E hënë, 20 Maj, 2024

A DO TË MIRATOHEN NDRYSHIMET KUSHTETUESE DHE ÇKA DO TË NDODHË NËSE S’KALOJNË?

Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijojmë atë. Janë elitat politike, të fuqizuara me votën e qytetarit, ato që e krijojnë këtë të ardhme. Cilën rrugë do të marrë vendi do të dihet këtë vit. 

Shkruan: Xhelal Neziri

Seanca e 123 e Parlamentit kishte vetëm një pikë të vetme në rendin e ditës: miratimin e nevojës për hapjen e Kushtetutës. Për t’u sjellë ky vendim nevojiteshin 80 votat e 120 deputetëve, apo shumica e dy të tretave. Kjo është faza e parë. Faza e dytë ëshë më e kollajshme: hartimi i propozim-amendamenteve nga Qeveria, plotësimi i tyre me propozim të deputetëve dhe propozimi për votim. Votimi i tyre përbën fazën e tretë, të fundit, me të cilën ndryshohet Kushtetuta. Edhe këtu nevojiten 80 deputetë. Pra Kushtetuta hapet dhe mbyllet me dy të tretat e votave të deputetëve.

Me votimin e rendit të ditës së seancës së 123 u pa se shumica parlamentare arriti deri më 70 deputetë. Dy deputetë tjerë të koalicionit të LSDM-së, me ose pa qëllim, nuk votuan fare: njëri kishte ngatërruar butonin, e tjetri kishte paralajmëruar mungesën. Seanca u ndërpre për shkak se u pa që nuk ka shumicë të nevojshme. Qeveria ka siguruar 73 deputetë që do të mbështesin ndryshimet: 65 të saja, 8 të opozitës shqiptare. VMRO-DPMNE mbeti e palëkundur në qëndrimin e saj kundër ndryshimeve kushtetuese. As 5 deputetët e partive më të vogla të koalicionit që e drejton (2 të Partisë Socialiste, 2 të GROM dhe 1 të Partisë Demokratike Serbe) nuk u bindën të votojnë për. Një situatë që shënon fillimin e një procesi të rëndë, të komplikuar dhe mjaft të rrezikshëm.

Sidoqoftë, fillimi i seancës shënon zilen e “bursës së deputetëve”. Pasi nuk u bind opozita si tërësi, do të “luftohet” për çdo votë në Parlament.

Ndryshimet e Kushtetutës do ta përcaktojnë sërish të ardhmen e vendit. Grupi Punues për Amendamentet Kushtetuese sugjeron që bullgarët etnikë (si dhe etnitë tjera) të shtohen në preambulën e Kushtetutës si “pjesë e popullit”, një amendament që nënkupton gjithashtu një rritje të numrit të anëtarëve të Komitetit për Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve nga 19 me 43, për të ruajtur proporcionin sipas Marrëveshjes së Ohrit. Nëse do të miratohen, vendi në fund të vitit do të hapë kapitujt e parë të bisedimeve për anëtarësim në BE, bashkë me Shqipërinë. Nëse nuk do të kalojnë, Shqipëria vazhdon përpara kurse Maqedonia e Veriut do të ngelë sërish, si në vitin 2008 kur duhej të anëtarësohej në NATO.

Një takim tet-a-tet, i kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, dhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, nuk dha rezultatet e pritura. Ky takim edhe më shumë përkeqësoi situatën politike.

Gatishmëria e Mickovskit për një lloj kompromisi luhati seriozisht mbështetjen nga votuesit etno-nacionalistë të VMRO-DPMNE-së. Ato nuk duan asnjë lëshim ndaj Bullgarisë, afër 80 për qind janë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe nuk kanë ndonjë opinion të theksuar pozitiv për Bashkimin Evropian (BE). Gati gjysma e tyre e shohin Bullgarinë si kërcënim më të madh për vendin, edhe pse VMRO-DPMNE shpesh është etiketuar si bullgarofile. Poaq e shohin Serbinë si vend më miqësor, anipse VMRO-DPMNE është parë si serbofobe. Gjërat kanë ndryshuar, opinioni brenda elektoratit tradicional është ribërë gjatë 10 viteve të Nikolla Gruevskit dhe i njëjti nuk i jep shumë hapësirë manovrimi Mickovskit. Andaj edhe u tërhoq nga kushtet që parashtroi për të mbështetur ndryshimet kushtetuese, të cilat iu plotësuan menjëherë.

