E diel, 19 Maj, 2024

ÇEREKSHEKULL OSTRAKIZËM EKONOMIK QË REZULTON ME FRUSTRIM POLITIK!

Ostrakizmi ka qenë një lloj gjykate popullore e vendosur në Greqinë antike që zakonisht merrte në shqyrtim masa kundër atyre qytetarëve me influencë të cilët mendohej se me ndikimin e fuqishëm e rrezikonin demokracinë në polis. Të drejtën e votës e gëzonin të gjithë qytetarët dhe dënimi shqiptohej me shumicë votash: I dënuari syrgjynosej për dhjetë vjet, por po me gjyq popullor edhe mund të amnistohej. Ostrakizmi, atëbotë (shek. V) është zbatuar për të konsoliduar pozicionin politik. Edhe në rrethanat e sotme të ndryshuara, mjerisht, prapëseprapë, kemi një biçim ostrakizmi: Vërehet tendenca shumë e rrezikshme e një shumice që krijon animozitet dhe intolerancë ndëretnike deri në kërkesë për ostrakizëm ekonomik. Prandaj, e shoh të udhës që këtë çështje ta trajtoj edhe një herë…

Shkruan: Akademik Abdylmenaf Bexheti

Dy-tre vitet e fundit, e gjithë gara politike në kampin maqedonas zhvillohet mbi akuzat për gjoja dominim dhe hisemarrje të pamerituar të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo gjendje, tanimë e dukshme edhe sipërfaqësisht, nxit një frustrim të paqëndrueshëm politik e ekonomik dhe absolutisht të padrejtë, bile edhe të rrezikshëm për stabilitetin dhe perspektivën e vendit.

Për korrektësi, dua të nënvizoj dhe të veçoj se sot, gjithnjë e më shumë bashkëqytetarë maqedonas, përfshirë edhe politikanë e akademikë, janë mjaftueshëm vetëkritikë, bile në disa aspekte, me guxim intelektual edhe më të madh se ne! Për të gjithë ata, respekte individuale! Megjithatë, po vërehet një tendencë tejet e rezikshme e një shumice tjetër maqedonase që krijon animozitet dhe intolerancë ndëretnike deri në kërkesë për ostrakizëm ekonomik. Prandaj, pas një “pauze” relativisht të gjatë, e pashë të rrugës, në format krejt të pavarur, t’i rrekem kësaj teme edhe njëherë.

Të gjitha këto tentativa, bile me inxhiniering të paramenduar, duke involvuar edhe Asociacione (Oda) ekonomike mbi baza nacionalshoviniste për gjoja  “pushtimin” e politikave ekonomike mbi baza etnike! Këto hipoteza jo që janë të pabaza, por edhe të dëmshme për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi. Këto (hipo)teza, që gatuhen në guzhinat e politikës ditore, kanë filluar të pëlqehen edhe nga disa qarqe akademike dhe “shkencore”, gjithnjë duke kalkuluar në populizëm etnik!

Nga pozicioni akademik kam qenë i irituar kur këto teza më janë prezentuar si shqetësime nga Oda Ekonomike, një vit më parë, për çka me kohë janë informuar edhe elitat politike shqiptare, posaçërisht ato të spektrit të politikave ekonomike. Ato janë vet dëshmitarë për këtë.

Duke qenë se me këtë problematikë jam marrë më shumë se tri dekada, përmes analizave, kolumnave dhe shtjellimeve të publikuara, nuk e kam fare të vështirë, sërish ta trajtoj shkencërisht me dëshmi të bazuara në evidenca.

Si duket, disa fakte duhen ritheksuar, sepse sa kalon koha, gjithnjë e më aktuale po bëhet nevoja e ritrajtimit, edhe pas tri dekadave, por tani në një perspektivë të kauzalitetit (shkak-pasojë).

