entiteve, Dean Martin, thekson se individi supozohet të jetë nga natyra një qenie antisociale. “Shoqëria, nga ana tjetër, kundërshtohet në parim me gjithçka që është personale dhe private. Kërkesat e shoqërisë, mirëqenia dhe synimet e saj, trajtohen sikur të ishin një taksë e vendosur ndaj secilit nga diçka e huaj për vullnetin natyror apo edhe lumturinë e të gjithëve. Kjo tingëllon sikur shoqëria si ” një gjë në vetvete” mund të përparojë në kundërshtim me individët që e konstituojnë kolektivisht”.
Dean Martin thekson se meqenëse individi është një qenie shoqërore, dhe shoqërorja është thjesht një mënyrë për të vepruar së bashku, problemi shoqëror nuk lind nga një konflikt midis vetvetes dhe një parimi jopersonal shoqëror. Konfliktet, sipas tij, janë, në fakt, përplasje midis individëve dhe grupeve të caktuara .
Pasi thekson se jo çdo grumbullim njerëzish e tregon mentalitetin e turmës, Martin, vë në dukej se shoqëria jonë po bëhet një babel i vërtetë i turmave dërrmuese. “Jo vetëm që shpërthimet dhe trazirat e turmave po shtohen në numër, por çdo interes, patriotik, fetar, etik, politik, ekonomik, degjeneron lehtësisht në konfuzion të gjuhëve propagandistike, në logjikë partiake ekstravagante dhe mospërmbajtje”, thekson Martin.
Ky autor depërton në thellësitë e mentalitetit të turmës, duke analizuar në të gjitha drejtimet pikërisht këtë mendësi që shfaqet fatale për lirinë e individit dhe për përbashkimet tjera politike që mbeten të domosdoshme për shoqërinë dhe sidomos për sferën e politikës.
“Të gjithë janë të detyruar të flasin si turma, të mendojnë si turma, të kuptojnë si turma. Tendenca është për të mbytur gjithçka që është unike, e rrallë, delikate, sekrete. Nëse do të arrish diku në këtë epokë progresive, duhet të jesh i vrazhdë, duhet t’i shtosh vrazhdësinë tënd zhgënjimin. Ju duhet të mbani anën e dilemave që janë vetëm gjysmë të vërteta, të ndryshoni ritmin e muzikës suaj, të hani ushqimin tuaj shpirtëror me thikë, ta vishni flamurin e partisë dominuese. Me fjalë të tjera, ju duhet të jeni ‘njëqind për qind’ njeri i turmës”, thekson Martin.
Turma, thekson ai, është e justifikuar duke sakrifikuar njerëzit për vetë idealin e saj. “Ideja nuk është më një instrument jetese; është imperativ. Nuk është e juaja të përdorni idenë; ideja është atje për t’ju përdorur. Ju keni pushuar së qeni një fund. Çdo gjë rreth jush që nuk merr pjesë në realitetin e kësaj ideje nuk ka të drejtë të jetë, çdo përvojë juaja që ndodh të jetë e pakrahasueshme me këtë ide, humb të drejtën e saj për të qenë; sepse përvoja si e tillë ka tani vetëm një ‘ekzistencë fenomenale’, vë në dukje Dean Martin.
Të paktën teorikisht, thotë ai, demokracia kërkon një maksimum të lirisë personale. Fakti që demokracia po degjeneron me shpejtësi në tirani, vë në dukje Dean Martin, nuk është për shkak të joidealit demokratik, por tendencës në rritje për sjelljen e turmave në kohët moderne. “Mund të ndodhë që disa ideale demokratike nuk janë aq shumë shkaqe sesa efekte të të menduarit dhe veprimit të turmës”.
Sipas Dean Martinit për të dalë nga kjo gjendje dëshpëruese, përpjekja e parë dhe më e madhe duhet të jetë çlirimi i demokracisë nga turma, në kuptimin e çlirimit të mendimit.
Rruga për të dalë nga ky kompleks i detyrimeve të turmës, vë në dukje Dean Martin, është vetmia, si pjesë e vetë-analizës dhe guximit intelektual.
Pikërisht, në linjë të këtij procedimi mbi turmën dhe dogmën e paravendosur është edhe filozofi, Karla Poper, i cili thekson se shoqëria e mbyllur në vetvete arrin të projektojë vetëm një pamje të botës, një mënyrë jetese dhe përmbledh një botëkuptim të dominuar nga dogma, tabu dhe të mbushur me dyshime. Sipas tij, në këto lloj shoqërish, anëtarët e komunitetit janë pjesë e organizmit dhe asnjë prej tyre nuk ka aftësinë për të bërë diçka për shoqërinë, pasi secili prej tyre është thjesht një pjesë e trupit.
Vetëbindja që karakterizon shoqëritë e centralizuara në lidhje me faktin se ato i përshkon racionaliteti, logjika apo këndvështrimi shkencor, cilësohet si iluzore nga ana e Popperit. Ai mbron dhe argumenton idenë se karakteri racional dhe logjika janë tipare të një shoqërie të hapur e cila ka natyrë pluraliste duke qenë se përqafon një dimension të tillë ku të gjithë individët janë jo vetëm të lirë të veprojnë e të bëjnë zgjedhjet e tyre, por mbi të gjitha, në një shoqëri të tillë, të gjithë kanë plotësisht të drejtë dhe janë po aq shumë të lirë për të kritikuar veten, të tjerët, qeverinë dhe politikat e saj.
Edhe ambienti i këtushëm shoqëror dhe politik i ngërthen në vete pikërisht gjithë këto anomali shoqërore, të cilat manifestohen jo njëherë nëpërmjet “pasioneve” të mëdha politike, por që në fakt nuk janë konceptulaisht të ngjashme me “pasionin politik” që e kërkon Ramoneda, përkundrazi shfaqen si pasione turme, taborësh thellësisht të polarizuara.
Meqë jemi në prag zgjedhjesh, duket e domosdoshme të ripohohet nevoja që pjesëmarrja dhe konkurrimi demokratik të njoh politikat moderne dhe të mos udhëhiqet nga mendësia e turmës që prodhon polarizim të skajshëm dhe tërësisht të panevojshëm. Pluralizimi politik mbi të gjitha duhet të ketë në epiqendër interesin qytetar dhe ne besojmë që gjithë aktorët politikë, pa dallim, kanë aq pjekuri politike për të ruajtur një kulturë komunikimi, një normalitet demokratik dhe për të artikuluar politikisht shumë probleme të shtresuara që kërkojnë në radhë të parë zgjidhje politike. Në linjë me “pasionin politik” të Ramonedas duhet kërkuar përfshirja demokratike si koncept modern politik jashtë nënshtresave problematike të logjikës së turmës. Mbi të gjitha, jemi qenie njerëzore, dhe jeta do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush do të fitojë të drejtën e përfaqësimit.