E hënë, 29 Prill, 2024

SHQIPJA E GREQISHTJA NË DIALOG NDËR SHEKUJ PASURUAN NJËRA-TJETRËN

“Leksikografia greke-shqipe dhe shqipe-greke në shekujt 18-të dhe 19-të”, – ka qenë tema e ligjëratës që ka mbajtur profesori Doris Kyriazis në Institutin Albanologjik të Prishtinës. “Shqipja dhe greqishtja bashkë ndodhen pranë njëra-tjetrës historikisht, ato dialogojnë me njëra-tjetrën ashtu siç edhe grekët dhe shqiptarët kanë dialoguar me njëri-tjetrin historikisht”, – ka thënë Kyriazis, profesor i asociuar në Universitetin e Aristotelit në Selanik, në ligjëratën e tij me të cilën është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Greke, – përcjell kdp.mk.

Shkruan: ENIS BYTYQI*

Leksikografia si urë midis gjuhëve dhe kulturave ka luajtur rol kyç në dokumentimin dhe ruajtjen e ndërveprimit gjuhësor dhe kulturor. E ky raport kompleks dhe i pasur me elemente të cilat tejkalojnë qasjen linguistike është studiuar historikisht nga njerëz të fushës.

Për raportin midis shqipes e greqishtes dhe anasjelltas është shkruar shumë, e këtë veprimtari e ka përmbledhur profesori i asociuar në Universitetin e Aristotelit në Selanik, Doris Kyriazis, i cili pas punës së tij shumëvjeçare ka arritur të hedhë autorësinë mbi një studim për fjalorin shqip-greqisht dhe greqisht-shqip. Këtë punë e ka ndarë me të pranishmit në ligjëratën “Leksikografia greke-shqipe dhe shqipe-greke në shekujt e 18-të dhe 19-të” të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës në kuadër të aktiviteteve të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke, të organizuar nga Zyra ndërlidhëse Greke në Prishtinë dhe IAP-i.

Sfidat, arritjet dhe ndikimi i figurave të caktuara në formimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor të të dy popujve, shqiptar dhe grek, qenë paradigma me të cilën u trasua rruga e këtij diskutimi. Kyriazis – që në fakt kolegët e njohin me emrin Dhori Qiriazi për prejardhjen shqiptare, ka shpalosur një pasqyrë midis ndërveprimit të gjuhës greke dhe shqipe, duke treguar evolucionin e gjuhës dhe shkëmbimit leksikor gjatë një periudhe të rëndësishme në shekujt 18-të dhe 19-të. Përmes hulumtimit të tij, profesori u ka dhënë kujdes të veçantë fjalorëve dorëshkrimeve leksikore dhe dokumenteve historike të tjera relevante, duke nxjerrë në pah ndikimet reciproke në ndërtimin e rëndësinë e gjuhës greke.

Duke thënë se për të ishte nder të ftohej në këtë ligjëratë, ai ka folur për raportin e afërt të shqipes dhe greqishtes.

“Shqipja dhe greqishtja bashkë ndodhen pranë njëra-tjetrës historikisht, ato dialogojnë me njëra-tjetrën ashtu siç dhe grekët dhe shqiptarët kanë dialoguar me njëri-tjetrin historikisht”, ka thënë Kyriazis në shqip.

Prezantimi i tij filloi i mbështetur në observimet e Strabonit, historianit dhe gjeografit të Greqisë së lashtë, i cili do t’i quante epirotët si të përzier me ilirët dhe se ata janë popull bilingual.

Përmes punës së Kyriazis u zbërthye edhe leksikoni i Theodor Kavaliotit për gjuhën shqipe, greke dhe arumune në vitin 1770. Ky fjalor ka rreth 1.170 fjalë, i dokumentuar në tri shtylla për gjuhët respektive, në të cilën përfshihen edhe fjalë në vllahisht, pasi Theodori vetë kishte qenë vlleh.

Kur është ndalur te manuali i Kavaliotit, ka dhënë disa të dhëna specifike të cilat vihen re nga gjuhëtarët sot, në një këndvështrim ndryshe nga koha e publikimit të atij manuali.

“Është interesant fakti se aty në brendësi të fjalorit ka të dhëna interesante sa u përket zhvillimeve semantike të shqipes dhe arumanishtes në krahasim me greqishten. Është interesant se aty shohim se si fjalët greke si ‘citrinos’, ‘prasinos’ dhe ‘floros’ përkthehen në shqip me ‘i verdhë’, ‘i gjelbër’, dhe ‘jeshil’ dhe kështu vërejmë se shqipja krahasuar me latinishten ka një zhvillim semantik, sepse këtu ajo që ne e quajmë ‘të verdhë’, ‘virdis’ në latinisht, është ajo që ne tani i themi ‘e gjelbër’ dhe këtu shihet se si kjo fjalë ka pësuar zhvendosje kuptimore. Gjithashtu fjala Orfanos, në shqip nuk e ka kuptimin vetëm si ‘i skamur’, por e ka kuptimin edhe ‘jetim’ si fjalë e trashëguar direkt nga greqishtja”, ka thënë Kyriazis.

Në ligjëratën e tij – së cilës nuk iu dha haku për nga kohëzgjatja – ai ua bëri një prezantim të shkurtër edhe fjalorëve të Marko Boçarit të vitit 1809 dhe atij të Thimi Mitkos gjatë viteve 1860-1880, për ta përmbyllur me fjalorin e Konstandin Kristoforidhit.

Kjo ligjëratë për Kyriazis ka edhe një rëndësi të madhe, e që ngjyrosej edhe me nuanca personale.