Tri dekada më parë, më saktë që në vitin 1994/95, analiza e parë me të cilin fillon libri “Një dekadë e mendimit ekonomik dhe politik”(botuar nga Logos-A), ka qenë pikërisht me temën “Privatizimi a la Maqedoni” (fq.19). Në këtë analizë të kohës, është trajtuar dhe alarmuar procesi sa joefikas, po aq edhe i padrejtë, i privatizimit të ndërmarrjeve me kapital shoqëror në Maqedoni. Procesi filloi që në fazën e përfundimit të komunizmit me të a.q. Ligji i Ante Markoviqit (sipas kryetarit të fundit të qeverisë jugosllave nga Kroacia), përmes modelit të shpërndarjes së aksioneve te të gjithë të punësuarit në ato ndërmarrje. Shqiptarët, duke mos pas mundësinë të jenë të punësuar, u përjashtuan nga përvetësimi i aksioneve pa pagesë apo më saktë përmes “gjimnastikave kontabël”, duke “paguar” vlerat nominale të aksioneve me të ashtuquajtura “paga të kalkuluara”, dhe të papaguara! Me këtë sistem u përvetësua mbi 2/3 e kapitalit shoqëror, që e kanë krijuar të gjithë në sistemin ekonomik shoqëror të kohës, vlera nominale e të cilit ishte saktësisht 4,6 miliardë marka gjermane të kohës, apo rreth 2,35 miliardë euro, por të asaj kohe. Imagjinoni çfarë vlere të sotme paraqet kjo masë kapitale dhe bile me vlerë kontabile, ndërkohë që vlera reale e tregut, shkonte së paku tri herë më shumë.

Për ta kuptuar më lehtë edhe lexuesi më pak i informuar, le të marrim shembullin e fabrikës më të madhe të tekstilit të asaj kohe “Teteks” – Tetovë, me mbi 9.000 të punësuar, e ndërtuar mbi tokën e gjyshërve tanë (të nacionalizuar/ekspropriuar), e zhvilluar me paratë e popullit në forma të ndryshme, në komunën me mbi 80% shqiptarë, nuk punonin as 10% prej tyre, e ata (shqiptarët), i kishin sistemuar kryesisht në organizatën e “transportit e ngarkim-shkarkimit të qymyrit”! Pothuajse e gjithë prona e Teteksit, më saktë 92,6% e vlerës e saj, u privatizua me “ligjin e Markoviqit”, dhe shqiptarët nuk morën as 5% të saj! Tetovarët e dijnë në duar e kujt përfundoi e gjithë kjo vlerë! Por, ashtu siç erdhi (haram) edhe shkoi! Nëse kjo ishte grabitja kapitale në Tetovë, imagjinoni si ka qenë në Shkup, Shtip, Manastir e gjetiu! Ky trajtim analitik asokohe është publikuar në të përditshmen Koha (dt.7 Qershor 1995).

Sa për informim, për dallim prej Maqedonisë shumë shtete tjera të Evropës Qendrore, si p.sh. Çekia apo Slovakia, aplikuan modelin e privatizimit të ndërmarrjeve me drejtshmëri të plotë shoqërore përmes sitemit të vauçerëve, ku  mundësohej pjesëmarrje e drejtë dhe e barabartë e gjithë popullatës, pikërisht atyre që edhe e kishin krijuar atë kapital ndër vite.

Pjesa tjetër, rreth 1/3 e kapitalit të ndërmarjeve shoqërore u privatizua me të ashtuquajturin Ligj i Jane Milovskit të vitit 1994/95 me modele edhe më diskriminuese se pjesa paraprake – përmes përvetësimit nga menaxhmentet e kohës të ndërmarjeve që kishin mbetur pa privatizuar nga modeli paraprak. Shqiptarët nuk ishin pjesë e klasës punëtore e lëre më pjesë e menaxhmenteve ku dominonte ostrakizmi ekstrem! Ata të paktët, apo individë të caktuar, mund të ishin në menaxhmentet e “kooperativave bujqësore”, që më shumë ishin tregtare sesa agrare!

