E diel, 5 Maj, 2024

REFORMA NË DREJTËSI DHE BUZËQESHJA E CINIKËVE

Nga Ben Andoni

Kërcënimi sistematik i Ilir Metës ndaj SPAK-ut, grotesku i sintaksës që përdor ndaj Dumanit; tallja e stërgjatë e Berishës me SPAK-un dhe e gjithë shpurës imituese të tij; cinizmi i Salianjit me Drejtësinë; thirrjet e Ramës dhe apelet e tij; drejtorët e pangopur të Bashkisë; mohimi i të gjithë politikanëve sot për ata që janë pas hekurave (kuptohet të së njëjtës anësi) të sjell ndërmend një cinizëm të madh me sistemin tonë të ri të Drejtësisë. Për fat është nga të paktit indikator jete të Demokracisë shqiptare që pulson dhe që përcjell shenja jete për trupin e drobitur të vendit. Të mendosh këtë nivel korrupsioni, këtë urrejtje për Drejtësinë e kupton realisht kohën ku po jetojmë. Ndaj, reportazh i RAI-it tej atyre që dihen dhe që media shqiptare i ka bërë me kohë, u dha qytetari: Ne jemi në një proces të vështirë të bërjes së shtetit, ku cinizmi i banalitetit është i pafre. Ka dhe një paradoks në vetë konceptin filozofik të Cinikëve dhe kjo të sjell ndërmend realisht Shkollën  e madhe të Cinikëve në Antikitet. Ndërsa cinikët tanë (më së shumti politikanët) janë të pasur, kanë pushtet, të shpërfillin institucione, kanë mundësinë të merren me këdo dhe të tallen qysh nga njerëzit deri te Drejtësia, Cinikët e Antikitetit kritikonin moralin dhe lakminë e të pasurve dhe u kërkonin njerëzve të hiqnin dorë nga teprimet, të kënaqeshin me atë më të domosdoshmen, që u duhej dhe të mos përfillnin rregullat dhe konvencionet e marrëdhënieve shoqërore.

Në Shqipëri, qoftë edhe Reforma e Drejtësisë që merret si flamuri ynë i ndryshimeve, la për të dëshiruar dhe paratha atë që do të ndodhte, pikërisht prej njerëzve që e qepën atë: Politikanët. Paçka se sot, shumë i japin lëvdata dhe i thurin lavde, Drejtësia nuk po i trand, sepse e nisi qysh nga lëbyrja e emrave. Ekspertët e nivelit të lartë pothuaj nuk shkarravitën as edhe një germë në krijimin e Ligjeve apo vetë neneve të Kushtetueses. Ata, në shumë momente, thjesht e vetëm firmosën çfarë ju ofrua në tavolinë, duke ulur kokën e dakordësuar me atë që ofronin të huajt. Nguti i politikanëve nga ana tjetër nuk ndalej. Reformës, duke i munguar elementi i vëzhgimit antropologjik, la boshllëqe sa i përket strukturimit, ndërkohë që ndaloi së punuari dy Gjykatat më të larta dhe patën problem Gjykatat më të vogla.

Kushtetuta ndryshoi një masë të pafundme nenesh, shtuar pastaj me ato të ndryshuara gjatë viteve. Dhe, ndërsa njerëzit e thjeshtë, shikonin honin e zvarritjeve të këtij sistemi, politikanët u voliste zvarritja dhe sidomos amullia. Kulmi, në fakt, arriti kur ngritën të 140-t kartonin pro për një Reformë që do ta anatemonin në çdo hap.

Reforma që mund të bëhej shumë më thjesht mund ta lehtësonte shumë punën e Drejtësisë, por nga ana tjetër do të ishte edhe më efikase se një e tillë, kur politikanët duket se sërish pushtetin e drejtojnë të paprekur. Edhe kur anatemohet, por edhe mbrohet Rama, Drejtësia ende belbëzon; edhe kur ofendon Berisha, Drejtësia zvarrit dhe është e paqartë deri me justifikimin e masës së arrestit të tij; ashtu si trandja e Metës tashmë ka kaluar çdo nivel grotesku. A e përdorën politikanët edhe Reformën në Drejtësi për të zgjatur pushtetin: Koha po tregon se me gjithë masën e korrupsionit, ata personazhet kryesorë janë ende aty, të paprekur. Cinikë! E mbi të gjitha, shpërfillës me atë që njerëzit e zakonshëm, kanë vite që e presin: ndëshkimin e pandëshkueshmërisë. Duket se qenka e vështirë ta heqësh cinizmin nga politika jonë…kur duhet ta trandte vetë Reforma në Drejtësi, e cila megjithë formën e mirë dhe disa rezultateve është ende larg përmbajtjes së shumëpritur. Nëse Diogjeni i Cinikëve endej të gjente Njeriun, shqiptari i thjeshtë vazhdon të endet dhe të besojë për një Drejtësi, që t’ia mbushë sadopak jetën gri që e rrethon. (Javanews)

Të fundit