E shtunë, 4 Maj, 2024

NARRATIVA ANTIEUROPIANE DHE ALERTI I AMBASADORIT

Mbetet paradoksale, që pavarësisht nga gjithë këto para të investuara nga BE, përsëri të kemi një frymë kaq antieuropiane siç po shfaqet kohëve të fundit. Është pikërisht narrativa antieuropiane e injektuar nga disa subjekte, nga media dhe OJQ të caktuara, që po krijon një sentiment absurd kundër BE-së, një sentiment që po “përqafon” herë në mënyrë latente dhe herë në forma të hapura “miqësi” vendesh që nuk kanë bërë asgjë për Maqedoninë e Veriut, përveç prodhimit të lajmeve të rreme dhe dramaciteteve të sajuara, që kërkojnë të paralizojnë rrugëtimin europian. Të marrësh para nga Europa dhe të jesh pjesë e narrativave antieuropiane, kjo do të thotë  hipokrizi. Gjithë këtë situatë, ambasadori holandez e shprehu në formë pyetjeje dhe me habi që në fakt është alert në vete.    

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Gjersa Maqedonia e Veriut më shumë se 30 vite po dergjet në rrugën e integrimeve europiane, popullizmi akoma mbetet një mënyrë për të mobilizuar dhe për të pretenduar fitore në zgjedhje kurdoherë që të mbahen ato. Subjekte të caktuara politike gjithnjë kanë luajtur me “psikologjinë e turmës” varësisht nga rënie-ngritjet e partive dhe varrësisht nga kontekstet e caktuara politike. Trajektorja e jetës së brishtë demokratike në Maqedoninë e Veriut ka njohur situata të simuluara krizash, që në esencë kanë pasur për qëllim vetëm pushtetin ashtu siç është kuptuar gjithnjë në format më të pastra të mundshme vetëm si pushtet përfitimesh pa mbajtur llogari pë kultivimin e një kulture demokratike dhe një sistemi vlerash europiane.

Me agresionin rus në Ukrainë dhe në një kontekst dinamikash politike turbulente duket se fijet e këtyre simulimeve populliste vazhdojnë të tendosen në një realitetit të ri gjeostrategjik, që për më tepër ka krijuar tashmë një narrativë antievropiane me shumë të panjohura përbrenda. Nuk është hera e parë që në Maqedoninë e Veriut po krijohen narrative të këtilla, të cilat kërkojnë dhe këmbëngulin të sajojnë situata dramatike brenda vendit dhe në raport me faktorin ndërkombëtar për të përfituar politikisht. Herë në mënyrë të sofistikuar dhe herë në mënyrë dhe në forma të hapura sajohen dramacitete ideologjike për paralizuar kështu zhvillimet normale, për të penguar në fakt një paradigmë tjetër që beson dhe kultivon me përgjegjësi të plotë vlerat europiane, që miklon orientimin proeuropian të vendit si alternativë e vetme për Maqedoninë e Veriut.

Në gjithë këtë peizazh narrativ antieuropian përbirohen lloj-lloj protagonistësh që i stërkeqin përmbajtjet e promovuara europiane, duke ngritur vazhdimisht decibelat e izolimit, të mitologjive anakronike dhe të gjithë atyre histerive që projektohen më pas si vullnet i qytetarëve. Fatkeqësiht, po dëshmohet ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetarëve bien pre e këtyre narrativave të zëshme, të cilat sponzorizohen nga burime të dyshimta dhe nga protagonistë që haptaza janë prononcuar për lidhje me Rusinë, me gjithë aktorët tjerë që kanë  qëndrime antieuropiane.

Në fakt shumëçka në këto zhvillime mbetet politike, por narrativat e ngritura antieuropiane mbeten sit ë tilla dhe krijojnë një sentiment të theksuar antieuropian edhe te qytetarët, qoftë edhe përkohësisht. Dhe, mbetet jashtëzakonisht fatale, që në gjithë këtë situatë, në gjithë këtë histeri narrative antieuropiane brenda kohës janë përfshirë edhe shumë organizata joqeveritare dhe protagonist tjerë që gjatë tërë kohës kanë marrë mbështetje financiare nga fondet europiane, gjegjësisht kanë funksionuar me paratë e taksapaguesve të vendeve europiane. Mund të shfaqen kundërvënie konceptuale, praktikash, ndjeshmërish, vlerash dhe vizionesh, port ë bëhesh pjesë e propagandës antieuropiane me paratë e evropës kjo mbetet paradoksale.

Pikërisht për shkak të kësaj narrative të injektuar vazhdimisht nga subjekte të caktuara politike, por edhe nga aktorë të shoqërisë civile dhe aktorë tjerë shoqërorë në Maqedoninë e Veriu kemi rritje të jashtëzakonshme të euroskepticizmit, kemi një gjendje herë të hapur e herë latente të orientimit antieuropian që tashmë duket se ka zënë bashin e vendit. Anketat e fundit tregojnë se te qytetarët maqedonas ka një rritje të theksuar të euroskepticizmit, ndërkohë që ka ngjizje sentimentesh pro sistemeve autoritare.