Pra, nëse i gjithë kapitali shoqëror i krijuar që nga paslufta (1944/45), në pjesën dominante i përvetësuar nga maqedonasit e të tjerët, por jo edhe shqiptarët, si po ndodh që sot të krijohet përshtypja e “dominimit ekonomik” të shqiptarëve? Ashiqare, një hipotezë kjo hipokrite që vetëm analfabetët funksional mund ta besojnë! Ato pak kapitale (përpjestimisht me të tjerët) dhe ndërmarrje të fuqishme në pronësi shqiptare, sot në Maqedoni janë rezultat i sakrificave të mëdha të tyre, disa me kursime nga kurbeti i mjerimit, një pjesë duke filluar nga zeroja e disa nga minuset e kredive bankare, për mëse tri dekada akoma nuk arrijnë të përbëjnë as 10% të PBB-së vendore.

Pa keqëkuptim, ka edhe individë të caktuar që përmes pozitave konjunkturale kanë keqëpërdorur pushtetin dhe fuqinë politike për t’u pasuruar kundërligjshëm e pa bazë, por kjo është te të gjitha grupet etnike, bile përpjestimisht “te të tjerët” është pakrahasimisht më e theksuar se te ne! Nuk mund dhe nuk duhet që akuzat për përfitime individuale e personale, mbi këtë bazë, t’u përshkruhen shqiptarëve si kolektivitet, vetëm për përfitime ditore politike mbi bazë të urrejtjes etnike!

Mbase ka individë shqiptarë që zotërojnë ndonjë pikë karburanti, por vetëm një apo disa pronarë maqedonas (psh.të Makpetrolit) zotërojnë mbi 2/3 e të gjithë tregut në Maqedoni, kur dihet se edhe këta si kanë arritur ta “përvetësojnë” këtë ndërmarrje që nga “privatizimi” i papaguar, siç e elaboruam më lartë. Të mos flasim këtu edhe për shfrytëzuesit joshqiptarë të resurseve natyrore, nga ato minerale e deri tek ato konjunkturale! Për këtë jam i gatshëm kurdoherë dhe kudoqoftë të hapim debate, edhe shkencore e të bazuara në evidence, se kush sa “hise mori” nga Maqedonia si shoqëri shumetnike, meqë po trumbetojnë hipoteza të pabaza.

Është shumë e vërtetë se sot shqiptarët marrin hise më të merituar publike, në të gjitha aspektet, krahasimisht me të gjitha periudhat paraprake, ashtu siç është e vërtetë se sot për shqiptarët nuk ka funksione dhe pozicione të “ndaluara”, si dikur, për ata si qytetarë të rendit “të tretë”, përfshirë këtu edhe pozitën e ministrit të Jashtëm, Kryeparlamentarit apo të Kryeministrit, se për ato si të M-NAV-it, jo se jo! Kjo mbase ju pengon, por nuk e limiton e as që e ndalon këtë proces!

Andaj, për të mos e zgjatur, të gjithë faktorët dhe aktorët, shoqërorë e politikë, duhet ta dinë se Maqedonia si shoqëri shumetnike do jetë shumë më e fortë nëse çdo individ e qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike, politike, fetare e sociale, mbi baza meritore ,nuk do jetë i “ndaluar a i privuar” për funksione e pozita të caktuara, si politike, ashtu edhe ekonomike e shoqërore. Kjo për shkak se  lojaliteti individual e meritor vetëm se e përforcon shtetin dhe shoqërinë, ndërkohë që ostrakizmi e dobëson. Prandaj, projekti “një shoqëri për të gjithë” duhet të vazhdojë të zhvillohet e zbatohet mbi baza meritore, pa hezitime dhe frustrime ditore!

*Autori është Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore

 

Të fundit