E enjte, 9 Maj, 2024

RAPORTI BRITANIK: RUSIA PO I RIPËRTËRINË KAPACITETET PËR DESTABILIZIMIN E EVROPËS, PËRFSHIRË DHE BALLKANIN

Rusia po rinovon kapacitetin e saj për të destabilizuar vendet evropiane dhe për të zgjeruar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, gjë që përbën një kërcënim strategjik për NATO-n, ndërsa anëtarët e saj po fokusohen në luftën në Ukrainë, – është përfundimi i hulumtuesve të „Royal United Services”, një institut ky kërkimor me bazë në Britaninë e Madhe, – përcjell kdp.mk analizën e REL.

Në raportin gjithëpërfshirës, ​​studiuesit e kësaj qendreje studimore pohojnë se vendet perëndimore duhet të bëjnë më shumë për t’iu kundërvënë luftës jokonvencionale ruse nëse duan të pengojnë pushtimin rus të Ukrainës.

“Pasi lufta në Ukrainë po zvarritet, është në interesin e Rusisë të krijojë kriza shtesë”,  – shkruan autorët Jack Watling, Oleksandr V. Daniljuk dhe Nick Reynolds, duke përmendur Ballkanin si një rajon të pjekur për diçka të tillë.

“Rusia gjithashtu ka interes aktiv për destabilizimin e partnerëve të Ukrainës, kurse me serinë e zgjedhjeve të ardhshme në të gjithë Evropën, ka një gamë të gjerë mundësish për përkeqësimin e polarizimit”, – thonë autorët.

Raporti prej 35 faqesh i kësaj qendre studimore të themeluar në vitin 1831, u publikua vetëm pak ditë para përvjetorit të dytë të pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërsa dështuan përpjekjet ruse për të destabilizuar vende si Moldavia, për shkak të lëshimeve të institucioneve të sigurisë dhe dëbimeve masive të operativëve të Kremlinit, ushtria ruse tani po forcon aftësinë e saj për sulme jokonvencionale, thuhet në raport.

Duke shfrytëzuar dokumente të marra nga shërbimet e inteligjencës ruse dhe intervista me zyrtarë në Ukrainë dhe disa vende evropiane, raporti shpjegon përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj përtej konfliktit aktual në Ukrainë.

“Kërcënimi shtrihet përtej Ukrainës dhe me bashkëpunimin aktiv me vendet që janë objektiv”, – thuhet në raport, duke bërë thirrje për “vigjilencë të vazhdueshme” për një numër të madh çështjesh.

Në raport përmendet gjithashtu se ndikimi ushtrohet përmes shoqatave të ndryshme bamirëse, kurse mes tyre është edhe fondacionit “Ahmat Kadyrov”, i cili po përpiqet të popullarizojë Kadyrovin si figurë fetare.

Për këtë fondacion ka shkruar ngjashëm edhe Forumi Islamik Evropian.

“Organizata është veçanërisht aktive në Ballkan, ku ka vendosur lidhje me përfaqësues autoritativë myslimanë (jo vetëm figura religjioze, por edhe politike) në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani,“ – shtohet në raport.

Në korrik të vitit 2021, një delegacion i Forumit Evropian Mysliman (EMF) i udhëhequr nga presidenti Abdul-Vahed Niyazov vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Fakultetin e Shkencave Islame.

Delegacionin e Forumit Evropian Mysliman në takim e priti myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, me bashkëpunëtorët e tij, por për një kohë të gjatë nuk u mendua se çfarë përfaqëson ky forum dhe kush është në të vërtetë lideri Abdul-Vahed Niyazov.

Forumi Evropian Mysliman është një organizatë me seli në Bruksel dhe është themeluar në tetor 2018.

Disa nga qëllimet e këtij forumi, të cilat janë publikuar në web-faqen e tij, janë: Integrimi i migrantëve myslimanë në shoqërinë evropiane, ndihma për ndërtimin dhe zhvillimin e xhamive dhe qendrave kulturore islame nëpër vendet evropiane, organizimi i aktiviteteve që synojnë popullarizimin e kulturës islame, trashëgimisë evropiane, projekte edukative zhvillimore online për të arritur një audiencë më të gjerë të të rinjve myslimanë, zhvillimi i industrisë hallall nëpër vendet evropiane etj.

Udhëheqësi i forumit, Niyazov, drejton gjithashtu Qendrën Kulturore Islame në Moskë, një departament i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe po ashtu një organ që është i lidhur me Kremlinin.

Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ishte deputet i partisë së Putinit në Dumën ruse nga viti 1999 deri më 2003./REL/

 

 

Të fundit