E martë, 14 Maj, 2024

BE-ja FUT EDHE NJË FIRMË SERBE NË PAKETËN E RE TË SANKSIONEVE KUNDËR RUSISË

 

Bashkimi Evropian po përgatit paketën e trembëdhjetë të sanksioneve kundër Rusisë, që duhet të miratohet deri më 23 shkurt, në prag të dyvjetorit të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës. Në këtë listë është edhe kompania serbe “Conex doo”, ndërsa shpjegimi përfundimtar se pse kjo kompani ndodhet në listën e BE-së do të jepet pas publikimit të listës përfundimtare të individëve dhe kompanive të sanksionuara, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë.

Përpara dyvjetorit të invadimit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian duhet të miratojë paketën e trembëdhjetë të sanksioneve, ndërsa në draftin e këtij dokumenti, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, është edhe firma “Conex doo” nga Serbia, e cila, siç tregon raporti financiar, deri në fillim të invadimit në Ukrainë ishte pothuajse joaktive.

Të dhënat nga raportet financiare, të publikuara në faqen e Agjencisë së Regjistrave Ekonomik, tregojnë se kjo firmë ishte joaktive gjatë viteve 2020 dhe 2021, ndërsa vitin 2022 e ka mbyllur me të ardhura totale nga biznesi prej një milion eurosh, kurse në bilancin total ka shënuar një humbje e vogël.

Sipas shpjegimit të BE-së, në listën e sanksioneve përfshihen persona fizikë ose juridikë që përbëjnë pjesën e kompleksit ushtarak dhe industrial rus, kanë lidhje komerciale apo të tjera me këtë industri. Sanksionohen edhe ata që mbështesin ose avancojnë sektorin rus të mbrojtjes dhe sigurisë.

Unioni nuk përmend pse kompanitë janë përfshirë në listë dhe në çfarë mënyre dhe në ç’masë kanë ndihmuar industrinë ushtarake ruse. BE-ja do të japë një shpjegim më të detajuar pas publikimit të listës përfundimtare të individëve dhe kompanive të sanksionuara.

Paketa e trembëdhjetë e sanksioneve duhet të miratohet deri më 23 shkurt, në prag të dyvjetorit të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

Të fundit