E shtunë, 27 Korrik, 2024

MBIJETESA NË GADISHULLIN E EGËR

Perëndimi i Egër” filloi në shekullin e 17-të dhe përfundoi rreth vitit 1912, kur territoret e fundit perëndimore u pranuan në SHBA si shtete. “Ballkani i Egër” filloi diku në shekullin e 19-të, me dhënien e autonomisë për Bullgarinë dhe Serbinë nga ana e Perandorisë Osmane, vazhdoi pas vitit 1912-të me dy luftëra ballkanike, e nxiti në vitin 1914 Luftën e Parë Botërore, u shndërrua në fushëbetejë në Luftën e Dytë Botërore, u dërmua nga luftërat e tranzicionit të viteve të ‘90-ta dhe po vazhdon të mbetet “i Egër” dhe jashtë unionit të civilizuar europian.

Shkruan: Xhelal NEZIRI 

Shqiptarët etnikë në rajonin e Ballkanit, një gadishull që asnjëherë nuk arriti ta gjejë mënyrën e funksionimit në paqe, nuk kanë qenë asnjëherë në një gjendje më të mirë siç janë sot. Me një Shqipëri të zhvilluar në NATO, që është në proces të negociatave për anëtarësim në BE dhe që po shndërrohet në qendër gjeopolitike të rajonit, me një Kosovë të pavarur, që ka rritjen më të lartë ekonomike, me NATO-n brenda dhe me rrugën e filluar drejt anëtarësimit europian, me barabarësinë në Maqedoninë e Veriut si anëtare e NATO-s dhe me proces të filluar të negociatave për integrimin europian, si dhe me kufij të lehtësuar me shqiptarët etnikë në Mal të Zi dhe Serbi, ky popull duket se po jeton kohërat më të mira të historisë së tij.

“Ballkani i Egër”

Këto të arritura bëhen më të rëndësishme pikërisht në kontekst të Ballkanit, një rajon që njihet si burim konfliktesh dhe për mungesë rendi. Si në Amerikë, që një kohë ishte “Perëndimi i Egër”, edhe Ballkani i luftërave dhe i brutalitetit ka kohë që shihet si i tillë. Emri “Perëndimi i Egër” iu dha për shkak të mungesës së rendit dhe ligjeve në territoret në perëndim të lumit Misisipi. Ky rajon ishte i famshëm për kaubojët e tij, bixhozxhinjtë, revolveristët, grabitjet me armë zjarri dhe bandat. Aty mbijetonte vetëm i forti ose më i zhdërvjellëti. Drejtësia ishte relative, ndërkohë që problemet shpesh zgjidheshin në dyluftime, ku shkathtësia e manipulimit me revole ishte vendimtare.

“Perëndimi i Egër” filloi në shekullin e 17-të dhe përfundoi rreth vitit 1912, kur territoret e fundit perëndimore u pranuan në SHBA si shtete. “Ballkani i Egër” filloi diku në shekullin e 19-të, me dhënien e autonomisë për Bullgarinë dhe Serbinë nga ana e Perandorisë Osmane, vazhdoi pas vitit 1912-të me dy luftëra ballkanike, e nxiti në vitin 1914 Luftën e Parë Botërore, u shndërrua në fushëbetejë në Luftën e Dytë Botërore, u dërmua nga luftërat e tranzicionit të viteve të ‘90-ta dhe po vazhdon të mbetet “i Egër” dhe jashtë unionit të civilizuar europian. “I egër” për shkak se nuk ka rend ligjor të njëmendtë dhe nuk ka pastruar me të kaluarën mitike, e kaluar që gjithmonë është burim konfliktesh nga të cilat tmerrohet edhe bota.

Aleancat vizionare

Është mrekulli e madhe se si shqiptarët arritën fillimisht te shteti i parë në vitin 1912, e më pas edhe te i dyti në vitin 2008, por edhe të jetojnë të barabartë në Maqedoninë e Veriut multietnike, në Malin e Zi dhe të kenë të drejta bazike në Serbi. Është mrekulli, sepse ky realitet është larg fuqisë reale ushtarake e ekonomike të shqiptarëve ose vetëdijes së tyre për ndërtimin e shtetit të fortë dhe funksional. Merreni shembull Luftën e Parë Ballkanike në vitin 1912, ku Mali i Zi e sulmon Shqipërinë dhe e pushton gjysmën e saj, ndërkohë që ajo ende hamendësonte nëse duhet ta shpallë pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ose, në vitin 1939, kur Italia gati se pa rezistencë e pushtoi Shqipërinë.

Natyrisht, në një gjë shqiptarët kanë pasur nuhatje ose instinkt të fuqishëm gjeopolitik, i cili ua ka garantuar qenësinë dhe i ka shpjerë përpara – orientimi strategjik kah Perëndimi Global dhe ruajtja e miqësive të vjetra e të dëshmuara si kyçe për ekzistencën e tyre. Presidenti i SHBA-ve, Woodrow Wilson, e skicoi projektin e Shqipërisë si shtet i pavarur në Konferencën e Paqes në Paris, në janar 1919. Menjëherë pas kësaj, më 28 korrik 1922, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike për herë të parë, kur edhe me shkrim e njohën Shqipërinë. Më parë, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali e kishte shpallur pavarësinë me ndihmën e Austro-Hungarisë, Italisë, por edhe të Perandorisë Osmane.

Në vitin 2007, kur presidenti amerikan George W. Bush qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha: “Mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë shtet i pavarur”. Paraprakisht, në vitin 1999, të gjitha shtetet e NATO-s e kishin sulmuar Serbinë për ta parandaluar pastrimin etnik në Kosovë. Më pas, SHBA-ja dhe BE-ja e kishin menaxhuar një proces të rëndë shtetndërtimi gradual të Kosovës.

Maqedonia e Veriut ka mbetur në kursin euroatlantik falë shqiptarëve etnikë, edhe pse ekzistenca e vetë shtetit është rezultat i përfshirjes amerikane dhe europiane në Ballkan. Nga viti 1993 vendi e ka përcaktuar orientimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, edhe pse ciklikisht paraqiten luhatje në këtë orientim.

Sidoqoftë, aleancat vizionare të shqiptarëve mbeten faktor kyç i përparimit të tyre. Reformat në drejtësi, administratë, arsim e siguri edhe sot e kësaj dite sponsorizohen nga aleatët. Zhvillimi ekonomik, investimet e jashtme dhe partneriteti tregtar është i lidhur me BE-në, SHBA-në dhe Turqinë. Ka shumë popuj ose etni shumë më të mëdha se shqiptarët, por që nuk kanë asnjë shtet pikërisht për shkak të rreshtimit të gabuar gjeopolitik. Instinkti i mbijetesës kolektive ose vizioni i udhëheqësve të shqiptarëve, ose të dyja bashkë, kanë bërë që sot të jemi këtu ku jemi.

Teksti fillimisht është publikuar në Revistën Shenja

Të fundit