E premte, 17 Maj, 2024

OSMANI PËRGËNJESHTRON HOMOOGEN BULLGARE

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka përgënjeshtruar zëvendëskryeministren dhe ministre e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, e cila deklaroi se bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë nuk janë kushti i vetëm për integrimet evropiane të Maqedonisë. Osmani në bisedën e regjistruar për emisionin “Stadium” të gazetarit Stoe Naumov në Kanalin77 pohon se protokollet e përmendura nga Gabrieli janë fshirë, përcjell kdp.mk.

“Pyetni Gabrielin se si kërkesa e tyre në Samitin e BE-së tani, më 15 dhjetor në Bruksel, që të qëndrojnë protokollet në konkluzionin e BE-së për Maqedoninë e Veriut u zhdukën disi brenda natës dhe nuk janë në versionin përfundimtar. Ishin deri në fillim të takimit, ku shkruan Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja me Bullgarinë, si dhe protokollet.Pas mbledhjes (aty) mungon fjalia “edhe protokollet”. A e dini pse? Sepse korniza negociatore është muri në të cilin është e përcaktuar saktësisht se çfarë mund të kalojë dhe çfarë nuk mund të kalojë. Protokollet nuk janë pjesë e këtij projekti me skriningun që e përfunduam në Bruksel,” – ka thënë kryediplomati Osmani duke shpjeguar se ka vetëm të drejta të pakicave, ndaj në to edhe duhet të fokusohemi.

Ditë më parë, shefja e diplomacisë bullgare, Maria Gabriel, tha se nuk është vetëm ndryshimi i Kushtetutës si parakusht për hapjen e bisedimeve me BE-në.

“Nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese, por edhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë dhe dy protokollet. Kemi tre instrumente të ndërlidhura, të cilat janë pjesë e të ashtuquajturit kompromis nga korriku i vitit 2022″, theksoi Gabriel.

“Për më tepër, kemi edhe një qëndrim shumë të qartë të Asamblesë Kombëtare”, shtoi Gabriel, në pyetjen – çfarë po ndodh me procesin negociator të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, nëse vendi respekton atë që kërkohet dhe cili është qëndrimi i Bullgarisë Gabriel e ka dhënë përgjigjen në një seancë të komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian, zonës Shengen dhe Eurozonës.

“Ajo që unë dhe ekipi im insistojmë në të gjitha formatet, ajo që është e rëndësishme për ne, është të shohim – nëse ka vështirësi me ndryshimet kushtetuese, cili është progresi në temat e tjera? E vërteta është se ne mbajtëm dy takime teknike – një në korrik në Sofje, një në tetor në Shkup – dhe për fat të keq, konstatojmë se nuk ka përparim pas tyre”, tha Gabriel.

Ajo në fillim kujtoi konkluzionet pas samitit të fillimit të dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor. Siç dihet, Maqedonia e Veriut nuk përmendet në Deklaratën e lëshuar pas atij samiti, por theksohet rëndësia e zbatimit të dy marrëveshjeve bilaterale.

“Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me vullnet të mirë dhe rezultate konkrete mbetet i rëndësishëm, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme të vendosura për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe çështjet rajonale dhe dypalëshe midis partnerëve, të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura (…) BE-ja u bën thirrje edhe partnerëve që të garantojnë të drejtat e anëtarëve dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të pakicave”, thuhet në këtë pjesë të Deklaratës.

Në kuadër të kësaj të fundit, Gabriel u shpreh se Bullgaria ka shprehur një qëndrim shumë të qartë para gjithë Bashkimit Evropian dhe se mbrojtja e minoriteteve është kriter për fillimin e negociatave, në të njëjtin nivel me kriteret për reformën administrative dhe gjyqësore.

“Ne jemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe si shtet anëtar me kërkesat tona drejtuar Republikës së Maqedonisë së Veriut themi se – kur dëshiron të jesh anëtar i BE-së, duhet t’i përmbushësh obligimet që i ke ndërmarrë vetë. Në korrik 2022, të dyja vendet vendosën së bashku të kishin detyrimet e tyre. Për mua, ajo që është e rëndësishme dhe ndoshta është vërtet e re, sepse janë shfaqur përsëri disa interpretime, dua që askush të mos ketë dyshim – Bullgaria nuk do të lejojë të bëhet asgjë, të hapen negociatat. Lidhur me letrën e presidencës spanjolle, dua të them vetëm se strategjia në gjashtë muajt e fundit – të thuhet qartë dhe konstruktivisht se cili është roli ynë si shtet anëtar i BE-së dhe që dëshiron të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut – është se plani i veprimit për mbrojtjen e minoriteteve tashmë është kriter për fillimin e negociatave në të njëjtin nivel me reformën administrative dhe gjyqësore”, deklaroi Gabriel.

Duke theksuar çështjen e mbrojtjes së pakicave si kriter evropian për negociata dhe anëtarësim, ajo thekson se Bullgaria nuk ka problem dypalësh me Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria ka interes që të vazhdojë të jetë mbështetëse e perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor. Të mos harrojmë se tema ekziston në axhendën evropiane si meritë e presidencës bullgare në 2018. Kjo do të thotë se ne duhet të rifitojmë pozicionin tonë si lider në rajon dhe për të qenë lider duhet të shprehim qartë interesin e përbashkët evropian dhe këtë po përpiqem të bëj në këta gjashtë muaj. Bullgaria nuk ka asnjë problem dypalësh me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria, në emër të interesit të përbashkët evropian, i thotë Shkupit se çfarë do të thotë të duash të jesh anëtar i BE-së”, u përgjigj Gabriel.

Mesazhe të tilla nga Sofja vijnë në kohën kur në Shkup po shkëmbehen akuza të ashpra mes qeverisë dhe opozitës për rrugën e bllokuar evropiane të vendit. Për LSDM-në fajtore janë VMRO-DPMNE-ja dhe politikat e saj, ndërsa për opozitën krimi dhe korrupsioni i pushtetit.

 

Të fundit