E diel, 6 Tetor, 2024

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE, FILLOJNË PËRPLASJET MES PARTIVE

Lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, ka refuzuar të komentojë idenë e fundit të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, në lidhje me ndryshimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit në Kuvend. Kovaçevski ka reaguar duke thënë se momentalisht jemi në fushatë parazgjedhore dhe se shumë premtime mund të dëgjohen. Në anën tjetër, opozita VMRO-DPMNE është shprehur që presidenti duhet të zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve të drejtpërdrejta, duke e konsideruar këtë ndryshim të sistemit si një kthim mbrapa në demokraci. Ndërkohë nga BDI vijojnë të kërkojnë mbështetje për ndryshimet kushtetuese, duke shpresuar që kandidati i tyre, Bujar Osmani, të ndryshojë edhe sistemimin e zgjedhjes së presidentit. Këto deklarata pasojnë pasi partitë politike tashmë kanë publikuar emrat e kandidatëve për president, për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill (raundi i parë) dhe 8 maj (raundi i dytë). Procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për kandidatët për presidentë dhe deputetë ka filluar sot dhe pritet të vazhdojë deri më 8 mars, sipas orareve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski nuk e ka komentuar propozimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti në lidhje me kërkesën për instalimin e postit të zëvendëspresidentit të Maqedonisë së Veriut, që së bashku me presidentin, në të ardhmen të zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 2/3 e votave, dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Tani praktikisht jemi në fushatë zgjedhore dhe do mund të dëgjojmë shumë premtime. Dikush do të premtojë disa gjëra të cilat nuk varen vetëm prej tij. Për shembull ndryshimi i Kushtetutës kërkon dy të tretat e votave, kështu që nuk do të komentoja”, tha Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Në anën tjetër, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka vlerësuar se presidenti duhet të dalë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe jo të zgjidhet në Kuvend. Sipas kësaj partie, ideja për një president të zgjidhet në Kuvend është kthim mbrapa në demokraci, dhe çdo përpjekje për të pezulluar demokracinë, paraqet tentativë për të lënë popullin jashtë vendimmarrjes.


Presidenti patjetër të dalë nga zgjedhjet sepse aty është kulmi i demokracisë. Kështu veprojnë shtetet demokratike. Çdo tentim për të minuar demokracinë është tentim për ta lënë popullin jashtë vendimmarrjes”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, nga BDI edhe sot kërkuan mbështetje për ndryshimet kushtetuese përmes të cilave do të ndryshonte edhe sistemi i zgjedhjes së presidentit.

Kërkojmë përkrahje masive, absolute dhe plebishitare të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për kandidaturën e Bujar Osmanit që të na mundësojë ta ndryshojmë kushtetutën edhe për çështjen e presidentit dhe për amendamentin që buron nga marrëveshja për fqinjësi të mirë. Ky do të jetë qëndrimi i BDI-së edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare”, theksoi Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.

Ndryshimi i Kushtetutës, sipas BDI-së, duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj dhe zhbllokimin e procesit të integrimit në BE.

Kreu i kësaj partie, Ahmeti ka thënë se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ardhshme, e cila nuk do të pranonte ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë s Veriut.

Kërkesa e BDI-së për zgjedhjen e presidentit në Kuvend është e njëjtë me atë të kandidatit të opozitës shqiptare, Arben Taravari, që u prezantua mbrëmjen e së mërkurës.

Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërën nga tri postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’u takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoninë e Veriut”, tha Taravari, kandidat për president i opozitës shqiptare.

Këto deklarata, pasojnë momentin partite politike tashmë kanë publikuar emrat e kandidatëve për president, për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Në lojë për garën për presidentin e Maqedonisë së Veriut aktualisht janë nëntë kandidat, mes tyre gjashtë maqedonas, dy shqiptarë, dhe një boshnjake.

Kandidaturën për president i pari e shpalli Velo Makrovski, i cili do të mbledhë nënshkrime si kandidat i pavarur.

Më pas, Biljana Vankovska nga E Majta (Levica).

Pas Vankovskas, vijoi Arben Taravari, si kandidat i opozitës shqiptare VLEN, njëherit edhe kryetar i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarët.

Nga BDI njoftuan se Bujar Osmani do të jetë kandidati i kësaj partie për garën presidenciale, që do të mbahet më 24 prill.

LSDM si partia më e madhe në pushtet do ta rikandidoj  presidentin aktual Stevo Pendarovski.

Ndërsa, partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE  sërish me profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova.

Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM.

Kurse Stevço Jakimovski, kryetari aktual i Komunës së Karposhit, do të jetë kandidat për president nga radhës e subjektit politik GROM.

Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt.

Ndërkaq, mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për presidentë dhe deputetë, ka filluar sot. Ky proces do të zgjasë deri më 8 mars sipas orareve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore.

Ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.

 

Të fundit