E premte, 26 Prill, 2024

TAKIMI I ZGJIDHJEVE TË (PA)MUNDSHME

Sidoqoftë, në kuadër të kësaj planimetrie politike, duket se tashmë kemi dy koncepte kundërvënëse, që lëvizin në dy botë paralele. Njëri koncept që synon ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës drejt BE-së dhe koncepti tjetër i ngujuar në retorika popullsitë që nuk jep shenja se mund të përfshihet në këto ndryshime, përkundër faktit që një gjë të tillë gjatë tërë kohës është kërkuar nga përfaqësues të BE-së. Pikërisht, përfaqësuesit e këtyre dy botëve paralele nesër pritet të ulen në një tavolinë për të biseduar mbase për një rrugëdalje të mundshme. Pritjet për një konsensus spektakular mbeten të zbehta. Përkundër faktit që kryeministri Kovaçevski ka theksuar se zgjedhjet do jenë të rregullta, ky takim nëse nuk prodhon një zgjidhje për ngërçin politik, mund të prodhojë mbase një “pajtim të heshtur” për një “sprovë” të re të legjitimitetit elektoral.

 Shkruan: Bardhyl Zaimi

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski do të niset nesër në takim me kryeministrin Kovaçevski me qëndrimet të forta për të mos lëshuar pe për ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, që është një ndër kushtet për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Zoti Mickovski ndërkohë ka bërë thirrje edhe për një qeveri të “unitetit nacional”, që nënkupton një qeveri të dy partive më të mëdha maqedonase, duke përjashtuar në një farë mënyre partitë politike shqiptare, të cilat deri më tani nuk janë prononcuar lidhur me këtë ide të liderit të opozitës maqedonase.

Të gjitha sondazhet e instituteve prestigjioze ndërkombëtare e nxjerrin partinë e zotit Mickovski më të votuar në kampin politik maqedonas, ndërkohë që LSDM-ja qeveritare duket se përpëlitet në përqindje dëshpëruese, ndërkohë që vazhdon të promovojë idenë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen në mënyrë që vendi të vazhdojë me procesin e integrimeve, gjegjësisht hapjen e kapitujve në bisedimet me BE-në. Me gjasë, marrëveshja me Bullgarinë fqinje, por edhe më herët marrëveshja për emrin me Greqinë e kanë tkurrur te elektorati maqedonas partinë e kryeministrit Kovaçevski.

Por, jo vetëm këto dy marrëveshje, brenda kohës së qeverisjes së LSDM-së, janë shpërfaqur edhe shumë afera korruptive, të cilat kanë ndikuar që kjo parti të humb besim në elektoratin maqedonas. Janë edhe disa faktorë tjerë që e kanë vendosur këtë parti përpara një tkurrjeje të vazhdueshme elektorale. Fraksionet e heshtura brenda saj të udhëhequra nga aktorë të fortë në të kaluarën gjithashtu kanë ndikuar në dobësimin e partisë së kryeministrit Kovaçevski, por vlerësohet se një pjesë e elektoratit të LSDM-së është rreshtuar me partinë  “E Majta”, e cila dallohet në skenën politike për orientimin e saj të dukshëm antieuropian.

Me pak fjalë ky është peizazhi e jetës politike në Maqedoninë e veriut në kampin maqedonas, ku tashmë padiskutim por vërehet një përkrahje shumë më e madhe ndaj partisë opozitare VMRO-DPNE, e cila në vazhdimësi ka theksuar se është kundër ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht nëse Maqedonia e Veriut mund ta humb shansin që të vazhdojë në rrugën e integrimeve. Thuhet se politika përveç tjerash është edhe çështje diskursi dhe pikërisht nëpërmjet një diskursi popullist, VMRO-DPMNE ka arritur që ta etablojë veten te elektorati maqedonas, te qytetarët maqedonas, tek të cilët sipas të gjitha anketave më të fundit është rritur euroskepticizmi.

Duket se Maqedonia e Veriut edhe njëherë ndodhet përpara një sprove të madhe, përpara një momentumi që nënkupton orientimin strategjik të saj në periudhën që vjen. Tashmë është theksuar se votimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet parakusht për të zhbllokuar rrugën për vazhdimin e bisedimeve me BE-në. Por, në anën tjetër, kemi qëndrimet e forta të opozitës maqedonase, e cila pavarësisht nga çmimi që mund të paguhet, mbetet e pozicionuar kundër ndryshimeve kushtetuse.

Siç dihet tashmë afati për t’i bërë ndryshimet kushtetuese është deri në fund të këtij viti, por dinamikat e deritashme politike nuk japin shumë shpresë se partitë më të mëdha politike në bllokun politik maqedonas do të mund të arrijnë ndonjë konsensus për t’i çuar proceset përpara. Ndërkohë, partitë politike në bllokun politik shqiptar, të gjithë pa përjashtim janë prononcuar për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese si një domosdoshmëri për të vazhduar rrugën e integrimeve dhe për të mbajtur të pacenueshëm kursin europian të shtetit. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, ASH dhe Lëvizja Besa, kanë theksuar se do të angazhohen deri në fund edhe për ndryshimin e formulimit 20 përqind në kushtetutë, gjegjësisht zëvendësimin e këtij formulimi me “gjuha shqipe”.

Sidoqoftë, në kuadër të kësaj planimetrie politike, duket se tashmë kemi dy koncepte kundërvënëse, që lëvizin në dy botë paralele. Njëri koncept që synon ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës drejt BE-së dhe koncepti tjetër i ngujuar në retorika populliste që nuk jep shenja se mund të përfshihet në këto ndryshime, përkundër faktit që një gjë të tillë gjatë tërë kohës është kërkuar nga përfaqësues të BE-së. Pikërisht, përfaqësuesit e këtyre dy botëve paralele nesër pritet të ulen në një tavolinë për të biseduar mbase për një rrugëdalje të mundshme. Pritjet për një konsensus spektakular mbeten të zbehta. Përkundër faktit që kryeministri Kovaçevski ka theksuar se zgjedhjet do jenë të rregullta, ky takim nëse nuk prodhon një zgjidhje për ngërçin politik, mund të prodhojë mbase një “pajtim të heshtur” për një “sprovë” të re të legjitimitetit elektoral.

Përndryshe, mbetet me shumë të panjohura se si mund të zhvillohen gjërat, ndërkohë që bartëse e konceptit për ndryshimet kushtetuese është një LSDM anemike, ndërkohë që kundërshtohet nga një VMRO-DPMNE, e cila sipas të gjitha sondazheve ka një epërsi të theksuar në elektorat. Mund të debatohet për shkaqet e këtij raporti elektoral, por duket se koha nuk punon për analiza, por për zgjidhje të shpejta, të cilat duhet të kërkohen brenda këtyre 5-6 muajve.

Maqedonia e Veriut jo njëherë është përballur me kësi konfliktualitetesh politike, me retorika të këtilla, të cilat kanë krijuar momentume mobilizimesh elektorale. Mbase si asnjëherë më parë tashmë ndodhet përpara një udhëkryqi gjeostrategjik që nënkupton ose vazhdim i proceseve integruese, ose hyrje në një lloj izolimi që mbetet me shumë të panjohura.

 

 

 

 

Të fundit