E shtunë, 18 Maj, 2024

KURTI TAKON BORELLIN E LAJÇAKUN: KËRKOHET ZGJIDHJE PËRMES DIALOGUT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë, përcjell KDP.MK

Sikurse raporton REL, takimi ka ndodhur para pjesëmarrjes së Kurtit në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.

Pas takimit, Borrell bëri thirrje përmes llogarisë së tij në Twitter për “de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në Bratisllavë u ka bërë me dije atyre se “do të kishte pasur mirëkuptim, nëse protesta e serbëve në veri do të ishte paqësore”.

Bisedova me Borrellin e Lajçakun. Unë iu thashë atyre se po të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishin mirëkuptimin tim. Por jo mafiozë me shkronjën Z që shtien në drejtim të ushtarëve e policëve, hedhin granate e thërrasin “Vrisni”, “Vrisni”. Këtyre grupacioneve fashiste, ne nuk ua dorëzojmë republikën tonë demokratike. “Nëse duan protestë paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, atëherë e kanë kryeministrin e tyre që tërë jetën ka qenë aktivist politik dhe shumë është i gatshëm që t’i dëgjojë, e ndoshta edhe të pajtohet me ta”, – duhet të ketë thënë Kurti.

Kurti, është takuar me zyrtarët evropianë para se të marrë pjesë në Forumin “Globsec 2023” në Bratisllavë.

Ndërkaq, në forumin e Bratisllavës për sigurinë, para pjesëmarrësve Kurti foli për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.

Bashkësia ndërkombëtare e ka njohur procesin zgjedhor dhe rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Kur kryetarët e zgjedhur nisën të shkojnë në punë, ata u sulmuan bashkë me policët e Kosovës dhe të KFOR-it”, – ka thënë Kurti.

Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje për situatën e krijuar i ka dy trajektore:

E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, tha ai.

Tutje, Kurti ka shtuar se derisa të ketë kërcënime me “ubij-ubij” dhe grafite me simbole ruse “Z” do të ketë edhe njësi speciale të Policisë së Kosovës.

Kosova ka 38 komuna dhe në secilën prej tyre qëndrojnë disa policë dhe është situatë normale. Sa të ka dhunë jashtë në katër komunave veriore, shumë dhe grafite me ‘Z’ që tregohet admirimi për Putinin dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë, duhet të jemi me njësi speciale nëpër komuna. Atje bëhen thirrje me ‘ubij-ubij’ që do të thotë ‘vriti-vriti”, – ka shtuar Kurti.

Ai mes tjerash u pyet edhe për mundësinë që Bashkimi Evropian të paralizojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Lidhur me këtë, Kurti tha se “jam i brengosur por kurrë i frikësuar, është puna ime të mos jem i frikësuar por i brengosur.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.

Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Të fundit