Në bazë rezultateve të anketës së realizuar nga Instituti për Kërkime Politike në fillim të muajit 42.1 për qind e qytetarëve thonë se e kanë humbur besimin se Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo përqindje, në një anketë të realizuar katër vjet më herët nga po ky institut ishte vetëm 22.2 për qind.

Pikërisht, në këtë sens, në kaudër të gjithë kësaj suaze të mbushur me narrative antieuropiane, kemi dy momente, dy prononcime, që e dekonstruktojnë këtë tendendecë dhe që shfaqet si shqetësim legjitim. Duket se edhe përfaqësuesit e vendeve europiane në Shkup tashmë kanë kaluar në prononcime konkret që e adresojnë këtë shqetësim mbi narrativat antieuropiane.

Ditë më parë edhe ambasadorit holandez në Shkup, Dirk Jan Kopp, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë e kishte theksuar pikërisht këtë shqetësim nëpërmjet një përgjigjeje në formë pyetjeje: “Si është e mundur që një politikan si presidenti rus Vladimir Putin të jetë figura më e popullarizuar në Maqedoninë e Veriut?”

Me tej ambasadori Kopp ka shprehur gjithë shqetësimin e tij mbi fajësimin e BE-së në kuadër të narracioneve të ngritura antievropiane. “Mendoj se të gjithë politikanët këtu, lidershipi politik i mbështetur nga disa media dhe një pjesë e madhe e sektorit joqeveritar, fajësojnë BE-në për gjithçka. Dhe është shumë e çuditshme, pse pas dekadash mbështetje të madhe, reformat e nevojshme mund të ishin zbatuar disa vite më parë. Por në vend të kësaj, ajo që dëgjojmë gjithnjë e më shumë janë akuza për BE-në ose pse BE-ja po na bën të presim gjithnjë e më gjatë, dhe në fakt mendoj se ky vend po na bën të presim shumë gjatë. Mund ta kishe bërë shumë më herët, por në vend të kësaj të gjithë po na tregojnë një përrallë se në njëfarë mënyre, ne po e bëjmë Maqedoninë e Veriut të presë shumë gjatë. Nuk është kështu”, ka theksuar Kopp.

Mbase për herë të parë një ambassador shprehet kaq hapur ndaj gjithë asaj suaze narrative antievropiane të ngritur gjatë kësaj periudhe, e cila tashmë ka prodhuar edhe te qytetarët sentimente antieuropiane.

Ndërkohë presidenti Stevo Pendarovski ka theksuar se deklarata e ambasadorit holandez se kanë ndërprerë paratë për projektin e Këshillit Gjyqësor për shkak të ngjarjeve të fundit është e drejtë. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje ambasadës holandeze dhe ambasadave të tjera që të ndalojnë financimin e projekteve të mediav dhe OJQ-ve që janë anti-evropiane.

Jane dy momente në fakt që dekosntruojnë një logjikë të mbrapshtë funksionimi, që e bëjnë të qartë krijimin e narrativave antieropiane. Fatkeqësisht, tashmë është vërtetuar se shumë organizata joqeveritare që kanë marrë para të majme nga fondet europiane kanë qenë të përfshira pikërisht në krijimin e kësaj narrative antieropiane, në emër të kauzave që aspak nuk kanë të bëjnë me realitetin në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Europian dhe SHBA-të, që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut kanë qenë investuesit më të mëdhenj në të gjitha drejtimet e mundshme. Qindra miliona euroë të taksapaguesve nga vendet europiane janë donuar në vend për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për etablim të vlerave demokratike, për sundim të ligjit dhe për luftë kundër korrupsionit.

Sigurisht, mbetet paradoksale, që pavarësisht nga gjithë këto para të investuara nga BE, përsëri të kemi një frymë kaq antieuropiane siç po shfaqet kohëve të fundit. Është pikërisht narrativa antieuropiane e injektuar nga disa subjekte, nga media dhe OJQ të caktuara, që po krijon një sentiment absurd kundër BE-së, një sentiment që po “përqafon” herë në mënyrë latente dhe herë në forma të hapura “miqësi” vendesh që nuk kanë bërë asgjë për Maqedoninë e Veriut, përveç prodhimit të lajmeve të rreme dhe dramaciteteve të sajuara, që kërkojnë të paralizojnë rrugëtimin europian. Të marrësh para nga Europa dhe të jesh pjesë e narrativave antieuropiane, kjo do të thotë  hipokrizi. Gjithë këtë situatë, ambasadori holandez e shprehu në formë pyetjeje dhe me habi që në fakt është alert në vete.

 

Të fundit