Deri në fund të vitit do të mësojmë nëse do të ketë ndryshimet kushtetuese, apo ato do të lihen të presin një moment të ri, më të favorshëm. VMRO-DPMNE si parti nuk do të rrezikojë t’i përkrahë, sidomos kur kihet parasysh fakti se viti 2024 është vit i zgjedhjeve të dyfishta – presidenciale dhe parlamentare. Opsioni i “bindjes” së 7 deputetëve opozitarë individualisht mbetet opsion real. Një qasje krejtësisht makiaveliste mund të zgjidhë dilemën – eurointegrimi si qëllim arsyeton mungesën e etikës në politikë. Pushteti bën çudira kur duhet të kalojë diçka e rëndësishme. Vetëm kujtojeni si i hapën dyert e NATO-s pikërisht deputetët që literalisht hapën dyert e Parlamentit më 27 prill 2017 që turma të futet brenda dhe të mos lejohet rotacioni i pushtetit. Mund të ndodhë që varrmihësit e djeshëm të europianizimit të vendit të bëhen heronjtë e procesit eurointegrues.

Në të njëjtën kohë VMRO-DPMNE është e vetëdijshme se nëse i bllokon ndryshimet do të përballet me sanksione nga bashkësia ndërkombëtare, të cilat më pas do të kishin pasoja politike brenda partisë.

Shumica aktuale parlamentare numëron 61 deputetë, ndërkohë që për ndryshimet pritet të votojnë edhe Alternativa, LD, BESA opozitare, që nunumërojnë 6 deputetë. Në anën e Qeverisë janë edhe 6 deputetë të pavarur apo që kanë krijuar parti të reja në ndërkohë. Pa së paku 7 deputetë të VMRO-DPMNE-së s’ka ndryshime kushtetuese.

Nëse priten zgjedhjet parlamentare, siç kërkon Mickovski, atëherë Shqipëria do të shkëputet nga grupi dhe do të vazhdojë negociatat e vetme, duke hapur kapitujt e parë të gjashtë klasterave.

Përveç kësaj, në vitin 2024 do të ketë zgjedhje edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në SHBA, dhe nuk ka asnjë garanci se ky angazhim i Brukselit dhe Uashingtonit për integrimin e vendit në BE do të vazhdojë të mbetet i lartë. Nëse marrim parasysh kohën e krijimit të institucioneve të reja evropiane, të cilat mund të kenë prioritete të tjera, atëherë mund të thuhet se vendi pa ndryshimet kushtetuese do ta humbë trenin për në BE dhe do duhet të presë një moment të ri për të vazhduar më tutje procesin e evrointegrimit. Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të vendosej në një grup me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, vende për të cilat ende ka shumë paqartësi themelore. Ndërkohë, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarë të Unionit në një kohë kur ky proces ka rëndësinë e urgjencës gjeopolitike për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Prandaj, ky është sërish një moment historik për vendin. Një udhëkryq i rëndësishëm dhe i rrezikshëm, nëse vendi zgjedh kahun e gabuar. Propozimi francez ishte rezultat i një angazhimi të madh të të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në drejtim të presionit ndaj Bullgarisë për t’u tërhequr nga linjat e forta të mohimit të plotë të identitetit etnik maqedonas, i cili bazohet në dy shtylla kryesore: në gjuhën dhe historinë e përbashkët. Me përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë tërthorazi është pranuar edhe ekzistenca e popullit maqedonas, ndryshe nga më parë, kur në politikën bullgare mbizotëronte teza “dy shtete, një popull”.

Nëse dështon Propozimi Francez, që do të thoshte pamundësi për të kaluar amendamentet kushtetuese, atëherë nuk dihet se kur do të ketë një marrëveshje të re me Bullgarinë që do të zhbllokonte procesin integrues në BE. Nga përvoja me Greqinë e dimë se ajo marrëveshje do të jetë shumë më e papranueshme se kjo aktualja. Propozimi Francez ishte më shumë rezultat i presionit ndërkombëtar të ushtruar ndaj Sofjes sesa i qëndrimeve negociuese të Shkupit. Ky presion buron nga një partneritet i fortë me Brukselin dhe Uashingtonin, i cili mund të tronditet nëse vendi nuk arrin të zbatojë atë për të cilën ka rënë dakord. Në atë rast, vetoja e radhës nuk do të jetë rezultat i pengesave nga fqinjësia, por një veto nga elita politike në Shkup.

Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijojmë atë. Janë elitat politike, të fuqizuara me votën e qytetarit, ato që krijojnë këtë të ardhme. Cilën rrugë do të marrë vendi do të dihet këtë vit.

 

​#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Të fundit