“Kur kam qenë para 20 vjetëve për herë të parë në Kosovë jam takuar me një mik të shtrenjtë timin, Shkëlzen Raça, një njohës i thellë i greqishtes i cili ka qenë një faktor i njohur për botën greke. Ai në bibliotekën ‘Gennadius’ në Athinë kishte gjetur një kopje të rrallë të abetares së parë të gjuhës shqipe, nga Naum Veqilharxhi, krahas kontributeve të tjera. Andaj unë sot dua që këtë ligjëratë t’ia kushtoj kujtimit të tij”, ka thënë Kyriazis, i cili dhuroi dy kopje të librit të tij mbi punën leksikologjike të Thimi Mitkos, njërën për Institutin Albanologjik dhe tjetrën për shkollën fillore në Gjilan, e cila mban emrin “Thimi Mitko”, apo siç e quajti Kyriazis, “mbledhësi i shqipes”.

Shkrimtari e studiuesi, Gëzim Aliu, hulumtues i pavarur shkencor në Degën e Letërsisë në Institutin Albanologjik, e nisi diskutimin duke u shprehur i lumtur që Instituti ishte nikoqir i një ngjarjeje të tillë.

“Ky takim është ftesë për të gjithë ne që të vlerësojmë dhe të nderojmë gjuhën si element jetik të identitetit tonë kulturor dhe si mjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë përmes kuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Është një rast për të reflektuar mbi fuqinë e fjalës”, ka thënë Aliu duke theksuar se diskutime të tilla janë jo vetëm mundësi e mirë për të mësuar gjëra të reja, por dhe si nxitje për dialog, ide e përvoja të reja.

Ky shqyrtim frymëzues, i cili u shënua si një kontribut i rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës greke, u mbajt nën patronazhin e ambasadores Heleni Vakali, shefe e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë. Në fjalimin e saj ka treguar simbolikën e datës 9 shkurt, e zgjedhur si ditë shënjuese në nderim të gjuhës greke. E vënë si nderim për figurën e poetit grek Dionysios Solomos, i cili vdiq më 9 shkurt 1857, ai kishte shkruar himnin kombëtar grek, në të cilin ndër rreshta thuhet dhe “…më jepni lirinë dhe gjuhën time”.

Qëllimi i vendosjes dhe festimit të kësaj dite botërore ka qenë të jepet mundësia e mendimit dhe e diskutimit mbi gjuhën greke, ecurinë e saj ndër shekuj dhe rolin që ajo ka luajtur nëpërmjet kontributit të saj universal në kulturën dhe shkencën evropiane dhe botërore.

“Në kohët e lashta, gjuha greke u bë një mjet për formimin dhe transmetimin e teorive të rëndësishme shkencore, konsideratave filozofike dhe teksteve letrare. Më vonë, tekstet më të rëndësishme të krishterimit u shkruan në greqisht. Gjatë shekujve, kontributi ka qenë vendimtar si një mjet për ruajtjen dhe përhapjen e kulturës greke. Ajo mbijeton deri më sot, në formën dhe versionin e saj më të ri, si një nga gjuhët më jetëgjata në botë. Po i përdori edhe fjalët lirike të një poeti grek të vlerësuar me çmimin ‘Nobel’, Georgios Seferis, ‘…shiko, çfarë gjëje e mrekullueshme, është të mendosh se, që nga koha kur foli Homeri e deri më sot, ne flasim, marrim frymë dhe këndojmë në të njëjtën gjuhë…’”, ka thënë Vakali. Sipas saj, për çdo komb, gjuha e tij nuk është vetëm një mjet komunikimi. “Është gjithashtu trupi që përmbledh idealet dhe vlerat e tij. Ose, me fjalët e një poeti tjetër grek të vlerësuar me ‘Nobel’, Odisea Elytis: gjuha ndodh të jetë edhe një mjet magjie dhe bartëse e vlerave morale. Gjuha fiton një etos të caktuar gjatë shekujve. Dhe ky etos krijon detyrime”, ka thënë Vakali.

Njëjtë sikur vitin e kaluar, kur Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës mbajti një ligjëratë, duke bërë një udhëtim të shkurtër në “takimet” e dy gjuhëve, greke dhe shqipe, edhe kësaj radhe Vakali ka thënë se shpreson që ndikimi i këtyre diskutimeve do të jetë edhe më i dukshëm.

“Shpresoj që miqtë tanë nga Kosova, veçanërisht të rinjtë, të fillojnë të mësojnë greqishten, për t’u lidhur më thellë me kulturën greke. Sidomos tani që shumë njerëz nga Kosova udhëtojnë edhe më lehtë dhe më shpesh drejt Greqisë. Në fund të fundit, më lejoni si ambasadore greke të jem krenare të përdor edhe një herë fjalët e helenistit tim të dashur, De Romilly, i cili këshilloi se ‘E gjithë bota duhet të mësojë greqishten, sepse gjuha greke na ndihmon, para së gjithash, të kuptojmë gjuhën tonë’”, ka thënë ajo teksa falënderoi të gjithë për praninë dhe pjesëmarrjen në këtë festë të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke dhe Institutin e Albanologjisë për pritjen e këtij aktiviteti.

E pranishme në këtë ngjarje ishte dhe Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, e cila në një fjalim rasti po ashtu potencoi rëndësinë e mësimit të gjuhës greke dhe takimeve me karakter të tillë.

“Gjuha greke konsiderohet si gjuha themelore për civilizimet perëndimore, ka shumë fjalë në çdo gjuhë në Evropë, të cilat rrënjët i kanë në gjuhën greke, pastaj pothuajse 80 për qind e termave mjekësorë vijnë nga gjuha greke”, ka thënë ajo, duke njoftuar se po punohet që në kuadër të programit të ballkanistikës në Fakultetin Filologjik do të ofrohen kurse të gjuhës greke.

*Shkrimi është marrë nga:koha.net

 

Të fundit